Lidhje

Lufta e gjigandëve të hapësirës në Panairin e Parisit


Gjigandët e transportit ajror, Airbusi i Evropës dhe Boingu i Shteteve të Bashkuara filluan një javë konkurimi për të marrë kontrata për avionë pasagjerësh me vlerë disa miliarda dollarëshe në panairin e industrisë ajrore në Paris. Airbusi fitoi raundin e parë kur shoqëria ajrore Katar Airways bëri të ditur planet për të blerë deri në 60 avionë të madhësive mesatare të firmës evropiane.

Zgjedhja e kompanisë Qatar Airways për Airbusin A-350 ndaj Dreamliner-it 787 të Boingut ishte një shtytje e madhe për prodhuesin evropian të avionëve megjithëse shoqëria ajrore tha se do të blejë gjithashtu të paktën 20 Boing të tipit 777.

David Learmont i revistës Flight International në Londër thotë se dy tipat e rinj të avionëve, asnjëri prej të cilëve nuk ka fluturuar ende, janë shumë të ngjashëm. “Dreamliner-i 787 është absolutisht një tip i ri. Në të është përdorur shumë teknologjia e re. A-350 megjithatë është i së njëjtës madhësi, kap të njëjtët sektorë të tregut dhe është një shkallë më e lartë e teknologjisë sesa tipet e tjera të Airbusit si dhe të avionit të suksesshëm A-330”

Avioni që tërhoqi vëmendjen në Panairin e Parisit ishte A-380 i Airbusit i cili mund të mbajë deri në 800 pasagjerë. Airbusi e shikon avionin gjigand si pasuesin e Boingut 747.

Boingu vendosi të mos ndërtojë një gjigand të ri, duke besuar se e ardhmja u takon avionëve mesatarë si 787-a që udhëton pa ndalesa nga njëra pikë në tjetrën pa iu dashur të ulet në pika tranziti si A-380-ta.

Në përpjekje për të kapur tregun e të gjithë sektorëve të pasagjerëve Airbusi njoftoi më vonë se do të ndërtojë avionin A-350 si konkurrent ndaj 787-s. Airbusi dhe Boingu kanë akuzuar njëri tjetrin se kanë marrë subvencione të padrejta nga qeveritë e tyre.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë dërguar çështjen në Organizatën Botërore të Tregëtisë. Por të hënën të dyja palët e shtynë seancën me pyetje përgjigje të OBT-së.

XS
SM
MD
LG