Lidhje

Sekretarja Rajs bën thirje për reforma demokratike në Lindjen e Mesme


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs vazhdon turneun në Lindjen e Mesme ku po bën thirje për reforma demokratike në rajon. Sekretarja Rajs tha sot në Kairo se gjatë 60 vjetëve të fundit Shtetet e Bashkuara janë përqëndruar tek qëndrueshmëria në Lindjen e Mesme në kurriz të demokracisë dhe nuk kanë arritur asnjërën. Tani, tha Sekretarja Rajs, Shtetet e Bashkuara kanë marrë një drejtim tjetër. Gjatë qëndrimit në Egjipt, zonja Rajs u takua me presidentin egjiptian Hosni Mubarak për ta nxitur që të bëjë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta në shtator.

Gjatë një fjalimi të rëndësishëm për politikën amerikane të mbajtur sot në Universitetin Amerikan në Kairo, Sekretarja Rajs u bëri thirje udhëheqësve të Lindjes së Mesme të kapërcejnë frikën dhe të përqafojnë lirinë për popujt e tyre. "Në mbarë Lindjen e Mesme frika nga zgjedhja e lirë nuk e justifikon më mohimin e lirisë. Ka ardhur koha për të braktisur justifikimet që jepen për të shmangur punën e vështirë të demokracisë," tha Sekretarja amerikane e Shtetit.

Sekretarja Rajs tha se Amerika ka ndryshuar politikën e saj ndaj rajonit dhe në plan të parë nuk ka më qëndrueshmërinë, por aspiratat demokratike të të gjithë popujve. Ajo u bëri thirje udhëheqësve në Siri dhe Iran të dëgjojnë qytetarët e tyre, të cilët, tha zonja Rajs, aspirojnë për demokraci.

Sekretarja Rajs lavdëroi presidentin egjiptian Hosni Mubarak për mbështetjen që i dha një amendamenti në kushtetutën e vendit, gjë që mundësoi zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale shumë-partiake, por paralajmëroi se egjiptianët që po përqafojnë reformat nuk duhet të ndeshen me dhunë dhe frikësime.

XS
SM
MD
LG