Lidhje

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit mbi Trafikimin e Njerëzve


Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin e fundit mbi Trafikimin e Njerëzve. Nëntë vende, përfshi Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin dhe Arabinë Saudite i janë shtuar listës së vendeve që nuk kanë bërë përpjekje për të luftuar trafikun njerëzor për punë të detyruar. Ambasadori John Miller është drejtori i zyrës për Ndjekjen dhe Luftën kundër trafikut njerëzor në Departamentin e Shtetit:

“Puna e detyruar mund të përfshijë punonjës të huaj që përfundojnë në kushtet e skllavërisë apo fëmijë që jetojnë po në kushtet e skllavërisë dhe detyrohen të bëjnë gara me deve në kushte shumë të rrezikshme”.

Në Katar, qeveria nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme për të shpëtuar gati 75 deri në 250 fëmijë që përdoren në gara devesh. Nuk ka patur asnjë ndjekje penale të personave të përfshirë në trafikun e djemëve që përdoren në gara të tilla. Fëmijët janë rëzuar nga devetë dhe kanë pësuar dëmtime serioze që disa herë kanë rezultuar në vdekje. Shumica e tyre nuk mbajnë mend se nga kanë ardhur.

Fëmijët e trafikuar në Emiratet e Bashkuara Arabe përdoren gjithashtu në garat me deve. Njoftohet se disa prej tyre nuk ushqehen sa duhet për të mos marrë peshë, disa herë abuzohen fizikisht dhe seksualisht dhe u mohohet arsimi dhe kujdesi shëndetësor. Qeveria në Emiratet e Bashkuara Arabe llogarit se në atë vend ka gati 2 mijë e 700 fëmijë të tillë. Gjithashtu gratë nga Azia Qendrore, Evropa Lindore, Jugore, Juglindore dhe Azia Lindore trafikohen në Emiratet e Bashkuara Arabe për shfrytëzim seksual.

Kuvajti është gjithashtu një destinacion për burrat, gratë dhe fëmijët e trafikuar kryesisht nga Bangladeshi, India, Indonezia, Pakistani, Filipinet dhe Sri Lanka për punë të detyruar. Disa djem nën moshën për të punuar trafikohen në Kuvajt nga shtetet fqinje të Gjirit Persik për të punuar si xhonglerë devesh.

Fëmijët nga Jemeni, Afganistani dhe Afrika trafikohen në Arabinë Saudite për të punuar si lypsa. Arabia Saudite është gjithashtu destinacioni për gratë dhe burrat nga Azia Jugore dhe Lindore dhe Afrika Lindore që trafikohen për punë të detyruar.

Përmes raportit për Trafikun Njerëzor, Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar qeveritë e Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit dhe Arabisë Saudite të miratojë ligje për të ndëshkuar trafikantët e qënieve njerëzore, veçanërisht fëmijët. Siç ka thënë presidenti Bush “tregëtia e qënieve njerëzore për çfarëdo qëllimi nuk duhet të lejohet të lulëzojë. Ne duhet të punojmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj tragjedie të tmerrshme”.

XS
SM
MD
LG