Lidhje

Debat elektoral për zonën 90 në Gjirokastër


Kandidatët e zonës 90 në Gjirokastër, Makbule Çeço e Partisë Socialiste, Genc Ruli i Partisë Demokratike dhe Ilir Mustafaraj i Lëvizjes Socialiste për Integrim, flasin në një intervistë për Zërin e Amerikës për planet e tyre elektorale për Gjirokastrën.

Zëri i Amerikës: Zonja Çeço, ju keni përfaqësuar Gjirokastrën në parlament prej 8 vjetësh. Kur qytetari të shkojë pas dy javësh në qendrën e votimit, çfarë do të mbajë mend ai nga përfaqësimi juaj? A keni ndermarrë ju në kuvend ndonjë nismë, që u ka ardhur drejtëpërdrejtë në ndihmë banorëve të Gjirokastrës? Pra çfarë keni bërë ju për këtë qytet?

Makbule Çeço: Sigurisht unë rikandidoj në Gjirokastër dhe gjatë mandatit tim të kaluar, unë jam mbështetur tek burimet njerëzore, natyrore, kulturore dhe historike dhe Gjirokastra gjatë këtij mandati që mbyllëm, ka pësuar një transformim të dukshëm, i cili krijon dhe bazën për një hop cilësor, ose për ringritjen e madhe të Gjirokastrës, në periudhën 2005 – 2009. Konkretisht Gjirokastra vuante tmerësisht për ujë dhe tashti jemi në përfundimin e projektit madhor të ujësjellësit të ri të Gjirokastrës. Po kështu gjatë kësaj perirudhe në Gjirokastër ka pësuar ndryshim të dukshëm infrastruktura kryesore rrugore, sikurse janë bërë ndërhyrje të ndjeshme edhe në sistemin arësimor, në sistmein shëndetësor dhe në të gjitha fushat e tjera të jetës në Gjirokastër.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli ju rikthehni në politikë pas një shkëputje disa vjeçare. Në vitin 2001, në Gjirokastër fituan socialistët. A mendoni se ju do të jeni në gjendje ta përmbysni këtë prirje dhe përse?

Genc Ruli: Edhe unë kam qënë më parë deputet i Gjirokastrës në mandatin 1992 – 1996. Kam bindjen derisa kandidova dhe zgjodha përsëri Gjirokastrën, që do t’i sjellë fitues siglën e PD-së në Gjirokastër. Kjo bindje vjen sepse Gjirokastra, sikundër edhe krahinat e tjera të Shqipërisë, ka vuajtur po atë problematikë të shkaktuar nga një qeverisje pa efektivitet dhe e korruptuar, ka problematikën e madhe të një korrupsioni galopant, të një papunësie e varëfërie të ndjeshme. Mendoj se këto janë arësye të mjaftueshme për çdo votues që të votojë ndryshimin normal, i pritur nga forca politike e radhës për një qeverisje më të mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaraj, ju përballeni drejtepërdrejt në këto zgjedhje me dy kandidatë, të konsideruar të fortë nga analistët dhe që përfaqësojnë dy partitë kryesore. Si do ta kapërcenit ju këtë disavantazh, në se do të shpreheshim kështu?

Ilir Mustafaraj: Së pari mendoj që avantazhi im është që kandidoj për herë të parë. Së dyti mendoj që forca politike që përfaqësoj, programi i saj, është vërtetë ambicioz dhe synon t’i japë një pamje të re Gjirokastrës, në përputhje me dëshirat e shumë gjirokastritëve për ta bërë realisht metropol të jugut. Në këtë kuadër synohet ndërhyrje në politikat specifke për rivitalizmin e gjithë jetës ekonomiko-sociale të qytetit, për frenimin e rrënimit të pjesës historiko-muzeale, që është veçanërisht karakteristike e këtij qyteti, nëpërmjet ndërhyrjes drejtëpërdrejt të shtetit me investime dhe me kredi të buta dhënë banorëve të shtëpive që janë realisht me vlera historiko-muzeale. Në këtë kuadër parashikojmë nxitjen e turizmit, me fonde strukturore të Bashkimit Evropian dhe në kuadrin e krijimit të euro-rajonit do të nxiten marrëdhëniet me Janinën fqinje e të tjera. Pra siç shikohet është një program ambicioz që elektorati do ta mbështesë dhe me siguri do të votojë për ne.

Zëri i Amerikës: Zonja Çeço, Gjirokastra ka fatin të shërbejë si pika kryesore e komunikimit me Greqinë, ku ndodhen qindra mijëra emigrantë shqiptarë. Normalisht kjo duhet të çonte në një zhvillim të shpejtë të këtij qyteti, por që duket se nuk ka ndodhur. Gjirokastra ndeshet me të njejtat probleme si papunësia e varfëria. Çfarë do të benit ndryshe ju këtë herë, krahasuar nga 8 vitet e mëparshme, në se do të fitonit?

