Lidhje

Amerika ende pa ambasador në OKB


Gjatë pesë muajve të fundit Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur një ambasador pranë Kombeve të Bashkuara. Dje, Senati amerikan i kontrolluar nga republikanët kundërshtoi përsëri të hidhte në votë kandidaturën e zotit Xhon Bolton për postin e ambasadorit pranë organizatës botërore. Tani për tani nuk është e qartë se si do të vazhdojë procesi për zgjedhjen e ambasadorit të ri amerikan pranë organizatës botërore. Në Uashington ka spekullime se presidenti mund të anashkalojë Senatin dhe të përdorë autoritetin e tij për të emëruar zotin Bolton gjatë pushimeve të Kongresit në gusht:

Mbrëmë në Uashington demokratët në Senatin amerikan arritën të bllokojnë për të dytën herë hedhjen në votë të kandidaturës së Xhon Boltonit për postin e ambasadorit amerikan pranë OKB-së.

Senatorët hodhën 54 vota pro dhe 38 kundër procesit që do t’i jepte fund debatit mbi kandidaturën e zotit Bolton. Një minimum prej 60 votash nevojitet për fillimin e procesit që do ta kishte bërë të detyrueshme një votë përfundimtare për miratimin e zotit Bolton. Kjo taktikë për shtyrjen e procesit është përdorur më parë nga të dyja partitë kur nuk kishin kontrollin e Senatit.

Demokratët në Senat i kishin kërkuar Shtëpisë së Bardhë dokumenta lidhur me punën e zotit Bolton në Departamentin e Shtetit. Kritikët e tij si senatori Xhozef Baiden, demokrat nga Delaueër, vunë në pikëpyetje kërkesën e zotit Bolton, i cili kur ishte Nënsekretar i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Zbulimet Ndërkombëtare kishte kërkuar dokumenta sekrete të shërbimeve të zbulimit. Senatori vuri në pikëpyetje edhe kundërshtimin e administratës për t’u paraqitur senatorëve dokumente të tillë:

Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara thotë se nuk mendon që informacioni i cili kërkojmë ka lidhje me përmbushjen e përgjegjësisë sonë kushtetuese, ai kapërcen autoritetin e postit që mban.

Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar vazhdimisht kërkesën për informacion, duke thënë se janë bërë përpjekje të arsyeshme për t‘iu përgjigjur shqetësimeve të demokratëve.

Presidenti Bush e propozoi zotin Bolton për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së në mars. Pas një seance në prill në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, demokratët arritën sukses në përpjekjet për bllokimin e hedhjes në votë të kandidaturës muajin e kaluar.

Para votës së djeshme, presidenti Bush tha se zoti Bolton ishte personi më i përshtatshëm për të përfaqësuar interesat amerikane në një periudhë kur OKB-ja do të përjetojë reforma shumë të nevojshme, siç është shprehur presidenti Bush:

Kombet e Bashkuara kanë nevojë për reforma, prandaj mendova se ishte me vend të dërgoja një reformator në këtë organizatë. OKB-ja është një organizatë e rëndësishme dhe populli amerikan, mendoj unë, do ta kuptojë sa e rëndësishme është kjo organizatë kur të kryhen reformat dhe të funksionojë një sistem i kërkesës së llogarisë. Ne duam më shumë përgjegjshmëri dhe transparencë dhe më pak burokraci dhe Xhon Bolton mund të ndihmojë në këtë drejtim.

Nuk dihet ende se si do të vazhdojë procesi. Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar nëse presidenti do të përdorë autoritetin e tij për të emëruar zotin Bolton në postin e ambasadorit gjatë sezonit të pushimeve në Kongres, në muajin gusht.

XS
SM
MD
LG