Lidhje

Sami Repishti: Shqipëria ka nevojë për një klasë të re politike që do të sjellë përsëri respektin për vendin tonë dhe respektin e vendit tonë për botën e jashtme


Sami Repishti, ish profesor në Universitetin Adelphi në New York, dhe autor i një numri studimesh dhe librash për Shqipërinë, më i fundit ai me titull “Nën hijen e Rozafës”, thotë se situata në prak të zgjedhjeve në Shqipëri është e tensionuar, komplekse dhe aspak premtuese.

Zëri i Amerikës: Profesor Repishti, si e shikoni situatën në Shqipëri në prak të zgjedhjeve të 3 korrikut?

Sami Repishti: Po të flasim me objektivitet, situata në Shqipëri është e tensionuar, është komplekse dhe aspak premtuese. Për mendimin tim forcat politike në Shqipëri, udhëheqësit e saj janë ngatërruar në një përleshje për jetë a vdekje dhe nuk njohin sjelljen e qytetëruar. Unë i shoh ata që përqendrohen në dy figurat kryesore Nano dhe Berisha dhe nuk premton shumë sepse problemet që mundojnë popullin shqiptar jo vetëm që nuk trajtohen me urtësi por nuk trajtohen fare.

Grupet e vogla politike, me përjashtim të Partisë Socialiste të Integruar, janë bërë satelite që rrotullohen rreth diellit të tyre të preferuar, Partisë Demokratike ose Partisë Socialiste, me një fjalë ata pranojnë nënshtrimin politik të partisë së tyre për arsye të një vendi apo disa vendeve në parlament ose në qeveri. Kjo është një situatë që më shqetëson shumë, sepse largon shpresën për një të ardhme të afërt dhe se dualizmi i padëshirueshëm politik në Shqipëri nuk mund të ndryshohet një herë e përgjithmonë.

Zëri i Amerikës: A shikoni ju mundësi reale që këta dy politikanë të tregojnë aftësinë e duhur për të drejtuar vendin?

Sami Repishti: Kam dyshimin e justifikuar se dy udhëheqësit e partive kryesore politike në Shqipëri janë bërë shumë autoritarë dhe e konsiderojnë Shqipërinë si një çiflik të vetin dhe jo si një pronë të përbashkët të popullit shqiptar. Ato deri tani nuk kanë lejuar asnjë çfaqje moskënaqësie ose disidence në radhët e tyre dhe kurdoherë që është krijuar një parti e vogël janë munduar ta shtypin apo ta diskreditojnë. I vetmi sukses pak a shumë i dukshëm është rasti i Ilir Metës, i cili ka qënë në gjendje të kalojë 10 përqind të elektoratit, sipas sondazheve të fundit që janë bërë. Elementët e rinj, si Lëvizja Mjaft, breznia e re, për të cilën unë kam shumë respekt dhe shumë shpresa, po tregon një farë gjallërie, po është akoma e papjekur politikisht. Të mos harrojmë se në Shqipëri, shumica e qytetarëve shqiptarë janë të zëmëruar për grindjet e brendëshme politike dhe për mbrojtjen këmbëngulëse të interesave personale që mbretërojnë sot në të dy partitë politike në Shqipëri. Dhe të gjitha këto bëhen në kurriz të interesave kombëtare.

Zëri i Amerikës: Profesor Repishti, atëhere a do të ishte e drejtë të thoshim se Shqipëria përballet me një krizë udhëheqjeje?

Sami Repishti: Nuk ka asnjë dyshim. Për fatin e keq të vendit tonë udhëheqja politike është treguar shumë e papjekur. Unë nuk e njoh personalisht zotin Nano, por në bazë të asaj që kam lexuar dhe nëpërmjet kontakteve që kam patur me vizitorë shqiptarë dhe miq amerikanë, figura e zotit Nano paraqitet mjaft e përçundur. Është opinioni i përgjithshëm, për shembull, se zoti Nano është dembel, është pijanec, është i korruptuar deri në palcë, ka krijuar një rreth satelitësh që e shfrytëzojnë dhe se punët e shtetit nuk janë preokupimi i tij kryesor. Uroj që të mos jetë kështu. Por megjithatë, eksperienca e viteve të kaluara e mbështet këtë akuzë.

