Lidhje

Presidenti Bush shpall planin për ndërtimin e uzinave të reja bërthamore.


Presidenti Bush synon që Shtetet e Bashkuara të ndërtojnë uzina të tjera bërthamore brenda vendit. Siç njofton korrespondenti ynë Scott Stearns, kjo është pjesë e përpjekjeve të presidentit për të ulur varësinë e Amerikës tek nafta e importuar.

Që prej 30 vjetësh, asnjë kompani amerikane nuk ka bërë kërkesë për të ndërtuar një reaktor të ri bërthamor në Shtetet e Bashkuara, kryesisht për shkak të shqetësimeve të publikut rreth sigurisë bërthamore pas incidentit të vitit 1979 në uzinën e ishullit Three Mile të Pensilvanisë dhe shpërthimit të reaktorit të Çernobilit në Ukrainë në vitin 1986.

Por tani që çmimi i naftës ka shkuar në rreth 60 dollarë për fuçi, Presidenti Bush thotë se ka ardhur koha për të rigjallëruar industrinë bërthamore amerikane.
"Energjia bërthamore është një nga burimet më të sigurta të energjisë në Amerikë," tha presidenti.

Presidenti e shpalli planin e tij gjatë një turneu në disa uzina bërthamore në jug të Uashingtonit, ku ai foli edhe për shqetësimet e publikut rreth energjisë bërthamore.

"Disa amerikanë i mbajnë mend problemet që shkaktuan uzinat bërthamore në vitet 70. Ne të gjithëve na kujtohen ato ditë. Kjo i ka frikësuar shumë njerëz. Por njerëzit duhet ta kuptojnë se përparimet e shkencës dhe të inxhinjerisë si dhe ato të arritura në projektimet e uzinave bërthamore i kanë bërë këto uzina shumë më të sigurta se sa më pare".

Presidenti Bush e shtroi çështjen edhe në këndvështrimin e avantazhit që do të kishte një politikë e tillë në konkurrencën ekonomike botërore. Edhe pse gjatë 30 viteve të fundit nuk është ndërtuar asnjë uzinë bërthamore, Shtetet e Bashkuara e sigurojnë 20 përqind të energjisë elektrike nga uzinat bërthamore. Në të njëjtën kohë, thotë Presidenti Bush, Franca ka ndërtuar 58 reaktorë, të cilët sigurojnë rreth 80 përqind të elektricitetit të vendit.

Shumë shkencëtarë vazhdojnë të shfaqin shqetësim rreth depozitimit të mbeturinave bërthamore. Por një pjesë e mirë e çështjeve që lidhen me mjedisin kanë ndryshuar në këto 30 vjetët e fundit për arësye se uzinat bërthamore nuk prodhojnë të ashtuquajturit gazra që shkaktojnë efektin serrë, siç prodhojnë uzinat me naftë, qymyrguri apo gaz natyror.


"Ekziston një konsensus në rritje se sa më shumë të përdoret energjia bërthamore, aq më i pastër dhe aq më i sigurt do të jetë vendi”.


Si pjesë të projektligjit të tij për energjinë, Presidenti Bush kërkon që qeveria të garantojë kompanitë që do të ndërtojnë uzinat e reja bërthamore se ato nuk do të bëhen objekt aktpadish ose liçensimesh që mund të shkaktojnë vonesa. Kongresi po shqyrton gjithashtu mundësinë e garantimit të kredive dhe të uljes së taksave për reaktorët e rinj.

XS
SM
MD
LG