Lidhje

Kai Aide takohet me presidentin Rugova dhe kryeministrin Kosumi


I dërguari i posacëm i Kombeve të Bashkuara i cili do të përgatisë raportin për plotësimin e standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare për Kosovën, Kai Aide, u takua sot në Prishtinë me zyrtarët më të lartë vendorë, presidentin Ibrahim Rugova dhe kryeministrin Bajram Kosumi.

Ambasadori Aide theksoi se ky raport është shumë më i rëndësishëm sesa ai i vitit të kaluar që kishte të bënte me trazirat e marsit. Ai shtoi se ka nevojë për reflektim dhe për të gjetur rrugën e duhur për të shkuar përpara. Zoti Aide tha se do të shohë zhvillimet në Kosovë, do të vizitojë gjithashtu kryeqytete të tjera gjatë këtij procesi, por do të kalojë sa më shumë kohë që të mundet në Kosovë duke parë, lexuar dhe përjetuar gjendjen këtu.

Kryeministri Kosumi tha se synimi i qeverisë është të rrisë shkallën e demokracisë në Kosovë, të të drejtave dhe lirive. Kryeministri tha se ka biseduar me zotin Aide për mënyrën sesi do të punohet dhe shtoi se shpreson për një vlerësim të vërtetë të arritjeve dhe zhvillimeve në Kosovë në mënyrë të pavarur. Pavarësia e raportit të zotit Aide do të jetë në të mirën e procesit në Kosovë.

Ambasadori Aide pritet të takohet nesër me përfaqësuesit e partive kryesore të opozitës në Kosovë ndërkohë që po nesër udhëton në Beograd për tu takuar me zyrtarët më të lartë serbë.

Zoti Aide po vlerëson në Kosovë jo vetëm plotësimin e standarteve, por edhe gjendjen e përgjithshme politike në vend. Rezultatet e raportit të zotit Aide do të përcaktojnë nëse mund të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës në vjeshtë të këtij viti. Zoti Aide pritet të marrë pjesë edhe në takimin e Grupit të Kontaktit plus, i cili do të bisedojë me drejtuesit më të lartë institucionalë e politikë të Kosovës.

Diplomatët e Grupit të Kontaktit pritet të takohen me presidentin Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Kosumi dhe kryetarin e parlamentit Nexhat Daci, në një takim tjetër me drejtuesit e partive të opozitës dhe në një takim të tretë me përfaqësuesit serbë.

Çështjet kryesore që do të diskutohen janë plotësimi i standarteve me përparësi dhe reforma në pushtetin vendor. Qeveria amerikane përfaqësohet në takim nga Çarls Inglish, drejtor për çështje të Evropës Juglindore në Departamentin e Shtetit, ndërsa vendet e tjera nga drejtorët politikë të ministrive të jashtme.

XS
SM
MD
LG