Lidhje

SHBA do të vazhdojnë të ndihmojnë Shqipërinë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë


Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë Fatmir Xhafaj ndodhet për një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara gjatë së cilës ai është takuar me zyrtarë amerikanë të drejtësisë, dhe të enjten, para largimit, ka takime në Departamentin e Shtetit. Të martën zoti Xhafaj, u takua me Prokurorin e Përgjithshëm, siç njihet Sekretari amerikan i Drejtësisë, Alberto Gonzales. Intervistë e Ministrit të Drejtësisë Fatmir Xhafaj për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa, cili ishte synimi i takimit me Priokurorin e Përgjithshëm Alberto Gonzales?

Fatmir Xhafaj: Takimi me zotin Gonzles ishte një takim pune që u zhvilu anë zyrërn e tij dhe ishte i përqëndruar kryesisht në bilancin e procesit të reformave në Shqipëri, çështjet që janë duke u trajtuar në proces dhe nevoja për më shumë ndihmë, për më shumë mbështetje nga qeveria amerikane dhe në mënyrë të veçantë nga Departamenti i Drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafaj, Shqipëria ishte ndër shtetet e para që u rreshtuan përkrah Shteteve të Bashkuara në luftën globale kundër terrorizmit. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se marrëdhëniet me Shqipërinë janë shumë të mira. Në sektorin që ju mbuloni, ku është përqëndruar kryesisht bashkëpunimit me palën amerikane?

Fatmir Xhafaj: Gjatë takimit të djeshëm, ajo që më bëri të ndihem mirë, ishte një nga deklaratat e zotit Gonzales, i cili shprehimisht tha se “vendi juaj ka qënë një partner shumë i mirë për ne dhe besoj se do të vazhdojë të jetë kështu edhe në të ardhmen”, duke mbajtur në konsideratë marrëdhëniet e përgjithshme midis dy vendeve, midis dy qeverive tona, gjatë kësaj periudhe dhe natyrisht edhe procesin e reformave dhe bashkëpunimin që kemi pasur në sistemin e drejtësisë. Pala amerikane ka qënë e pranishme përmes misioneve të saj, përmes misioneve të asistencës teknike dhe financiare që janë në Tiranë, ose nëpërmjet ekspertëve të dërguar drejtëpërdrejtë nga Departamenti i Drejtësisë në procesin e reformave ligjore dhe institucionale që janë zbatuar në këtë periudhë ndryshimesh të rëndësishme. Ajo që është pozitive, është fakti që zoti Gonzales më siguroi në emër të tij, në emër të Departamentit të Drejtësisë dhe të qeverisë amerikane, se kjo mbështetje nuk do t’i mungojë palës shqiptare edhe në të ardhmen. Ne diskutuam edhe për çështje konkrete, për projekte konkrete dhe për nënshkrimin e marrëveshjeve të përbashkëta nëpërmjet dy palëve, siç është marrëveshja për ekstradimin, e propozuar nga pala shqiptare dhe që pala amerikane e ka gjetur me vend që të nënshkruhet së afërmi.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhafa, sipas anketave, apo raporteve të ndryshme për Shqipërinë, sistemi i drejtësisë figuron si më problematiku, ku gjykatësit dalin më të korruptuarit dhe besueshmëria tek drejtësia është ndër më të ultat. Ligjet dhe mekanizmat e duhura, për të ndeshkuar gjykatësit e korruptuar në Shqipëri duket se nuk po japin rezultat. A janë këto mekanizma kontrolli të pamjaftueshëm? Çfarë e pengon goditjen e korrupsionit në drejtësi?

Fatmir Xhafaj: Së pari duhet të ndajmë dy çështje në pyetjen tuaj. Unë nuk mendoj se drejtësia është më problematiku, por në këtë fushë ka ende probleme të ndjeshme, që lidhen me efikasitetin e sistemit, me kërkesën për më shumë cilësi në dhënien e drejtësisë dhe kryesorja, ajo që thatë ju me të drejtë, besueshmëria e publikut ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë. Një prej elementëve është edhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë, tek gjyqtarët, tek prokurorët, tek adminsitrata. Ky është një problem shqetësues që përbën ndoshta thelbin e ndryshimeve që po kërkojmë të bëjmë në sistmein aktual të drejtësisë, në mënyrë që çështjet e luftës kundër korrupsionit të trajtohen me efektivitet nga ana e jonë, duke i kushtuar më shumë rëndësi profesionalizmit, sistemit të karrierës, vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe natyrisht duke konsideruar gjithashtu të rëndësishme masat disiplinore. Mjafton të theksoj faktin se vetëm gjatë këtij viti janë marrë disa masa të rëndësishme procedimesh disiplinore në sistemin gjyqësor, në Gjykatën e Apelit në Tiranë dhe në gjykatat e tjera të vendit. Natyrisht që ne ende nuk jemi të kënaqur me këtë fakt, sepse nuk po shikojmë frytet që do të dëshironim të kishim në këtë aspekt.

Zëri i Amerikës: Për Shqipërinë është thënë shpesh se problemi kryesor përsa u përket ligjeve nuk është mungesa e tyre, por shkalla e ulët e zbatimit të ligjeve. Kohët e fundit Ministria e Drejtësisë është vlerësuar pozitivisht për hapat e ndërmarrë në fushën e reformimit të sistemit të drejtësisë, megjithatë respektimi i ligjeve mbetet problem. Si mund të dilet nga kjo gjëndje? Si mund të bëhen ligjet në Shqipëri më të zbatueshëm?

Fatmir Xhafaj: Së pari është e rëndësishme që të kesh ligje të mira, që të mund t’i zbatosh. Procesi kryesor, prioriteti ku ne kemi qënë të fokusuar, ka qënë pikërisht hartimi i një legjislacioni bashkëkohor, që është me standartet më të përparuara ndërkombëtare. Por akoma më e rëndësishme është çështja e zbatimit të legjislacionit, që lidhet nga njera anë sa me edukatën, me respektin e ligjit nga qytetarët, por kryesorja me nevojën për një punë më të mirë të agjencive zbatuese të ligjit, të institucioneve të sistemit të drejtësisë, që merren drejtëpërsëdrejti me zbatimin e ligjit.

Zëri i Amerikës: Në fund të vitit të kaluar Shqipëria miratoi një paktë-ligjore anti-mafia për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. A ka patur deri më sot rezultat kjo paketë ligjore?

Fatmir Xhafaj: Siç e thatë edhe ju, kjo paketë është miratuar në fund të vitit të kaluar dhe është normale që miratimi në parlament të shoqërohet edhe me një sërë aktesh nënligjore, por më duhet të them me kënaqësi, që ne sot kemi një sërë rezultatesh, një sërë operacionesh konkrete të policisë shqiptare të rezultuara me shumë sukses dhe drejtëpërsëdrejti ose në bashkëpunim me partnerët tanë, si rezultat i hapësirave, i mundësirave proceduriale që krijoi ky ligj, që simbolikisht është quajtur paketa anti-mafia, por, që është një tërësi ndryshimesh legjislative në kodin penal, në kodin e procedurës penale dhe një ligj i veçantë që është për masat në luftën kundër krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG