Lidhje

Irak: Massoud Barzani bën betimin si presidenti i parë  i zonës veriore kurde


Ish udhëheqësi i kryengritësve kurdë Massoud Barzani bëri betimin si presidenti i parë rajonal i zonës veriore kurde të Irakut.

Në një ceremoni të mbajtur në qytetin Arbil, zoti Barzani, djali i heroit kombëtar Mullah Mustafa Barzani, premtoi të forcojë bashkimin kombëtar dhe lidhjet midis kurdëve dhe arabëve.

Në jug, nga shpërthimi i një bombe jashtë një banke në qytetin Kirkuk u vranë të paktën 20 vetë dhe u plagosën më shumë se 80 të tjerë. Policia tha se shpërthimi u krye nga një person i vetëm që i kishte lidhur lëndët shpërthyese në trup.

Në një zhvillim tjetër, të paktën 5 ushtarë irakianë u vranë sot, kur një autobombë shpërtheu në një pikëkalimi në qytetin Kanaan. Zyrtarët amerikanë thanë se dy ushtarë amerikanë u vranë dje në afërsi të Ramadit nga shpërthimi i një bombe në anë të rrugës.

Gjetkë në zonën e Ramadit, autoritetet irakiane thanë se kanë zbuluar trupat e 24 burrave të groposur në këmbën e një mbikalimi rrugor.

XS
SM
MD
LG