Lidhje

Meta: Nuk përjashtojmë koalicionin me PS-në, por jo me monopolistët që kryeson zoti Nano


Kryetari i Lidhjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta thotë se manovrat e Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike rrezikojnë procesin zgjedhor dhe institucioneve që do të dalin pas zgjedhjeve të 3 korrikut. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Meta shpjegoi se pse mendon se partia e tij do të fitojë në zgjedhje.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta çfarë të reje sjell parti juaj në ndryshim nga partitë e mëdha në zgjedhjet e 3 korrikut?

Ilir Meta: Mendoj se Lëvizja Socialiste për Integrim gjatë gjithë kësaj periudhe që është krijuar, ka sjellë risi të vazhdueshme të cilat partitë e tjera janë përpjekur për t’i imituar. Unë mund t’ju them me bindje të plotë se Lëvizja Socialiste për Integrim, është e vetmja forcë politike që po tregon seriozitet dhe integritet për të respektuar kushtetutën e vendit, për të respektuar Kodin Zgjedhor, për të mos hyrë në manovra të turpshme që shkatërrojnë legjitimitetin e procesit zgjedhor, siç është fenomeni tashmë i mega-Dushkut, i aplikuar jo vetëm nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, por edhe nga shumë parti të tjera që janë rreshtuar në krah të tyre duke humbur identitetin e tyre. Pra mendoj se LSI-ja, praktikisht është e vetmja forcë politike e cila po bën diçka për të ruajtur frymën kushtetuese të procesit zgjedhor dhe përfaqësimit politik të qytetarëve shqiptarë, si edhe e vetmja forcë politike që edhe përsa i takon renditjes në proporcional të kandidatëve të saj aplikon bashkimin e votave, si të kandidatit, ashtu edhe të subjektit, duke mos bërë diferencime, apo devijime, të cilat janë realisht deformime të gjithë procesit zgjedhor në vend. Dhe se dyti mendoj se (LSI-ja) po manifeston një kulturë të re demokratike dhe politike dhe po sfidon mjaft qartë politikën e vjetër të dy partive të lodhura të partisë së zotit Nano dhe zotit Berisha.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, juve përmendët skemat dhe sistemin zgjedhor. Mesa duket deri tani, ky sistem nuk e favorizon partinë tuaj, duke patur parasysh se partitë e mëdha do të përpiqen që me këtë sistem të kënaqin aleatët e tyre të vegjël. Si ndjeheni ju në një pozicion të tillë?

Ilir Meta: Unë kam bindje të plotë se manovrat që po bëjnë dy partitë, rrezikojnë seriozisht integritetin e procesit zgjedhor dhe të gjithë institucioneve që do të krijohen pas 3 korrikut. Ne e dimë shumë mirë se aplikimi i kësaj manovre, vetëm në një zonë, atë të Dushkut, katër vjet më parë, solli çrregullime të mëdha për funksionimin e institucioneve në vend dhe disa zgjidhje të imponuara, siç ishte zgjedhja e presidentit konsensual, vonimi i hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian e kështu me radhë. Besoj se aplikimi i kësaj skeme në shkallë kombëtare, do të sjellë pasoja edhe më të mëdha për vendin. Përsa u takon pasojave që kjo mund të ketë në përfaqësimin politik të LSI-së, unë mendoj se kjo realisht dëmton ato forca politike të cilat nuk janë në gjendje të konkurrojnë në maxhoritar dhe jam i bindur se si rezultat i kësaj manovre që po bëjnë këto parti deri tani në parlamentin shqiptar, jam plotësisht i sigurt se pas zgjedhjeve të 3 korrikut, harta politike dhe renditja e forcave politike në Shqipëri do të ndryshojë tërësisht dhe për këtë bindja ime është në suksesin e kandidatëve tanë drejtpërdrejt, në maxhoritar në zgjedhjet e 3 korrikut.

