Lidhje

Greqia lehtëson kthimin e emigrantëve shqiptarë për zgjedhjet e 3 korrikut


Greqia njoftoi sot se do t`u krijojë mundësi emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në këtë vend të kthehen në Shqipëri për të votuar për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 3 korrik. Sipas burimeve zyrtare greke Ministri grek i Rendit Jorgos Bulgaraqis firmosi sot urdhërin që pritet t’u drejtohet pikave doganore greke në kufi me Shqipërinë.

Sipas këtyre burimeve urdhëri përfshin periudhën nga 25 qershori deri më 10 korrik. Në këtë periudhë emigrantet shqiptarë që janë të pajisur aktualisht në Greqi me lejeqëndrimet të cilave u ka përfunduar afati dhe jane në proces të marrjes së një lejeqëndrimi të ri mund të hyjnë në Shqipëri dhe të rikthehen më pas në Greqi pa pasur nevojë për vizë. Emigrantët duhet të tregojnë në kufi pasaportën për jashtë shtetit , lejen e qëndrimit së cilës i ka përfunduar vlefshmëria si dhe vërtetimin që emigranti ndodhet në procesin e ripërtëritjes së lejes së re të qëndrimit.

Vendimi i autoriteteve greke vjen pas një kërkese të Ambasadës shqiptare në Athinë, por edhe prej interesimi të gjerë të subjekteve politike shqiptare që emigrantët të kthehen për votime. Burime diplomatike shqiptare nga Athina i thanë Zërit të Amerikës se interesimi i Ambasadës shqiptare është që afati i vlefshmërisë së urdhërit të Ministrit grek të rendit të ketë një zgjatje kohore më të madhe.

Kjo sipas këtyre burimeve për të mundësuar rikthimin normal të emigrantëve në Greqi pas votimeve të 3 Korrikut. Pikat në kufirin mes të dy vendeve kanë provuar në mjaft raste të ngjashme se nuk e kanë të mundur të përpunojnë një fluks prej mbi 7000 deri në 8000 emigrantësh në ditë.

Kthimi dhe më pas udhëtimi në greqi i një mase të madhe emigrantësh mund të kishte probleme të lëvizte në kufi në këtë hark kohor kaq të

shkurtër. Për më tepër thonë burimet nga Athina në Korrik fillon edhe sezoni turistik dhe një masë lehtësuese e qeverisë greke do të bënte që mijëra emigrantë shqiptarë të ktheheshin edhe për pushimet verore në Shqipëri.

Pak kohë më parë gjatë kthimit të emigranëtve për festën e Pashkëve orthodhokse , jo pak prej tyre kishin pohuar në pikën kufitare të Kakavijës se ishin të gatshëm të vinin në Shqipëri më 3 korrik për të shprehur vullnetin e tyre politik.

Disa subjekte politike shqiptare dhe kantidatë për deputetë kanë zhvilluar ditët e fundit takime në kryeqytetin grek Athinë dhe qytete të tjera të Greqisë me komunitete emigrantësh shqiptarë për të tërhequr vëmendjen e tyre për votimet.

Ndërkaq edhe disa organizata të shoqërisë civile në Gjirokastër të mbështeura nga një Program i Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) kanë kryer javët e fundit një fushatë ndërgjegjësuese për emigrantët shqiptarë në Greqi që ata të kthehen për votimet.

Këto shoqata kanë përgatitur për emigrantët edhe një broshurë me të dhënat e kandidatëve që konkurojnë në zonat jugore si dhe për dhe programet e tyre elektorale, si në gjuhën shqipe edhe në gjuhën greke.

XS
SM
MD
LG