Lidhje

Ambasadori Kai Aide mbërriti në Prishtinë për vlerësimin e standarteve


Ambasadori Kai Aide i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan për vlerësimin gjithëpërfshirës të standardeve, arriti pas dite në Prishtinë.

Në aeroportin e Prishtinës ai tha se vlerësimi i standardeve është vetëm njëra pjesë e misionit të tij, ndërsa pjesa tjetër më e rëndësishme është vlerësimi i gjendjes politike. Ai tha se do të vizitojë zona të ndryshme në terren për të parë dhe dëgjuar njerëzit për të krijuar një pasqyrë më të mirë të zhvillimeve në terren.

Zoti Aide tha se gjatë dy ditëve të ardhshme do të takohet me udhëheqësit kryesor politik ndërkombëtarë dhe vendas, ndërsa gjatë javës do të udhëtojë edhe në Beograd prej ku do të kthehet sërish në Kosovë për të vizituar disa pjesë të Kosovës. Ai tha se misioni i tij është më i gjerë sesa vlerësimi i standardeve dhe do të jetë tërësisht i pavarur nga Misioni i Kombeve të Bashkuara.

Misioni i zotit Aide cilësohet thelbësorë për të ardhmen e Kosovës, meqë në bazë të tij do të vendoset për hapjen e bisedimeve për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.

XS
SM
MD
LG