Lidhje

Ekonomia shqiptare në prag të zgjedhjeve


Fushata zgjedhore që ka përfshirë Shqipërinë po jep ndikimet e veta mbi ekonominë e vendit. Analistët i tremben dëmtimit të sezonit turistik, rritjes së çmimeve në tregjet e çorientuara nga zgjedhjet si edhe evazionit fiscal. Ndërsa përfaqësues të qarqeve të biznesit pohojnë se nga ana tjetër po studiojnë premtimet e partive politike për cështje të ekonomisë.

Ndikimi i zgjedhjeve dhe fushatave zgjedhore mbi ekonominë e brishtë shqiptare sjell shpesh situata të jashtëzakonshme në tregjet e pakontrolluara. Qarqet e biznesit parashikojnë një fushatë zgjedhore të qetë dhe pa efekte negative mbi ekonominë e Shqipërisë. Të vendosura në mes të sezonit turistik, zgjedhjet po shihen si një mundësi për prishjen e situatës së turizmit.

Por kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Luan Bregasi, thotë se fushata zgjedhore do të ketë ndikimin e vet mbi ekonominë dhe bizneset private. Megjithatë situata duket e qetë dhe bizneset e turizmi duken të pashqetësuar. “Është një situatë normale, dhe mendoj se nuk do të ketë asnjë lloj impakti negativ as në turizëm, as në biznes, as në ekonomi. Përkundrazi ne po vëzhgojmë me interes se çfarë mundësish po i ofrojnë biznesit partitë politike në këtë prag zgjedhjesh” - tha ai.

Zoti Bregasi thotë se qarqet e biznesit janë duke studiuar me detaje premtimet e partive politike në prag të zgjedhjeve. Ai thekson se kompanitë kërkojnë nga politika veçse zgjerim të ekonomisë së tregut. “Po i vëzhgojmë me shumë kujdes sidmos ato që kanë të bëjnë me paketën fiskale, me nivelin e taksave dhe tatimeve. Sigurisht ne jemi për një nivel të ulët të taksave dhe tatimeve, por nuk jemi për një keqadministrim të tyre në kurriz të të ardhurave të buxhetit. Ne jemi të interesuar për një buxhet të fortë dhe një buxhet i fortë mund të jetë me një bazë më të gjerë dhe me një ngarkesë më të vogël” - thotë ai.

Në zgjedhjet e mëparshme ka qenë i zakonshëm një çekuilibrim i konsiderueshëm i situatës ekonomike dhe veprimtarisë së firmave tregtare e prodhuese. “Është normale që zgjedhjet të krijojnë një ndjenjë alarmi të përgjithshëm. Precedenti i deritashëm i zhvillimit të fushatave në Shqiëri ka rezultuar me një thellim të varfërisë dhe rritje të çmimeve në periudhën përndjekëse” - thotë analisti Alban Bala i agjencisë publicitare “Comport”.

Vëzhguesit raportojnë në prag zgjedhjesh rritje të inflacionit dhe të cmimeve të mallrave, si dhe një zhvlerësim të konsiderueshëm të lekut në raport me valutat ndërkombëtare. “Unë gjykoj se turizmi shqiptar do të ketë sivjet një numër më të pakët hyrjesh. Pakësimi i numrit të turistëve do të përshkallëzojë krizën e sektorit” – thotë zoti Bala. Analisti Bala thotë se zgjedhjet sjellin gjithmonë edhe vështirësi makrofinanciare, ndërsa palët politike dhe tregtare shkëmbejnë favore në biznes. “Kuadri i favoreve që palët shkëmbejnë brenda fushatës sjell një çrregullim të përgjithshëm të tregut, i cili zgjat afro një vit pas përfundimit të zgjedhjeve, sic ka ndodhur tradicionalisht dhe sivjet nuk ka shenja të shmanget kjo dukuri” - tha zoti Bala.

Mundësia e ndërrimit të qeverisjes dhe zbatimi i reformave të reja të premtuara nga forcat që vijnë në pushtet ka bërë që shumë firma ta përcjellin fushatën në pasiguri dhe tension. Zoti Bala thotë se kompani me numër të madh punëtorësh do të implikohen në fushatë dashurpadashur. “Bizneset në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë do të jenë drejtpërdrejt të implikuara në rrjedhën e mëtejshme të fushatës, për shkak të peshës që zënë këto zona në rezultatet e zgjedhjeve” - thotë zoti Bala. Po ashtu shënohet rregullisht - sipas analistëve - edhe një rritje e evazionit fskal, ndërsa qindra biznese dhe punonjës në tatime e dogana vëzhgojnë për një ndërrim të mundshëm të forcave politike në pushtet.

XS
SM
MD
LG