Lidhje

Raporti i IREX-it për gjendjen e shtypit në Shqipëri


IREX-si, Bordi Ndërkombëtar i Kërkimeve dhe Shkëmbimeve, një organizatë ndërkombëtare që merret me edukimin, shtypin e pavarur dhe shoqërinë civile, botoi raportin e ri për gjendjen e shtypit në Evropë dhe Euroazi gjatë vitit 2004.

Në Shqipëri pengesat më të mëdha me të cilat ndeshet media janë përpjekjet e grupeve politike për të manipuluar organet e shtypit, motivi dhe origjina e paqartë e kompanive që synojnë të hyjnë në këtë sektor dhe nevoja urgjente për të mbështetur institucionet që mbrojnë të drejtat ekonomike dhe ligjore të gazetarëve.

Sipas studimit të IREX-it, 90 përqind e gazetarëve në Shqipëri janë pa kontrata pune. Në studimin e Irex-it, vendet renditen sipas një indeksi të nxjerrë pas analizave të gjendjes së shtypit në bazë të 5 kategorive. Studimi shtrihet në një periudhë 4 vjeçare, nga viti 2001 - 2004 duke analizuar ecurinë e medias.

Në kategorinë e parë, për fjalën e lirë, Shqipëria merr 2,17 pikë nga 4 gjithsej, gjë që tregon se vendi është pranë objektivit për krijimin e një klime të përgjithshme që mbështet shtypin e lirë, por megjithatë krahasuar me vitet e mëparshme, 2002 dhe 2003, ky indeks shënon rënie. Raporti sjell si shembull përplasjen e Kryeminsitrit Nano me gazetën Koha Jonë pas kritikës që i bëri kjo e fundit një vendimi të qeverisë. Ndonëse artikulli i gazetës mund të kishte shkelje të standarteve etike, gjoba që iu vu gazetës u kritikua nga organizatat e shtypit si brenda edhe jashtë vendit.

Në kategorinë e dytë atë të gazetarisë profesionale, Shqipëria ka marrë vetëm 1,95 pikë, që do të thotë se vendi plotëson vetëm kushtet minimale për një shtyp të lirë.

Cilësia e shkrimeve vazhdon të jetë e dobët. Vazhdimi i raportimeve pa marrë konfirmim nga burime të tjera vazhdon të minojë objektivitetin e raportimit, thuhet në raport. Megjithëse në gjendje të dobët, në këtë kategori vihet re përparim nga vitet e mëparshme.

Në kategorinë e tretë atë të pluralizmit të burimeve të lajmeve, Shqipëria ka marrë vetëm 2, 6 pikë, duke shënuar rënie nga viti i kaluar. Megjithëse pluralizmi i shtypit dhe burimeve të informacionit përbën një nga sukseset e shtypit në Shqipëri, thuhet në raport, problemet edhe këtu janë të shumta. Në Shqipëri për shembull është vështirë të gjesh gazeta apo radiotelevizione që nuk kanë lidhje politike me partitë ose bizneset. Kur Kryeministri Nano tha në 2004 se në industrinëe shtypit në Shqipëri po investoheshin para të pista, nuk u vu re fillimi i ndonjë hetimi ose i ndonjë përpjekjeje për transparencë ffinanciare të pronësisë së medias.

Në një raport të Bashkimit Evropian, theksoj se transparenca e pronësisë është jetike për shtypin në Shqipëri. Në kategorinë e 4, atë për menazhimin e biznesit, Shqipëria merr vetëm 1 prssje 68 pikë, ku sipas raportit, tregu i vogël i reklamave përbën një sfidë të vështirë për shtypin.

Në Shqipëri, thuhet në raport, ka 167 gazeta, 56 televizione dhe 32 radio, ndoshta më shumë se sa mund të përballojë tregu dhe me kalimin e kohës pritet që ky numër të ulet. Në kategorinë e 5, për rolin e institucioneve që mbështesin shtypin, gjendja është përsëri e dobët. Në Shqipëri, theksohet në raport, ka disa shoqata gazetarësh por roli i tyre minohet nga fakti që ato drejtohen nga pronarë mediash.

Në Shqipëri, thuhet në raport, nuk ka asnjë shoqatë ose sindikatë që mbron interesat e gazetarëve apo nxit etikën profesionale. Studimi i IREX-it përfshin rreth 20 vende nga evropa juglindore dhe euroazia. Në bazë të mesatares së indeksit për vitet 2001-2004, Shqipëria rendiet e 11, pas vendeve të tilla si Mali i Zi, Bosnja, Maqeodnia, Kosova, Serbia, Gjeorgjia apo Kroacia dhe para vendeve si Bullgaria, Rumania, Moldavia, Rusia e Bjellorusia.

XS
SM
MD
LG