Lidhje

Programi Fullbrajt dhe shkëmbimet shkencore Shqipëri-SHBA


Programi Fullbrajt po shton gjithnjë e më shumë radhët e shkenctarëve të rinj shqiptarë me mundësinë që u jep për të thelluar studimet në SHBA. Si një ndihmë e madhe për reforma në universitetet shqiptare, Fullbrajt është një program i dyanshëm, që sjell studiues shqiptarë në SHBA si edhe studiues amerikanë në Shqipëri.

Një prej tyre është edhe Dritan Zela që ka hapur edhe kursin e bio-matematikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore në Tiranë. Dritan Zela është kthyer të japë mësim në auditoret e Fakultetit të Shkencave Natyrore, ku në vitin 1991 ishte një nga studentët më të mirë të matematikës.

Pas 12 vjet emigrimi në SHBA, ku mbrojti edhe doktoratën për biologjinë matematike mbi modelimin matematikor të retinës së syrit, Dritani tashmë shtetas amerikan, vlerëson lart dituritë që i dha universiteti i Shqipërisë. Profesor Zela ka ardhur këtu si studiues amerikan i programit Fullbrajt të Departamentit të Shtetit me një project 9 mujor për të parin kurs të bio-matematikës në Fakultetin e Shkencave, një përpjekje për të ndihmuar rritjen akademike dhe kulturore të universitetit shqiptar. “Ndonjëherë ne akuzohemi si idealistë apo si naivë. Ne si pedagogë të rinj e pranojmë me kënaqësi atë epitet. Shqipëria ka nevojë për idealistë, për njerëz që ëndërrojnë, që duan t’i japin sa më shumë këtij vendi”- thotë Zela.

Ai thotë se pritja dhe ndihma që po i japin në Fakultetin e Shkencave Natyrore është po aq e jashtëzakonshme sa edhe dëshira që kanë pedagogët këtu për të bërë punë shkencore, megjithë mungesat teknike.

Pjesë e këtij programi janë edhe disa organizata ndërkombëtare të fuqishme shkencore që kanë dhuruar pajisje për modernizimin e fakultetit. “Unë kam sjellë pajisje dhe programe nga më modernet. Organizata dhe institucione nga më prestigjozet siç është Mathworks, Mapple, Texas Instruments kanë ndihmuar në këtë përpjekje duke sjellë rreth 30 mijë dollarë amerikanë pajisje për Fakultetin e Shkencave Natyrore”- thotë Zela.

Në fillim të viteve 90, një pjesë e mirë e stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Natyrore u largua në drejtime të ndryshme ndaj edhe Fakulteti ka një numër të konsiderueshëm pedagogësh të rinj, që kanë kryer studime jashtë shtetit. “Ne kemi forca shkencore jashtë, dhe duhet t’i angazhojmë, por për këtë duhet mbështetje dhe një punë më sistematike. Për mua, angazhimi i gjithë të rinjve do të ishte mjaft me vlerë dhe do ta shpejtonte shumë ritmin e ndryshimeve në Shqipëri”- thotë Dekani i Fakultetit, prof. Llukan Puka.

Zoti Puka thotë se po bëhen të gjitha përpjekjet që të gjallërohet mjedisi shkencor në Fakultetin që mban një peshë të konsiderueshëm në zhvillimin e dijes dhe shkencës në Shqipëri. “Kjo punë nuk duhet të jetë spontane, por duhet të jetë mjaft më sistematike, gjë që kërkon elementë organizativë, qoftë nga ne, por edhe nga instanca të tjera”- thotë zoti Puka. Studentët shqiptarë të Programit Fullbrajt janë disa qindra në Shqipëri. Ata madje kanë edhe shoqatën e tyre.

Pedagogia e gjuhësisë në Fakultetin e Filologjisë, Linda Meniku, ka kryer në SHBA studimet më të veçanta në fushën e saj, dhe madje ka dhënë mësim mbi gjuhën shqipe me disa grupe studentësh amerikanë. “Në Universitetin e Arizonës vijnë studentë amerikanë të cilët janë të interesuar për të vazhduar studimet e tyre në gjuhën shqipe, ose në fusha të ndryshme që lidhen me Shqipërinë. Nuk janë vetëm linguistë, ata merren me muzikë, arkeologji, histori etj. Një pjesë e tyre vijnë edhe si fullbrajtistë në Shqipëri. Në këtë periudhë janë në Shqipëri dy fullbrajtistë amerikanë që studiuan gjuhën shqipe në Universitetin e Arizonës verën e kaluar dhe që studiojnë këtu për shkencat gjeologjike dhe për muzikë”- thotë zonja Meniku.

Në një nga takimet e shoqatës së fullbrajtistëve, ambasadorja amerikane Marsi Ris, siguroi auditorin për vazhdimin e ndihmës dhe mbështetjen e qeverisë amerikane për universitetet shqiptare, dhe u kërkoi studentëve të programit Fullbrajt të kontribuojnë në zhvillimin e vendit të tyre. “Ju duhet të përdorni gjithçka që keni mësuar për të mirën e institucioneve ku punoni dhe për të mirën e vendit në përgjithësi. Dëshiroj të dëgjoj në të ardhmen për ju të tjera histori suksesi në progresin që shoqëria shqiptare po bën, ashtu edhe në zhvillimin që do të marrë në të ardhmen”- thotë ambasadorja Ris.

Kështu, pedagogët e rinj të programit të dyanshëm Fullbrajt tregojnë me punën e studimet e tyre se tashmë gjenden lidhje dhe një bashkëpunim i ngushtë shqiptaro-amerikan edhe në fushën e arsimit universitar.

XS
SM
MD
LG