Lidhje

Shtatë kandidatë socialistë dhanë dorëheqjet nga postet shtetërore


Partia Socialiste deklaroi sot se kandidatët e saj janë duke zbatuar Kodin Zgjedhor me një seri dorëheqjesh nga detyrat shtetërore që mbajnë.

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe zëdhënësi i fushatës së PS, Blendi Klosi, tha se përkundër refuzimit të disa kandidatëve opozitarë për t’u larguar nga postet, kandidatët socialistë po veprojnë në përputhje me ligjin. “Janë tashmë një numër zyrtarësh të Partisë Socialiste që kanë dhënë dorëheqjen. Janë pesë prefektë që në bazë të Kodit Zgjedhor kanë dhënë dorëheqjen. Po ashtu është edhe një drejtues i lartë i policisë dhe një drejtues i radio-televizionit publik” - tha zoti Klosi. Ai foli për rëndësinë që partia e tij u ka dhënë disa debateve që mendohet të organizohen midis kryetarit të PS, Fatos Nano, dhe kryetarit të PD, Sali Berisha, duke hedhur poshtë idenë e këtij të fundit për të zhvilluar vetëm një debat televiziv.

Zëdhënësi socialist theksoi se vetëm një debat, siç kërkon opozita, është i pamjaftueshëm për të diskutuar aq shumë tema të politikës së brendshme ekonomiko-sociale, dhe të politikës së jashtme për integrim në BE dhe NATO. “Fushata jonë është e bazuar në fakte dhe në zgjidhje. Dy liderët duhet të japin fakte dhe të lënë të qetë votuesit për të bërë zgjedhjen e tyre. Ne kërkojmë që këto debate të jenë më shumë se një - të jenë minimalisht dy debate - dhe të jenë sa më shpejt. Ne propozojmë që debati i parë të mbahet javën tjetër, dhe për të lënë garuesit në fushatë zgjedhore të orientohen në bazë të mesazheve të qarta”- tha zoti Klosi.

Përfaqësues të drejtuesve të dy partive më të mëdha politike janë duke projektuar debate televizive mes zotërinjve Nano e Berisha, por ende nuk ka njoftime të sakta për temat e debatueshme, numrin e raundeve të debateve apo për stacionin televiziv ku mund të mbahen ato. Zëdhënësit e tyre deri tani kanë spekulluar vetëm rreth faktit se kush e nisi ftesën për debat më parë nga tjetri, dhe se kush e pranoi apo jo me kushte apo pa kushte atë.

XS
SM
MD
LG