Lidhje

Departamenti i Shtetit, përpjekje për të luftuar keqinformimet rreth Amerikës


Një faqe e re interneti e Departamentit amerikan të Shtetit e titulluar “Identifikimi i keqinformimeve” ka për qëllim të hedhë poshtë informatat e gabuara kundër Shteteve të Bashkuara në mbarë botën. Në raportin në vijim, korrespondenti Bob Doughty u hedh një shikim shkaqeve të keqinformimit dhe mënyrave për ta luftuar atë.

Sipas faqes së internetit të Departamentit të Shtetit, keqinformimi përfshin legjenda urbane, teori komplotesh dhe keqinformime të qëllimshme. Për shembull, një legjendë urbane e hedhur poshtë nga kjo faqe interneti thoshte se amerikanët dhe evropianët po rrëmbenin fëmijë nga Amerika Latine dhe vende të tjera dhe po i mbysnin ata për të shfrytëzuar organet e tyre për transplantime.

Teori të tjera komplotesh të hedhura poshtë nga Departamenti i Shtetit thonë se Shtetet e Bashkuara kishin marrë pjesë në vrasjen e ish kryeministrit të Libanit, Rafik Hariri, dhe se kishin pasur dijeni për cunamin që përfshiu Azinë Jugflindore vitin e kaluar.

Kjo mënyrë e të menduarit nuk është as i ri e as spcifik për asnjë rajon të veçantë të botës. Shumë analistë thotë se kjo është rrjedhim i shumë fajtërove, duke filluar nga natyra njerëzore e deri te politikat rajonale. Ehsan Ahrari, ekspert në luftën informative, thotë se keqinformimi ndodh për arsye të rolit të madh që kanë Shtetet e Bashkuara në arenën ndërkombëtare.

“Interesat tona në rajone të ndryshme të botës janë pjesë e interesit tonë global. Kështu që aktorët rajonalë kanë prirjen t’i shikojnë gjërat nga perspektiva e tyre rajonale. Për ata, perspektivat rajonale janë shumë të rëndësishme kurse për ne perspektiva rajonale është pjesë e një perspektive globale.Kjo është pjesë e problemit tonë.”

Analistë të tjerë thonë se keqkuptimet kulturore ushqejnë teoritë e komploteve, kurse dallimet në politikën e jashtme midis Amerikës dhe vendeve të tjera luajnë rol në formimin e pikëpamjeve të njerëzve.

Ish-ndihmës sekretari i shtetit, Edward Walker, i cili shërbeu në administratën e presidentit Clinton, thotë se një rol të rëndësishëm luajnë edhe keqkuptimet.

“Nuk është vetëm politika e jashtme. Për shembull, ne kemi një program për përhapjen e demokracisë. Ajo që ne mendojmë se po bëjmë është se po përpiqemi të ndihmojmë vendet për të vendosur një bazë të fortë dhe të qëndrushme për zhvillim ekonomik. Kurse shumë njerëz besojnë se ne jemi duke u munduar të vendosim një hegjemoni mbi ta.”

Ambasadori Walker, i cili tani është president i Institutit për Lindjen e Mesme në Washington, shton se keqinformimi shpesh bazohet në komunikime dhe paragjukime të gabuara ndërmjet kulturave.

Në luftën kundër terrorizmit, disa analistë sygjerojnë se këto keqkuptime po ndihmojnë rritjen e ndjenjave antiamerikane në botë, sidomos në radhët e fraksioneve që urrejnë Shtetet e Bashkuara. Por kjo mënyrë e të menduarit, thotë analisti Ahrari, është e përhapur si në shoqëritë demokratike ashtu edhe në shoqëritë në zhvillim.

Analistë të tjerë thonë se njerëzit kanë prirjen të jenë më skeptik kur ndodhin ngjarje të mëdha. Një shmebull janë teoritë për komplot pas vrasjes së presidentit Kennedy apo pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Për t’u bërë ballë keqinformimeve, shumë analistë sygjerojnë se mund të jetë i nevojshëm një rishikim i politikës së jashtme amerikane. Disa propozojnë një fushatë më të ashpër publike për tu përballur me luftën ideologjike. Të tjerë, përfshirë ish ambasadorin Walker, thonë se faqja e re e internetit të Departamentit të Shtetit është një fillim i mirë.

“Kjo nuk është një çështje që mund të zgjidhet vetëm në një mënyrë. Duhet të përcillen shumë mesazhe, disa nga qeveria, disa nga deklaratat publike të udhëheqësve tanë, por edhe nga njerëz të tjerë nga vendi ynë. Pastaj ne duhet të shfrytëzojmë mbështetjen e njerëzve të respektuar jashtë Shteteve të Bashkuara.”

Disa analistë besojnë se ndërtimi i mardhënieve të mira me vendet e tjera mund të ndihmojë në tejkalimin e dyshimeve dhe dallimin e fakteve nga trillimet. Por përfundimisht, shumica pranojnë se komplotet dhe legjendat janë rrjedhime rë hamendjes njerëzore dhe do të ekzistojnë përgjithmonë.

XS
SM
MD
LG