Për sa i përket zotit Berisha, unë e kam përkrahur atë në fillim si shpresa e shtresave të shtypura dhe si shpresa për ndërtimin e demokracisë. Por ai mbetet numër një dhe i padiskutueshëm dhe kjo është një e metë e madhe që e ka dëmtuar mjaft patinë Demokratike por edhe popullin shqiptar. Doktor Berisha erdhi në fuqi me një kapital të madh politik dhe moral, ai fitoi zgjedhjet e para të lira në 1992 me një përqindje të madhe. Ai përfaqësonte shpresat dhe aspiratat e pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare që ka vuajtur nën komunizëm. Ai fitoi sepse premtoi ndërtimin e një shteti ligjor dhe të një shoqërie shqiptare demokratike. Më vjen keq të them, por ai ka dështuar në të dyja. Në vend të demokracisë ai pruri autokracinë personale që është e pakundërshtueshme, në vend të shtetit ligjor dhe demokratik ai e bëri partinë demokratike një instrument kontrolli të jetës politike dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë. Më vonë ai ka vazhduar me demonstrata dhe bojkotime të vazhdueshme të kuvendit. Me këtë ka treguar se favorizon më tepër aktin e sundimtarit se sa të sistemit demokratik. Sot Partia Demokratike përballet përsëri me elektoratin dhe premton shumë. A do të jetë e ndërgjegjshme udhëheqja e Partisë Demokratike? Këtë nuk e di, por shpresoj.

Zëri i Amerikës: Profesor, po ta trajtonim pak më teorikisht këtë çështje, për mendimin tuaj, cili është burimi i kësaj mungese përgjegjësie tek këta dy persona?

Sami Repishti: Më vjen keq, por më duhet të jem pak i ashpër në lidhje me të dy. Që të dy janë prodhime të përpunuara në kuzhinën e Partisë së Punës së Shqipërisë. Unë mendoj se këta dy njerëz, me gjithë vullnetin e mirë që kanë, e këtë nuk mund t’ua mohoj, ata nuk mund të jenë demokratë me shpirt. Duke u mbështetur në eksperiencën e 13 vjetëve të fundit, unë kam arritur në përfundimin se këta njerëz vazhdojnë akoma me mentalitetin e Partisë së Punës së Shqipërisë, me mentalitetin e sistemit një partiak, me mentalitetin e udhëheqësit të pagabueshëm. Demokracia në Shqipëri patjetër që do të triumfojë, udhëheqësit politikë në Shqipëri vetëm mund ta vonojnë, dhe do ta vonojnë për sa kohë që nuk e kuptojnë se sistemi i tyre, mënyra e tyre e të menduarit nuk është demokratike. Prandaj, së pari ata duhet të reformojnë veten, partitë e tyre dhe pastaj shoqërinë shqiptare.

Zëri i Amerikës: E megjithatë, a mbeteni optimist se e ardhmja e afërt do të jetë më e mirë?

Sami Repishti: Dashje pa dashje ne jemi pjesë e Evropës. Evropa është shtëpia jonë. Veprimtaria shkatërrimtare e qëllimshme apo për mungesë pjekurie nga udhëheqja politike shqiptare më bën të dyshoj se ajo nuk është në gjendje të riparojë dëmin e madh që i ka shkaktuar vendit dhe popullit tonë. Atëhere do të dali pa dyshim një klasë e re poltike që do të jetë koshiente e kësaj situate që do të marrë në dorë fatin e vendit tonë, që do të sjellë përsëri respektin për vendin tonë dhe respektin e vendit tonë për botën e jashtme.

Zëri i Amerikës: Çfarë rezultatesh parashikoni për zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri?

Sami Repishti: Me krijimin e një situate të re pas zgjedhjeve, që unë besoj se do të fitohen nga Partia Demokratike, do të dëshiroja të krijohej një situatë e re për debate, diskutime dhe refleksion në mënyrë të qytetëruar. Shqipëria ka shumë nevojë për një gjë të tillë. Unë do të dëshiroja që të gjitha partitë politike ta përcaktojnë mirë identitetin e tyre, sepse tani për tani janë të mbështetura në frazeologji propagandistike. Do të dëshiroja gjithashtu që ato të mos identifikohen vetëm me udhëheqësit e tyre por me filozofitë e tyre politike, me programin e tyre partiak.

Edhe shoqëria shqiptare në përgjithësi duhet ta fillojë një debat të tillë sa më shpejt, sepse ai do të ndihmonte në forcimin e shoqërisë civile, ndërsa mungesa e tij do të ishte një disfatë për Shqipërinë. Ky imperativ kategorik bëhet edhe më urgjent për shkak të disfatës që pësoi Bashkimi Evropian në Bruksel. Kjo e largon shumë pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që ka qënë një nga ato premtimet politike që partitë e mëdha i kanë bërë popullit shqiptar. Tani që procesi i Brukselit, si të thuash është vonuar ose është ngadalësuar shumë, shqiptarët duhet të mendohen mirë dhe të kuptojnë se shpëtimi i Shqipërisë vjen vetëm nga shqiptarët.

XS
SM
MD
LG