Lidhje

Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje udhëheqësve politikë shqiptarë të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve


Departamenti amerikan i Shtetit bëri sot një deklaratë për zgjedhjet e tre korrikut në Shqipëri ku u kërkoi udhëheqësve politikë të respektojnë dispozitat e kodit të sjelljes dhe të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Teksti i plotë i deklaratës së zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Adam Ereli

Më 3 korrik, shqiptarët do të shkojnë për të votuar. Këto zgjedhje përfaqësojnë një ndër ngjarjet më të rëndësishme në Shqipëri që nga rënia e komunizmit. Zgjedhjet, nëse plotësojnë standardet ndërkombëtare, do të shihen nga Shtetet e Bashkuara dhe nga bashkësia ndërkombëtare si provë se Shqipëria po bën përparim të qartë në rrugën për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e komunitetit euro-atlantik.

Kohët e fundit, udhëheqësit e të gjitha partive politike të Shqipërisë nënshkruan një kod të sjelljes për zgjedhjet. Ne e vlerësojmë këtë gjest dhe besojmë se ky është një tregues se sa mirë mund të punojnë me njëri-tjetrin udhëheqësit politikë të Shqipërisë për të garantuar që këto zgjedhje të plotësojnë standardet ndërkombëtare.

Ne jemi të kënaqur për faktin që udhëheqësit politikë të Shqipërisë janë angazhuar për një fushatë demokratike, civile dhe paqësore. Ka rëndësi thelbësore që të gjitha partitë dhe udhëheqësit politikë të respektojnë dhe t’u përmbahen dispozitave të kodit të sjelljes, pjesë kryesore e të cilit është pranimi nga udhëheqësit dhe mbështetësit e partive të rezultateve të zgjedhjeve të lira e të drejta.

Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë marrëdhënie të shkëlqyera. Ne kemi gjithashtu vlera të përbashkëta të bazuara në besimin tonë te demokracia dhe te roli qendror që luan shteti ligjor në ruajtjen e demokracisë. Ne u bëjmë thirrje shqiptarëve dhe partive të tyre politike që të shfrytëzojnë rastin që paraqesin zgjedhjet për të dëshmuar më tej kredencialet demokratike të Shqipërisë dhe për ta mbajtur Shqipërinë me vendosmëri në rrugën drejt hyrjes në institucionet euro-atlantike.

XS
SM
MD
LG