Makbule Çeço: Platforma ime për Gjirokastrën është një platformë ambicioze dhe e bazuar në platformën politike të Partisë Socialiste, që është jjë platformë që përcakton strategjitë e zhvillimit të vendit për mandatin 2005-2009, me një dimension social, zhvillim të shpejtë të vendit dhe dimension integrues në strukturat euro-atlantike. Në këtu kuadër dy janë objektivat madhore që unë kam identifikuar në këtë platformë: Gjirokastra në UNESCO dhe Gjirokastra qytet metropol në jug të vendit. Realizimi i këtyre objektivave tashmë është konkretizuar në investime të Ministrisë së Kulturës, të cilat i gjejmë edhe në buxhetin afat mesëm të hartuar gjatë kësaj periudhe që mazhoranca socialiste qeverisi vendin, ligji i trashëgimisë kulturore për mbrojtjen e monumenteve të kulturës, donatorët e shumtë në Gjirokastër, duke filluar që nga qeveria austriake me projektin Gjirokastra e bukur, dosja e plotë tashmë e Gjirokastrës në UNESCO, që do të kalojë në korrik në komitetin ekzekutiv të kësaj strukture. Por ndërkohë Gjirokastra si qytet metropol, është në udhëkryq të superstradave, siç është superstrada tashmë Gjirokastër – Tepelenë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, në se Partia Demokratike dhe ju fitoni në këto zgjedhje, çfarë politike do të ndiqnit për emigrantët shqiptarë në Greqi, a jeni ju për vazhdimësinë e politikave të tanishme, apo do të bëhen ndryshime?

Genc Ruli: Pa dyshim kjo është një pikë mjaft e rëndësishme në programin e Partisë Demokratike, që merr një rëndësi të veçantë për Gjirokastrën si një rreth me emigracion të lartë në këtë zonë. Emigrantët do të jenë në qendër të diplomacisë shqiptare, përpjekjeve tona në marrëdhëniet me shtetin fqinj grek, të cilat duhen mbajtur në një konstante në rritje, jo të kenë luhatjet që kanë pasur herëpashere. E dyta, para se të kërkojmë legalizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, do të japim edhe vetë një shembull, në respektimin, në përputhje, por edhe në kuadër të Këshillit të Evropës, të të drejtave të minoritarëve. Ky avancim diplomatik nga ana jonë, do të na jepte mundësinë që edhe ne të risim presionin diplomatik ndaj shtetit grek për të legalizuar, një iniciativë e nisur tashmë, por ende e papërfunduar, statusin e emigrantëve shqiptarë dhe nga ana tjetër shteti duhet të lehtësojë me shërbimet e tij konsullore, me shërbimet që lidhen me pajisjen me dokumeta të rëndësishëm indentifikues, pasaporta, letërnjoftime, emigrantët shqiptarë që shkojnë jashtë, duke parë në bashkëveprim edhe me shtetin grek, mundësinë e ndërprerjes së imigrimit ilegal.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaraj, kohët e fundit partisë tuaj i janë bërë thirrje të ndryshme për të bashkëpunuar me socialistët në emër të një fitoreje të së majtës. A do ta pranonit ju një shkëmbim votash në proporcional dhe mazhoritar me socialistët, në zonën ku ju jeni?

Ilir Mustafaraj: Jo, nuk do ta pranojmë. Ne jemi një forcë me një identietet të qartë. E kemi bërë të qartë para gjithë opinionit publik, që ne do të hyjmë në zgjedhje të vetëm, sepse e bazojmë rezultatin tonë tek programi ynë ambicioz. Ne nuk do të pranojmë të bashkëpunojmë sidomos me klane të caktuara monopoliste edhe pas përfundimit të procesit zgjedhor, kështu që përgjigja është kategorike jo. Nuk kemi asnjë lloj shkëmbimi, as në proporcional, as në mazhoritar, me asnjë nga partitë që konkurojnë.

Zëri i Amerikës: Le të shkëputemi për pyetjen e fundit nga zona elektorale që ju të tre synoni të përfaqësoni, meqë ju mbani edhe poste të larta në partitë përkatëse. Zonja Çeço, një nga kritikat më të shpeshta që i është bërë qeverisjes socialiste është çështja e korrupsionit. Përse duhet të besojë sot elektorati për t’ua dhënë votën ju, kur edhe pas 8 vjetësh megjithë premtimet e vazhdueshme, korrupsioni vazhdon ende të jetë një prej problemeve kryesore?

