Lidhje

FBI-ja merr masa për të përballuar kërcënimet e terrorizmit


Byroja Federale e Hetimeve ka qënë agjencia kryesore e ruajtjes së rendit në Shtetet e Bashkuara për më shumë se një shekull. Tani ajo po merr masa për të përballuar kërcënimet e trerrorizmit ndërkombëtar në shekullin e 21-të. Përgjegjësitë e kësaj agjencie shtrihen nga mbrojtja e lojrave të bejsbollit në qytetet amerikane deri tek bashkëpunimi me autoritetet e policive të huaja për të identifikuar kërcënimet nëpër botë.

Kjo është Shtëpia e Bardhë në Uashington. Drejtori i FBI-së, Robert Mueller sapo ka dalë nga takimi ditor informativ me presidentin. Përsëri sot lufta kundër terrorizmit ishte në krye të rendit të ditës. “Përgjithësisht takimet e të hënës janë më të gjata, sespe diskutojmë edhe për fundin e javës. Çdo gjë shkoi mirë”.

Zoti Mueller drejton punën e agjentëve në të 50 shtetet amerikane dhe në 52 vende. Por megjithë burimet që ai ka nën komandë, krimet e rënda zakonisht ndodhin pa paralajmërim. Por FBI-ja nuk u përgjigjet ngjarjeve vetëm kur ato ndodhin. Ajo është gati edhe për t’i parandaluar ato.

Ndërkohë që gjithnjë flitet për sulme, agjenti special Scott Nawrocki i njësisë së FBI-së kundër terrorizmit është caktuar të mbrojë lojën e futbollit mes ushtrisë dhe marinës. Së shpejti stadiumi do të mbushet nga 80 mijë njerëz, duke përfshirë edhe ushtarë, kadetë dhe ushtarakë të lartë. Ai mund të jetë një objektiv sulmi. “Puna ime është të integroj veprimet e agjencive federale, shtetërore dhe lokale të ruajtjes së rendit, për të garantuar sigurinë e këtij aktiviteti, për të parandaluar ose përballuar ndonjë sulm terrorist”.

Nawrocki ka përballë sfidën më të madhe të karierës së tij. Ndërsa kanë mbetur vetëm pak javë nga zhvillimi i ndeshjes, ai duhet të jetë i përgatitur për të përballuar armikun e padukshëm. E njëjta gjë pritet edhe nga Ekipi i FBI-së për neutralizimin e materialeve të rrezikshme, që ka qënë në gjendje të lartë gatishmërie pas vdekjes së pesë vetëve nga antraksi në disa qytete amerikane.

Për gjashtë vjet me radhë, agjenti special John Scarback, është stërvitur për të përballuar një sulm të tillë, sado i largët që të duket ai. Që nga ato sulme, manovrat e vazhdueshme të Scarbeck-ut nuk duken më teorike. “Ne kemi përballë një armik të padukshëm. Ai mund të jetë në formën e agjentëve kimikë me pasoja toksikuese, mund të jetë agjent biologjik apo edhe bërthamor. Kjo është një situatë e frikshme, por duhen marrë masa për t’i parandaluar ose goditur ato në kohë”.

Ndërsa Scarbecku dhe ekipi i tij mbron qytetet amerikane, agjenti special Mike Dorris, punon në udhëkryqet e Stambollit si atashe ligjor i FBI-së në Turqi. Mendohet se terroristët e shfrytëzojnë Turqinë si pikë kalimi në Perëndim. Dorris është në ndjekje të kriminelëve më të rrezikshëm të botës, i armatosur me celularin e tij dhe familjaritetin me qytetin. “Ky është një vend tepër interesant për të jetuar dhe punuar. Por kur shkon në vende si Turqia dhe ballafaqohesh me kulturën bizantine, sheh se ajo është tepër e huaj për ne, si për sa i përket ruajtjes së rendit ashtu edhe kontakteve njerëzore. Unë kam një status të ngjashëm me atë të diplomatit. Por që të bëj punën time në një vend të huaj si ky, më duhet bashkëpunimi i zyrtarëve të policisë vendase. Pa mbështetjen e tyre, unë nuk mund të dal as nga zyra ime”.

Kudo që ndodhen, agjentët e FBI-së mbjanë lidhje me Uashingtonin. Në katin e pestë të ndërtesës së FBI-së, ku hyhet vetëm me leje të posaçme, është Qendra Strategjike e Inforimit dhe Operacioneve, ku ndodhen linjat telefonike dhe kompjuterët që lidhin Byronë me agjentët në terren. Në Quantico të Virxhinias ndodhet Akademia e FBI-së ku diplomohen agjentët e rinj të kësaj Byroje.

XS
SM
MD
LG