Lidhje

Airbus dhe Boeing njoftojnë plane mbi revolucionarizimin e udhëtimit ajror

  • Chris Simkins

Vitin e ardhshëm, agjencitë ajrore do të vënë në funksionim avionin më të madh në botë për pasagjerë. Avioni do ta ketë kapacitetin të paktën 555 pasagjerë në udhëtime të gjata ndërkombëtare rreth 15 mijë kilometra. Kompania Airbus e paraqiti avionin e ri në panairin ajror të Parisit. Kompania thotë se avioni A380 që do t’i dorëzohet agjencisë së parë ajrore vitin e ardhshëm, do të përballet me një kërkesë në rritje për udhëtarë nga Azia, Evropa dhe Lindja e Mesme në destinacione në gjithë botën. Thomas Burger është menaxher në kompaninë Airbus A380. "Unë u ofroj pasagjerëve kushtet më të mira për udhëtim, me koston më të ulët. Kështu që ne vërtet kemi rritur sipërfaqen me 50 për qind, por përsa i takon numrit të vendeve ai është rritur me 35 për qind. Kështu linjat ajrore janë të lira t’u ofrojnë pasagjerëve sa më shumë kushte dhe në të njëjtën kohë të kenë fitime të mëdha ekonomike dhe mbase të ulin çmimet e biletave".

Për të mos mbetur prapa Airbusit, Boeing paraqiti dy avionë të rinj për të cilët thotë se do t’i japin një shtysë udhëtimit ndërkombëtar ajror. Modeli 777 Airliner me 300 vende dhe ai 787 Dreamliner me 223 vende janë të projektuar në mënyrë të tillë që të ofrojnë shërbim praktikisht mes çdo dy qyteteve në botë. Randy Tinseth, drejtor i Prodhimeve dhe Shërbimeve të Boingut, thotë se projekti i modelit të ri 787 përmbush shumë objektiva."Njëri prej tyre është krijimi i një modeli të ri biznesi për linjat ajrore, në mënyrë që të sjellin më shumë të ardhura dhe kosto më të ulët dhe të nxjerrin më shumë fitime. Megjithatë për planet afatgjata duhet të garantosh të kesh një produkt që është komod dhe i pranuar nga pasagjerët. Kështu ne po përpiqemi t’u sigurojmë pasagjerëve një përvojë të re udhëtimi, sedilje më të gjera, kabina më të gjera dhe dritare më të mëdha".

Boingu po e zgjeron hapësirën në modelin 787 për bagazhet e dorës, si edhe më shumë mundësi për mjete televizive dhe radioje argëtimi dhe një kabinë më të gjerë. "Kur hyn në një Dreamliner, ai është me hapësirë, me dritë dhe një ambient krejt të ndryshëm nga çdo avion tjetër".

Airbusi po e vë gjithashtu theksin tek përmirësimi i komoditetit të pasagjerëve në fluturimet ndërkombëtare, përfshirë ambjente ku udhëtarët të mund të rrinë dhe të marrin ndonjë pije. "Meqenëse në kabinë ka më shumë hapësirë ne mund t’u ofrojmë linjave ajrore mundësinë që ta modernizojnë si të duan pjesën e brendshme të kabinës, çka është thelbësore për të pasur dallime mes produkteve. Ata janë në konkurrencë me linja të tjera ajrore dhe këto tipare me të vërtetë krijojnë mundësinë që të tërheqin pasagjerët".

Ndërsa Boingu dhe Airbusi vazhdojnë konkurrencën e tyre të fortë për të marrë rolin drejtues në prodhimin e avionëve në botë, të dyja kompanitë besojnë se avionët e tyre të rinj do të revolucionarizojnë udhëtimin ajror ndërkombëtar dhe të rikthejnë diçka që ka humbur prej kohësh: kënaqësinë e fluturimit. //az//

XS
SM
MD
LG