Lidhje

Del Ponte: Paqja dhe pajtimi në Ballkan kushtëzohen nga vënia në vend e drejtësisë


Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës për krimet e luftës u takua sot me sekretaren amerikane të shtetit Condolica Rajs në Washington. Dje zonja del Ponte mbajti një fjalim në Institutin amerikan të paqes dhe tha se beson se i dyshuari kryesor për krimet e luftës Ratko Mladic është në Serbi dhe do të kapet deri nga fundi i vitit.

Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës Carla del Ponte tha dje se moskapja dhe strehimi i të akuzuarve për krime lufte Ratko Mladiç dhe Radovan Karaxhiç, vë në rrezik plotësimin e misionit të Gjykatës. Kryeprokurorja del Ponte paralajmëroi se misioni i Gjykatës së Hagës nuk plotësohet nëse mbeten të lirë ish-shefi i ushtrisë së serbëve të Bosnjes, Mlladiç dhe udhëheqësi i serbëve të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Karaxhiç. Ajo tha se paqja dhe pajtimi në Ballkan kushtëzohen nga vënia në vend e drejtësisë.

“Autorët kryesorë të genocidit (në Bosnje-Hercegovinë), Karaxhiçi dhe Mlladiçi janë ende të lirë 10 vjet pasi u paditën nga Gjykata e Hagës. Kjo është një fyerje për viktimat. Është një burim turpi për komunitetin ndërkombëtar dhe për autoritetet në rajon”.

Zonja del Ponte deklaroi se nëse ata nuk kapen ajo nuk do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për genocidin në Srebrenicë. Kryeprokurorja foli gjithashtu për ndikimin që pati në politikën e Beogradit, videoja që u transmetua në gjyqin e Millosheviçit, ku dokumentohej vrasja e 6 burrave myslimanë të Bosnjës nga njësia ushtarake serbe “Skorpionët”. Ndryshimin ajo e ka parë qartë tek qëndrimi i kryeministrit serb, Vojislav Kostunica:

“Herën e parë që e kam takuar, ai ishte shumë i zemëruar me mua dhe më tha se serbët janë vetëm viktima, ndërsa javën e kaluar kur e takova ai më në fund e pranoi se edhe serbët janë autorë. Dhe që nga fillimi i këtij viti ai ka transferuar në Hagë shumë nga të akuzuarit”.

Zonja del Ponte tha se pikërisht tek ky bashkëpunim ajo e mbështet optimizmin se Mlladiçi, për të cilin ajo tha se gjendet në Sërbi, do të arrestohet brenda këtij viti. Kryeprokurorja e Gjykatës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, tha se një nga shtysat më të rëndësishme për bashkëpunim, është interesi i vendeve të Ballkanit për integrim në Bashkimin Evropian. Ajo përmendi rastin e shtyrjes së anëtarësimit të Kroacisë, pasi nuk u kap Ante Gotovina, dhe vlerësoi si organizatën evropiane, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara që kanë kushtëzuar ndihmën e tyre dhe integrimin me bashkëpunimin me gjykatën e Hagës.

“Bashkimi Evropian ka tani rolin kryesor kur bëhet fjalë për të ushtruar presion ndaj shteteve të ish-Jugollavisë që të bashkëpunojnë me Hagën. Madje që të flasim hapur, ai ka mundësinë më të mëdhe për të vënë kushte. Megjithatë Shtetet e Bashkuara kanë qenë në krye të këtyre përpjekjeve për vite të tëra. Millosheviçi është sot në gjyq dhe jo në pushtet në Beograd, falë kushteve që vendosën Shtetet e Bashkuara”.

Megjithatë pas takimit, ajo tha për Zërin e Amerikës se nuk e sheh punën e institucionit të saj të lidhur me efektin politik.

“Mbi Haradinajn u ngrit padi, ai u dorëzua dhe tani është përkohësisht në liri dhe ne po presim datën për fillimin e gjyqit. Nuk e di se cili do të jetë ndikimi politik, por një gjë është e sigurt: që është e rëndësishme për punën e gjykatës, që ne ishim në gjendje të kryejmë hetime në gjithë zonat e rajonit, ku janë kryer krime dhe siç e dini krimet janë kryer jo vetëm nga serbët por edhe nga shqiptarët.”

Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës tha se shumë palë në Ballkan, përfshirë Kosovën, Kroacinë, Serbinë dhe Malin e Zi janë përpjekur t’i portretizojnë paditë si të motivuara politikisht, por shtoi se me kalimin e kohës është vërtetuar se synimi i vetëm i Gjykatës ka qenë vënia në vend e drejtësisë. Ajo tha se padi janë ngritur ndaj serbëve, kroatëve, serbëve të Bosnjës, madje edhe shqiptarëve.

XS
SM
MD
LG