Zëri i Amerikës: Zoti Meta, sipas analizave dhe në bazë të sondazheve të deritanishme, partia juaj mund të ketë rol vendimtar, përsa i takon balancës së forcave politike pas zgjedhjeve. A do ta pranonit ju një bashkëpunim, një koalicion me Partinë Socialiste pas zgjedhjeve dhe nëse po çfarë kushtesh do të kishit për një bashkëpunim të tillë? Ilir Meta: Së pari dua të shpreh rezerva të thella për sondazhet që janë bërë deri tani, për faktin se disa prej tyre kanë krijuar kontestime serioze, edhe përsa i takon integritetit të mënyrës të të afirmuarit pra të institucioneve që i kanë bërë ato dhe më pas për kontestimet e ardhura nga qendra shumë serioze siç është rasti i debatit mes Gallup Organization dhe Gallup International dhe po kështu dua t’ju siguroj se ekziston ende një mungesë tradite në këtë drejtim dhe për sa u takon atyre që i bëjnë sondazhet, të cilat pavarësisht nga emrat e institucioneve të huaja, gjithmonë bëhen nëpërmjet shqiptarëve, dhe për sa u takon vetë qytetarëve shqiptarë , për të cilët jam i bindur se janë akoma nën kushtet e një presioni dhe një ndrydhjeje psikologjike për të mos shperhur lirisht bindjet e tyre politike, gjë që unë jam i bindur që do ta bëjnë sidoqoftë në kutitë e votimit me 3 korrik. Pra, jam plotësisht i bindur se rezultati i LSI-së do të jetë disa herë më i lartë se sondazhet që janë bërë publike deri tani, dhe këtë e them në bazë të sondazhit të përditshëm që ne po bëjmë në të gjithë Shqipërinë, dhe për i takon problemit të koalicionit pas zgjedhjeve, unë mund t’ju them se objektivi i LSI-së është për të dalë forca e parë politike në këto zgjedhje, pra është për t’i fituar këto zgjedhje, dhe për sa u takon koalicioneve kjo është një çështje që mbetet për t’u shikuar pas rezultatit të zgjedhjeve. Lidhur me një aleancë të mundshme me Partinë Socialiste, sigurisht që ne nuk kemi ndonjë arsye të caktuar për ta përjashtuar një gjë të tillë, por e kemi bërë të qartë se nuk mund të ketë koalicion me grupimin e monopolistëve që përfaqëson kryetari aktual i PS-së, zoti Nano. Sidoqoftë, zgjedhjet e 3 korrikut janë një shans i madh për të gjithë shqiptarët, që t’i japin mundësi edhe zotit Nano edhe zotit Berisha, që po të humbin në këto zgjedhje të mbajnë premtimet e tyre për t’iu kthyer jetëve të tyre private dhe për t’i lënë të lirë shqiptarët, së bashku me të gjithë forcat e tjera politike, për të ndërtuar fatin e përbashkët evropian të këtij vendi.

Zëri i Amerikës: Në fushatën tuaj ju po sulmoni PS-në dhe kryeministrin Nano, ndërkohë që ju dhe disa nga drejtuesit e LSI-së keni qenë pjesë e kësaj partie dhe kësaj qeverie. A mbani ju vetë dhe këta drejtues përgjegjësi ndërkohë që keni bërë pjesë në qeveri deri jo shumë vonë?

Ilir Meta: Së pari, besoj se është e qartë se ne kemi vënë në një plan të përbashkët, si zotin Nano, ashtu edhe zotin Berisha, njëkohësisht edhe forcat politike që ata përfaqësojnë, të cilat janë personalizuar totalisht prej tyre. Nano dhe Berisha tashmë përfaqësojnë një fenomen të përbashkët në Shqipëri. (Ata) nuk mund të prodhojnë më asnjë të ardhme dhe nuk mund të ndihmojnë Shqipërinë të bëjë asnjë hap përpara përtej këtij rrethi vizioz që ata kanë krijuar gjatë këtyre 15 viteve, kur si me sherret e tyre ashtu edhe me dashuritë e tyre, janë bërë një pengesë serioze për ndërtimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe të një ekonomie e cila ecën përpara dhe u jep shanse të gjithëve. Lidhur me përgjegjësitë që mund të kem patur unë, apo drejtues të tjerët të LSI-së në të kaluarën, jam i bindur se në përgjithësi të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë që unë kam patur, i kam kryer me përkushtim të lartë dhe me rezultate konkrete, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Mund t’ju them se ka kohë që unë kam kërkuar që të rishikohet politika e qeverisë së Partisë Socialiste dhe kjo ka gati tre vjet. Ka kohë qe ne kemi patur mospajtime serioze me zotin Nano, me lidershipin aktual të Partisë Socialiste. Përsa i takon dështimit të politikës ekonomike në vend, rritjes së varfërisë, dështimit të strategjisë për zhvillimin ekonomik dhe social dhe unë kam paralajmëruar prej gati 2-3 vjetësh se nuk do të mbyllej marrëveshja e asociim-stabilizimit me këtë politikë të qeverisë aktuale, e cila është e drejtuar në mbrojtje të interesave të grupeve të caktuara ekonomike, e cila është një politikë që ndrydh institucionet, që i vë ato në fuksion të individeve të caktuara dhe interesave të grupeve, pra një qeverisje tërësisht e dështuar që e tregon shumë qartë vetë ngrirja e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG