Lidhje

Biblioteka presidenciale e Xhorxh Herbert Bush, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara


Për herë të parë në 180 vjet në Shtëpinë e Bardhë është një president, i cili edhe babain e kishte president. Babai i presidentit aktual amerikan, George Herbert Walker Bush, i cili qëndroi në Shtëpinë e Bardhë nga viti 1989 deri në 1993, tani jeton në Houston të Teksasit dhe shpesh shkon në qytetin College Station, ku ndodhen disa objekte të Universitetit për Bujqësinë dhe Mekanikën në Teksas, dhe ku është edhe biblioteka e tij presidenciale.

Në Bibliotekën dhe Muzeun presidencial Bush janë ekspozuar fotografitë e babait dhe birit që kanë mbajtur titullin president. Drejtori i Bibliotekës dhe Muzeut presidencial, Warren Finch e ka trajtuar familjen e ish-presidentit Bush si një subjekt me rëndësi: "Në gjithë muzeun ka fotografi të presidentit dhe të birit, i cili u bë më pas vetë president i Shteteve të Bashkuara, si dhe të fëmijëve dhe nipave të tij," thotë drejtori i bibliotekës.

Ish presidenti viziton shpesh bibliotekën për veprimtari të posaçme dhe nganjëherë ua kujton gazetarëve se nuk është më në Shtëpinë e Bardhë: "Atë pyetje më mirë t’ia bëni Xhorxh Bushit tjetër," thotë me shaka ish-presidenti.

Zoti Bush dhe e shoqja Barbara i kanë rrënjët në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, por gjatë një vizite të fundit në bibliotekën e tij, presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara shpjegoi përse zgjodhi ta vendoste bibliotekën e tij në universitetin e Bujqësisë dhe Mekanikës. "Zgjedhja ime u kushtëzua nga shpirti i këtij vendi dhe sensi i vlerave që kanë këta studentë dhe që përshkon çdo gjë. Një tjetër arsye është se mu mërzit fotografia që kishin varur në Universitetin Yale dhe vendosa të zgjedh universitetin e Bujqësisë dhe Mekanikës," thotë ish-presidenti.

Xhorxh Herbert Uokër Bush filloi karrierën në shërbimin publik në moshën 18 vjeçare, gjatë Luftës së Dytë Botërore kur ai u regjistrua në radhët e Korpusit Ajror të Marinës. Ai u qëllua kur po fluturonte mbi Oqeanin Paqësor, por shpëtoi gjallë dhe më pas u zgjodh në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senatin amerikan, si dhe ambasador i Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, zyrtar i posaçëm për lidhjet me Kinën, drejtor i Agjencisë Qendrore të Zbulimit- CIAs, nënpresident dhe më pas president.

Megjithëse impresionohen nga karriera e tij, shumë teksanë si Marian Beits nga Hjustoni, thonë se janë të kënaqur gjithashtu nga sjellja e thjeshtë e ish-presidenti dhe zonjës së parë: "Habitem se sa të ngjashëm ata janë me njerëzit e thjeshtë, si ne," thotë zonja Beits. Biblioteka dhe Muzeu presidencial Bush janë të hapur për publikun gjatë gjithë vitit.

XS
SM
MD
LG