Lidhje

Presidenti i Shqipërisë kritikon përzierjen e interesave politike me ato të biznesit


Presidenti i Shqiperise Alfred Moisiu deklaroi sot se jo rallë zyrtarë të rangjeve të larta kanë marrë vendime politike ekonomike e ligjore në interes të bizneseve të tyre private duke sjellë për pasojë deformime të tregut deri në monopolizim të tij. Këto komente kreu i shtetit i bëri gjatë një debati për ligjin mbi konfliktin e interesave të miratuar pak kohë më parë. Duke folur lidhur me kontekstin zgjedhor presidenti tha se ka patur raste të shkeljes së kodit të etikës dhe përdorim të posteve shteterore dhe publike për interesa elektorale.

Në Shqipëri prej kohësh flitet për konfliktet që zyrtarë të nivele të ndryshme e deri ministra kanë mes postit që ata mbajnë dhe bizneseve private që zotërojnë. Në pararojë të akuzave ka qenë opozita dhe së fundi edhe ajo pjesë deri dje socialiste që sot militon në radhët e partiosë së re të ish-kryeministrit Ilir Meta.

Pak kohë më parë parlamenti miratoi një ligj i cili kaloi me shumë debate dhe u kundërshtua në shumë pika nga opozita, por që megjithatë sanksionon disa rregulla të qarta për të ndarë interesin privat të një zyrtari nga posti publik. Presidenti Alfred Moisiu tha sot se sfida më e madhe mbetet zbatimi i plotë i ligjit:

"Cilido që merr një post dhe një përgjegjësi publike duhet të ballafaqohet me kërkesat e tij. Ata që nuk janë në gjendje të përmbushin kriteret e ligjit le të ndihmojnë veten dhe vendin duke u larguar vullnetarisht nga politika dhe vendimmarrja. Përfundimisht duhet kuptuar se politika nuk është biznes, por sakrificë dhe mision fisnik në dobi të qytetarëve dhe të shoqërisë".

Sipas presidentit rastet e konfliktit të interesave nuk mungojnë. Madje ai deklaroi se jo rallë janë dëgjuar e konstatuar kritioak dhe akuza se zyrtarë të rangjeve të larta kanë marrë vendime politike, ligjore dhe ekonomike në interes të bizneseve të tyre private:

"Janë konstatuar raste të eleminimit të konkurencës në treg, të deformimit të tregut, si dhe të kontrollit deri në monopolizim të tij, gjë që ka ndikuar në pengimin e inciativës së lirë, të uljes së papunësisë, shtimin e varfërisë dhe pasurimin e shpejtë të grupeve të caktuara dhe bizneseve – monopol të lidhura me to. Ky fenomen jo vetëm ka stimuluar mbajtjen në këmbë të një sistemi abuziv vendimmarrës dhe rritjen e korrupsionit, por edhe është bërë pengesë serioze në zhvillimin normal të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare".

Duke e trajtuar këtë tem në kontekstin zgjedhor presidenti Moisiu tha se dikush përdor postin shtetëror, fondet buxhetore dhe administratën për fushatë, pra për interesa elektorale. Të tjerë përdorin pushtetin lokal. Këto dukuri tha ai përbëjnë shkelje ligjore, por largimi prej tyre shpeshherë ka të bëjë me detyrimet morale.

Disa herë publikisht kreu i shtetit ka bërë thirrje që drejtues të lartë të administratës shtetërore e publike vecanërisht ata që drejtojnë poste ku menaxhohen burime të shumta financiare e që janë në garë për kandidatë për deputetë të japin dorëheqjen.

XS
SM
MD
LG