Lidhje

Freedom House: demokracia në Shqipëri ndodhet para një momenti vendimtar


Demokracia në Shqipëri ndodhet në një udhëkryq, theksohet në raportin Freedom House një organizatë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë në botë. Në raportin e saj vjetor mbi gjendjen e vendeve në tranzicion, Freedom House thekson se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri nuk janë të lira e të drejta, qëndrueshmëria politike e vendit mund të vihet seriozisht në rrezik.

Raporti vë në dukje probleme shqetësuese në median dhe sistemin gjyqësor. Të dyja kanë shënuar hapa prapa gjatë vitit të kaluar duke rezultuar në një perceptim edhe më negativ të publikut për pavarësinë dhe funksionin e tyre.

Në analizën e gjendjes së gjyqësorit gjatë vitit të kaluar, Freedom House arrin në përfundimin se ky institucion gjykohet si një ndër më të korruptuarit në vend. Të metat e vërejtura variojnë që nga pasiviteti në zbatimin e vendimeve gjyqësore, probleme në zhvillimin e një procesi të drejtë gjyqësor dhe në mbajtjen e të dyshuarve në paraburgim. Organizata veçon të metat në proceset gjyqësore ndaj disa figurave të fuqishme politike, gjë që vë në pikëpyetje pavarësinë e këtij institucioni.

Raporti i Freedom House vëren një rënie në përmbushjen e funksionit të medias së lirë. Problemi më i spikatur mbetet varësia e mjeteve të informimit ndaj interesave politike dhe të biznesit gjë që ka kufizuar ndjeshëm pavarësinë redaksionale duke dëmtuar besueshmërinë e medias.

Sipas raportit shoqëria civile është i vetmi faktor që ka shënuar përmirësim në analizat e organizatës gjatë 3 viteve të fundit. Por demokracia në përgjithësi ka qëndruar në vend-numëro.

Në analizën për qeverisjen e vendit, Organizata Freedom House thekson se përpjekjet për të ruajtur ekuilibrin në gjirin e Partisë Socialiste në pushtet, ndikuan negativisht në aftësinë e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe për të vazhduar reformat dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sistemi qeverisës, thekson Freedom House, mbetet i brishtë dhe qeveria aktuale nuk arriti të përmbushte një numër pikësynimesh, ku veçohet mosnënshkrimi i një Marrëveshjeje Asociim Stabilizimi me Bashkimin Evropian.

Procesi zgjedhor, një tjetër kriter në procesin vlerësues të gjendjes, nuk ka shënuar përparim gjatë katër viteve të fundit, thuhet në raport. Raporti vlerëson, megjithatë, përpjekjet e fundit për të miratuar ligjin zgjedhor.

Në analizën e saj, Freedom House vë në dukje mungesën e vullnetit politik për të luftuar kurrupsionin. Një numër skandalesh me institucione dhe zyrtarë shtetërorë kanë ndikuar negativisht në perceptimin publik të përpjekjeve për të luftuar këtë problem.

Në parashikimet e saj për vitin aktual, Freedom House thotë se zgjedhjet e përgjithshme janë një moment vendimtar, pasi do të kushtëzojnë mbarëvajtjen e procesit për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. Ndërkaq, Partia Demokratike në opozitë ka theksuar se nuk do të tolerojë më probleme në procesin zgjedhor, duke përmendur edhe shembullin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës si përgjigje të mundshme ndaj manipulimit të votës. Nëse zgjedhjet nuk përmbushin standartet ndërkombëtare, thekson Freedom House, demokracia e brishtë në Shqipëri mund t’u lërë vendin trazirave dhe krizës.

XS
SM
MD
LG