Lidhje

Debatet mbi burgun e Guantanamos


Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International, është organizata më e fundit që ngre akuza për keqtrajtime të të ndaluarve në burgun ushtarak amerikan në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Kohët e fundit janë shtuar thirrjet brenda Shteteve të Bashkuara për mbylljen e këtij burgu. Por administrata e presidentit Bush është vënë në mbrojtje të këtij objekti duke thënë se nuk ka plane për ta mbyllur.

Qendra e mbajtjes së terroristëve në Guantanamo është kthyer në objektin kryesor ku drejtohen kritikat që i bëhen administratës së Presidentit Bush për luftën kundër terrorizmit. Njoftimet për keqtrajtime kanë shkaktuar protesta në botën myslimane.

Muajin e kaluar Amnesty International botoi një kritikë të ashpër. Sekretarja e Përgjithshme e kësaj organizata, Irene Khan, e krahasoi Guantanamon me kampet e të burgosurve në ish Bashkimin Sovjetik: “Guantanamo është kthyer në gulagun e kohëve tona, si mishërim i konceptit se njerëzit mund të mbahen në kundërshtim me ligjin.”

Duke komentuar mbi raportin Presidenti Bush e quajti këtë vlerësim absurd. “Duket se gjykimi i tyre është bazuar në ato që thonë personat që mbahen aty, që janë njerëz që e urrejnë Amerikën”, tha presidenti.

Por këtë javë u ngritën shqetësime të reja. Revista Time njofton për një dokument sekret mbi hetimet ndaj një personi që qeveria amerikane thotë se ishte një prej rrëmbyesve të 11 shtatorit, por që nuk arriti ta kryente misionin e tij.

Dokumenti jep hollësi nga trajtimi që iu bë Mohamed al-Qahtanit, që e ka pranuar se është anëtar i al-Kaidës. Redaktori i revistës Time, Adam Zagorin thotë se metodat përfshinin mbajtjen pa gjumë dhe poshtërimin e të pandehurit: “Ka një sërë teknikash si pjesë e një procesi eksperimentesh për të parë se si mund të nxirrej informacion nga i ndaluari.”

Pentagoni është vënë në mbrojtje të hetimeve, duke thënë se i pandehuri ka dhënë informacione të vlefshme. Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld u vu dje në mbrojtje të vazhdimit të egzistencës së Guantanamos: “Në Guantanamo mbahen stërvitësh të terroristëve, prodhues bombash, rekrutues ekstremistësh, roje të Bin Ladenit dhe autorë të ardhshëm sulmes vetëvrasëse. Aty nuk mbahen hajdutë makinash, ata janë vrasës të bindur”, tha sekretari Rumsfeld.

Por ndërsa kritikat vazhdojnë të shtohen, disa ligjvenës nga të dyja partitë e kanë humbur durimin, dhe thonë se tani ka ardhur koha që qendra e Guantanamos të mbyllet.

Senatori Joseph Biden është demokrati më i lartë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit. “Sot është krijuar një situatë kur amerikanët janë më të rrezikuar nga imazhi që ekziston për këtë qendër në botë, sesa sikur ajo të mos ekzistonte.”

Senatori tjetër demokrat Patrick Leahy thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të japin shembullin. “Ne jemi vendi që zbatojmë ligjin. Ne duam që vendet e tjera të zbatojnë ligin. Por në Guantanamo ne nuk po e respektojmë ligjin.”

Të hënën Nënpresidenti Dick Cheney, e mbrojti me forcë burgun, duke thënë se ai është pjesë e rëndësishme e luftës së administratës kundër terrorizmit. “Të ndaluarit trajtohen aty shumë më mirë sesa ç’do të trajtoheshin nga ndonjë qeveri tjetër në këtë planet. Nga ky këndvështrim ne po mbajmë qëndrimin e duhur”, tha zoti Cheney.

Por disa anëtarë të kongresit nuk janë dakort. Këtë javë ata kanë në plan të organizojnë seanca dëshmish për kushtet në Guantanamo.

XS
SM
MD
LG