Makbule Çeço: Korrupsioni është një problem që vihet në qendër të vëmendjes edhe si rrjedhojë e debateve politike, të luftës për pushtet që bën opozita e sotme ndaj forcës politike kryesore drejtuese të vendit. Ndërkohë që vullneti politik është i plotë nga mazhoranca socialiste për të luftuar korrupsionin dhe këtë unë mund ta materializoj me të gjitha ndryshimet që janë bërë në shoqërinë shqipëtare. Në se ky korrupsion do të ishte i tillë, siç shprehen forcat opozitare sot, atëhere nuk do të kishim këtë hop në të gjitha aspektet, qoftë në zhvillimet infrastrukturore, qoftë në zhvillimin e ekonomisë, qoftë në realizimin e strategjive madhore, siç është strategjia e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit dhe strategjive dikasteriale. Pra rezultatet janë të tilla që tregojnë një kontradiktë me qëndrimin që mban opozita. Kjo nuk do të thotë që qeveria shqiptare nuk e ka në vëmendje luftën ndaj korrupsionit dhe për këtë ne kemi treguar vullnetin e posaçëm, vullnetin e plotë, të fuqishëm, dudke filluar që me ndryshimet në legjislacion dhe me krijimin e institucioneve të tilla të rëndësishme, që nga inspektoriati i lartë i kontrollit të pasurive dhe të gjitha struktura te tjera në fundion të luftës kundër shkaqeve të korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ruli, PD në këtë fushatë është shprehur se do të godasë seriozisht korrupsionin dhe monopolet. Ekonomistë të ndryshëm janë shprehur se këto dy fenomene janë futur aq thellë në shoqëri, ose siç jeni shprehur edhe ju dikur, kanë kapur shtetin, saqë lufta ndaj tyre nuk është e lehtë. Çfarë ju bën ju optimist të premtoni sot eliminimin e tyre?

Genc Ruli: Sfida më jetike në programin e Partisë Demokratike mbetet pikërisht lufta ndaj korrupsionit. Së pari kjo ka rëndësi për t’i kthyer shqiptarëve besimin se politika mund të bëhet edhe pa korrupsion, që shteti i tyre mund të mos jetë i korruptuar. Partia Demokratike e ka këtë nismë për ta realizuar që në 100 ditët e para të qeverisjes. Do mendoja që së pari akti i shprehur që tani për heqjen dorë vullnetarisht nga mandati të deputetëve të Partisë Demokratike, në mënyrë që ata të dalin hapur para çdo procesi hetimor, në lidhje me abuzime me fonde publike, mendoj që është një tregues i rëndësishë. Do rishikohet sa më parë ligji i miratuar së fundi, mbi konfliktin e interesave, në mënyrë që emërimet e zyrtarëve më të lartë të PD-së, në funksionet politike, apo të adminsitratës së lartë, të mos bëhen me njerëz të cilët janë në konflikt të hapur interesi për shkak të bizneseve të shumta të deklaruara, por jo që ata kanë. Sigurisht që kjo kërkon reforma shumë më të thella, të cilat deri tani kanë rezultuar të dështuara, në lidhje me gjithë procesin e prokurimeve, vendosja e ombudsmanit, një praktikë e njohur në perëndim për prokurimet, besoj se do të sjellë rezultate të ndjeshme, dhe (reforma) në gjithë procesin e licensimit, i cili në vetevete është një vatër korrupsioni, duke thjeshtuar procedurat dhe duke rritur transparencën në të. Nga ana tjetër, angazhimi i shoqërisë civile, së bashku me forcën politike që do të udhëheqë vendin, si një mbikqyrës i gjithë veërimtarisë së zyrtarëve të lartë, është mjaft e rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaraj, duke u shkëputur si fraksion i PS, LSI është kritikuar edhe ajo si pjesë e problemit përsa i përket korrupsionit dhe monopoleve. Përse duhet votuesi t’i besojë kësaj partie sot?

Ilir Mustafaraj: Po është e vërtetë që korrupsioni, konflikti i interesave, lufta kundër monopoleve ishin shkaqet kryesore të shkëputjes së LSI-së si forcë politike më vete. Është e vërtetë gjithashtu që çdo arritje, të paktën e këtyre 8 vjetëve nuk mund të mos jetë pjesë edhe e njerëave që sot janë anëtarë të LSI-së, të cilët kanë shërbyer në struktura të ndryshme të shtetit, apo në biznese. Është e vërtetë gjithashtu që edhe gjatë kohës së qeverisjes së politikanëve të ndryshëm që sot aderojnë në LSI, është folur për masa të pamjaftueshme për luftën kundër korrupsionit. Por më duhet të pohoj, se LSI është e vendesur ta luftojë seriozisht dhe me masa të gjithashme, si korrupsionin, konfliktin e interesave, ashtu edhe monopolet në ekonomi dhe në politike. Ne mendojmë se këto monopole sjellin autokraci, dhe autokracia është e pashmangshme me korruësionin dhe konfliktin e interesave dhe të njejtën kohë konflikti i interesave dhe korrupsioni sjell gjithë autokraci. Prandaj ne jemi të vendosur ta luftojmë në radhë të parë duke reformuar, atë që mbetet shpresa për gjithë shqiptarët: reforma të plota në sistmein e drejtësisë, dhe në të gjithë organizmat që merren me krimin e organizuar, me krimin e zakonshëm e të tjerë.

XS
SM
MD
LG