Lidhje

Dashamir Shehi:  LZHK, LSI  më të dëmtuarat nga kodi elektoral


Intervistë e Drejtuesit elektoral të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Shehi para se të ndalemi tek programi, platforma dhe ecuria e fushatës elektorale për Lëvizjen tuaj, a mund të na jepni një reagim mbi shqetësimin që ka shprehur këto ditë Kryetari i KQZ-së, Ilirian Celibashi mbi vonesat në dorëzimin e materialeve zgjedhore. Sa serioz është shqetësimi i tij?

Dashamir Shehi: Unë gjykoj se është serioz, se në fakt ka shumë zona elektorale, në të cilat akoma nuk janë listat zgjedhore. Madje edhe këtu në kryeqytet, vetëm pak ditë më parë, janë bërë të dukshme listat zgjedhore, që në fakt duhet të ishin bërë të ditura prej kohësh. Nga kjo pikëpamje gjykoj që zoti Celibashi ka të drejtë. Brenda tri javëve do të votohet dhe jam absolutisht i bindur se ka zona që ka vonesa.

Zëri i Amerikës: Zoti Shehi, Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar është një aleancë e disa partive rreth Lëvizjes Legaliteti, që është rreshtuar në të djathtën e spektrit politik. Çfarë i ofroni ju elektoratit, që ju dallon nga partitë e tjera të djathta, të grupura në koalicion përreth Partisë Demokratike?

Dashamir Shehi: Në radhë të parë do të shpjegoja se Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar, nuk është një aleancë përqark Legalitetit. Është një aleancë politike, është elektorale, që del mbi partitë. Ka brenda tri parti që janë parlamentare për t’u regjistruar, pjesa tjetër, rreth 80 përqind e saj, është shoqëria civile, e cila për herë të parë merr pjesë në politikë. Ne jemi bashkuar përqark një platforme të cilën mbreti e ka shpallur rreth një vit më parë. Nga kjo pikëpamje gjykojmë që jemi forca më realisht e djathtë, sepse përreth nesh mblidhet e djathta tradicionale shqiptare, duke filluar që nga partitë si Legaliteti, shumica e ballistëve, ish pronarët, por në radhë të parë do të thoja të gjithë shqiptarët e ndershëm, që duan të bëjnë shtet.

Zëri i Amerikës: Pra çfarë ju dallon ju nga partitë e tjera që janë mbledhur rreth PD-së, që e konsiderojnë edhe ato veten të djathtë?

Dashamir Shehi: Në radhë të parë ne na dallon historia, na dallon simboli që kemi në krye. Besoj se simbol më të djathtë dhe më historik, më bashkues sesa mbreti nuk ka. Filozofi më shtet-formuese sesa ka qënë shteti i parë shqiptar i Ahmet Zogut, daç republikë, daç mbretëri, konsideroheni si të doni, besoj se nuk ka. Ne na dallojnë edhe disa pika të rëndësishme, si përsa i përket elementit të pronës, ne kërkojmë edhe dënimin me vdekje, për të vendosur rend në mënyrë definitive në Shqipëri. Përsa i përket problematikës kombëtare, nuk do të thoja se jemi nacionalistë, pasi kjo nuk është fjala më e përshtatshme për situatën e sotme në Evropë dhe në Ballkan, por sigurisht, që jemi forca më patriotike. Ne jemi për për pavarësinë e Kosovës edhe pa mbërritur standardet që kërkohen sot, sepse jemi vetë në Shqipëri, që e ka statusin prej shumë vitesh dhe standardet nuk i mbërrijmë dot, aq më pak një vend si Kosova nuk mund t’i mbërrijë. Kërkojmë që çështja çame të mos mbyllet, pa gjetur një zgjidhje definitive, qoftë politike, qoftë morale, qoftë edhe ekonomike. Do me thënë, kemi shumë pika që na ndajnë dhe gjykojmë se parulla që kemi: “Ne Bëjmë Shtet”, është në thelb, ajo që ka më shumë nevojë Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Cili është qëndrimi i Lëvizjes tuaj lidhur me politikat sociale?

Dashamir Shehi: Ne për politikat sociale kemi një program të tërë. Në radhë të parë ne do të theksonim çështjen e arësimit. Shqipëria ka 25 përqind të popullsisë nën moshën 20 vjeç. Kjo është pasuria e vetme dhe më e madhe që ka Shqipëria. Nafta e gazi, ishin përalla të një kohe tjetër. Në qoftë se nuk investohet në fushën arsimore, në qoftë se nuk investohet në edukimin e brezit të ri, i cili është e vetmja garanci që mund të na afrojë me Evropën, relativisht të plakur dhe ne kemi këtë shans, që kemi rini të madhe, në qoftë se e humbasim edhe këtë shans, sigurisht që distanca me Evropën do të vazhdojë të mbetet dhe ndoshta edhe do të thellohet. Kështu që nga kjo pikëpamje do të investojmë në radhë të parë në fushën e arësimit. Politika sociale nuk është vetëm arësimi, është një temë shumë më e madhe.

Zëri i Amerikës: Zoti Shehi, a do t’ju dëmtojë sistemi i tanishëm zgjedhor, i ashtuquajturi fenomeni i Dushkut?

Dashamir Shehi: Jo vetëm që do të na dëmtojë, por unë besoj se fenomeni i Dushkut u prodhua pikërisht për të nxjerrë nga skena politike, nga krahu i majtë LSI-në dhe nga krahu i djathtë, LZHK-në. Tani edhe të huajt kanë filluar ta kuptojnë se ky ishte kodi elektoral më i keq i prodhuar ndonjëherë, i cili po prodhon një politikë fare të paturpshme. Kryetarë partie, njerëz të cilët shkojnë e mësojnë popullin që të shkojnë të votojnë për këtë kandidatë dhe pastaj të shpërndajnë votat për parti të tjera. Praktikisht procesi moral i votimit, po shkatërrohet që në parim. Kjo është ndërtuar në radhë të parë për të eliminuar, për të dëmtuar atë listë 40 vendshe të proporcionalit, i cili në një farë mënyre duhej të korrigjonte këto padrejtësi që janë sot. Ne mendojmë që na dëmton, por ne do të shkojmë të ponderojmë politikisht, brenda politikës shqiptare, aq sa është proporcionali ynë. Ata që i gënjen mendja se mund të bëjnë padrejtësisht akrobacira me numrat e deputetëve, janë absolutisht të gabuar. Në qoftë se ne do të jemi 20 përqind të votave të shqiptarëve, do të shkojmë të luajmë fizikisht mbi këtë peshë politike që kemi dhe jo me numrin e deputetëve që do të na teprojnë.

Zëri i Amerikës: Zoti Shehi, a ka Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar një strategji për pas zgjedhjeve? A jeni ju të hapur për koalicione qeverisëse si me të majtët edhe me të djathtët?

Dashamir Shehi: Ne jemi të hapur për të gjitha aleancat e mundshme, përjashto klanin e Fatos Nanos që është sot në pushtet. Sigurisht duke qënë një forcë e djathtë pretendojmë që të bashkëpunojmë në radhë të parë me ato forca që janë më afër krahut tonë. E dyta gjykojmë që ka ardhur koha që të bëhet edhe rotacioni, edhe alternimi. Të bëhet një alternim real, kështu që nga kjo pikëpamje sigurisht që edhe preferencat janë për krahun opozitar.

XS
SM
MD
LG