Lidhje

Bërns: Shtetet e Bashkuara do të luajnë rol qendror në procesin e statusit të Kosovës


Nënsekretari amerikan i shtetit për çështje politike Nicholas Bërns, tha sot në Prishtinë se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol thelbësor në procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe se do të përkrahin popullin e këtij rajoni në përcaktimin e të ardhmes së tij.

Ai i bëri këto komente gjatë vizitës së tij në Prishtinë gjatë së cilës është takuar me udhëheqësit kryesor të institucioneve, partive politike, komunitetit serb dhe pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Ambasadori Bërns tha se viti 2005 është periudhë e ndryshimeve dhe se “status quo-ja” është e paqëndrueshme, prandaj duhet të ketë një proces të ecjes përpara. Tani tha ai, ka një vullnet të komunitetit ndërkombëtarë dhe posaçërisht të Grupit të Kontakti se ka ardhur koha për të lëvizur përpara. Nëse i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kai Aide vlerëson se është koha, atëherë shtetet e Bashkuara do të mbështesin fillimin e bisedimeve për të statusin përfundimtar.

“Pikëpamja amerikane është se nëse gjërat shkojnë në drejtimin e duhur, atëherë do të ketë bisedime për statusin dhe Shtetet e Bashkuara do të përkrahin plotësisht popullin e këtij rajoni për të përcaktuar të ardhmen e tij”, tha zoti Bërns.

Ai theksoi se populli i Kosovës është ai që do të përcaktojë të ardhmen e tij dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të imponojnë asnjë zgjidhje, por presin një kompromis që do të çojë drejt paqes.

“Shtetet e Bashkuara synojnë të kenë një rol qendror duke emëruar një diplomat të lartë amerikan që të jetë pjesë e ekipit negociator ndërkombëtarë që pritet të jetë i udhëhequr nga evropianët meqë Kosova është pjesë e Evropës”.

Shtetet e Bashkuara, tha ai do të jenë të përfshira në proces në aspektin diplomatik por edhe ushtarak, meqë ato do të vazhdojnë me praninë ushtarake si simbol i përkushtimit ndaj një Kosove paqësore dhe të sigurt.

Ambasadori Bërns shfaqi shpresën e fuqishme se “procesi do të dëshmojë që të gjitha palët janë të përkushtuara për të punuar në procesin e decentralizimit, në vendosjen e tolerancës për të gjitha grupet etnike dhe për të drejtat e të gjitha pakicave që jetojnë në Kosovë. Posaçërisht shpresojmë se shumica shqiptare do të ngrihet e të thotë se serbët kanë të drejtë të jetojnë dhe të kthehen në Kosovë”, tha zoti Bërns.

Ai tha se do të ishte tragjike dhe ironike që gjashtë vjet pas mbrojtjes së suksesshme të popullatës shqiptare në vitin 1999 të kemi një situatë kur pakicat duhet të frikësohen.

Në orët e pasdites ai vizitoi disa familje serbe në komunën e Obiliqit, të kthyera pas trazirave të muajit mars të vitit të kaluar.

Ai tha se qytetarët serbë meritojnë të kenë ndihmë dhe të trajtohen me respekt nga autoritetet. Ata tha si duhet të jenë në gjendje të flenë natën pa frikë nga provokimet dhe Shtetet e Bashkuara do të mbështesin gjithmonë një Kosovë të ardhme ku të drejtat e serbëve do të jenë të respektuara sikurse edhe të drejtat e pakicave të tjera.

Duke i falënderuar banorët serb për mikpritjen, ai shprehu pikëllimin e tij me faktin se siç tha këta njerëz nuk janë trajtuar si duhet në të kaluarën dhe se ishte krim kur shtëpitë e tyre u dogjën, prandaj autoritetet duhet t'u ndihmojnë atyre dhe qeveria amerikane do të angazhohet për këtë.

Ambasadori Burns, pas Prishtinës do të qëndrojë në Beograd, ku udhëheqësve të atjeshëm siç tha do tu bëjë thirrje që të luajnë një rol konstruktiv në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Vizita e sotme e ambasadorit Burns është vlerësuar shumë e rëndësishme në Kosovë ku roli amerikan cilësohet si i domosdoshëm për zgjidhjen e çështjes së saj.

XS
SM
MD
LG