Lidhje

Debati me përfaqësuesit e tre prej partive politike të Shkodrës


Në kuadër të debate elektorale mbi zgjedhjet në Shqipëri, Zëri i Amerikës zhvilloi një bisedë telefonike me përfaqësues të tre forcave politike të qytetit të Shkodrës. Ky qark ku përfshihet edhe Puka e Malësia e Madhe ka 9 zona zgjedhore, një më shumë se në zgjedhjet e kaluara të vitit 2001. Para 4 vjetësh Partia Demokratike fitoi drejtëpërdrejt në 6 zona, ndërsa socialistët në 2. Shkodra, Puka dhe Malësia e Madhe vazhdojnë të jenë zona me zhvillim të ulët ekonomik dhe me nivel të lartë papunësie. Interviste me Astrit Bushatin e Partisë Demokratike, Ndue Doda te Partisë Socialiste dhe Arjan Boriçi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar

Zeri i Amerikës: Zoti Bushati, në Shkodër historikisht që pas rënies së komunizmit ka fituar e djathta dhe megjithëse qarku i Shkodrës përfaqësohet në parlament me një numër të madh deputetësh të PD-së, ka kritika se zëri i tyre është dëgjuar pak për problemet me të cilat ndeshet ky qark. Përse duhet atëhere që votuesit t’ua japin përsëri juve votën?

Astrit Bushati: Është e vërtetë që Partia Demokratike ka fituar vazhdimisht që nga viti 1991 në thuajse të gjitha zonat elektorale të rrethit dhe qarkut të Shkodrës. Dhe kjo për arsye se Shkodra ka qënë një ndër bazat e anti-komunizmit, një nga bazat e luftës që është bërë nga ana e komunistëve gjatë 50 vjetëve në pushtet, një ndër nismëtarët e lëvizjeve demokratike në rang vëndi. Kështu që i ka besuar përfaqësusve të saj që nga vitet e para të demokracisë. Në periudhën e parë në vitet 92-96, Shkodra njohu zhvillime ashtu si gjithë Shqipëria, zhvillime tepër të mëdha si në punësim, si në ndryshimin e gjendjes ekonomike të vendit e të rajonit dhe ka drejtuar vazhdimisht me ndershmëri si në pushtetin lokal ashtu edhe për sa i përket përfaqësuesit të saj në parlament, përfaqësim që ka qënë vazhdimisht serioz, duke zgjedhur nga figurat kryesore të Partisë Demokratike. Ne besojmë që qëndresa e Shkodrës në votën për PD-në nuk ka gabuar asnjë herë sepse PD-ja dhe opozita e sotme ka parawitur gjithnjë vlerat e këtij qyteti, vlerat historike dhe ka përfaqësuar atë që ne kemi kërkuar në vitet 90-të, që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, gjë që gjatë viteve të fundit nuk është realizuar dhe Shqipëria e në veçanti veriu i Shqipërisë, Shkodra kanë njohur përkeqësim të gjendjes ekonomike, përkeqësim në të gjitha nivelet makro-ekonomike, janë larguar nga Shkodra shumë qytetarë, shumë biznese. Furnizimi i Shkodrës me energji elektrike ka qënë skandaloz me 6 deri 8 orë energji elektrike në ditë. Pra janë shumë arsye që Shkodra voton përsëri për Partinë Demokratike, voton për shpresën, voton për ndryshime, kundër korrupsionit, krimit e të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Doda, demokratët e kanë kritikuar qeverisjen socialiste se e ka lënë Shkodrën në harresë përsa u përket investimeve meqë kjo zonë ka mbështetur vazhdimisht demokratët. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave? A jeni ju të kënaqur me interesimin e qeverisë për Shkodrën?

Ndue Doda: Në platformën politike Partia Socialiste ka përcaktuar shumë qartë se çdo të bëjë për Shkodrën. Po të bëjmë krahasimet e qeverisjes së Partisë Demokratike, e cila është në pushtet, nga viti 1991 deri më 1997, për gjithë Shqipërinë, por në vecanti për Shkodrën, nga viti 1991 deri më 2005 gjithë populli e Shkodrës e sheh me sy dhe e prek me dorë se çka bërë Partia Demokratike edhe në qeverisjen vendore edhe në qeverisjen qëndrore. Jo vetëm kaq, por përfaqësuesit e Shkodrës në parlamentin shqiptar kanë qënë të paaftë për të bashkëpunuar me qeverinë qëndrore. Janë investime të shumta që janë refuzuar nga pushteti vendor i Shkodrës, shembulli më i fundit është pikërisht kur kryetari i Bashkisë së Shkodrës megjithë kërkesën e kryeministrit shqiptar për të bërë një mbledhje në qytetin e Shkodrës për të mirën e Shkodrës u refuzua nga kryetari i bashkisë sepse politika e Partisë Demokratike është një politikë që e ka mbajtur të bllokuar qytetin e Shkodrës.

Zëri i Amerikës: Zoti Boriçi, ju jetoni prej vitesh në Shtetet e Bashkuara dhe jeni rikthyer për këto zgjedhje duke vënë kandidaturën për deputet. A keni arritur të përshtateni me klimën politike shqiptare?

Arjan Boriçi: Gjatë 20 vjetëve që kam jetuar në Amerikë e kam ndjekur me interes gjendjen në Shqipëri nëpërmjet gazetave, vizitave që kam bërë në vëndlindje dhe nëpërmjet të afërmve. Sidomos me ardhjen time në Shqipëri dhe në Shkodër jam familjarizuar shumë shpejt me aktualitetet këtu në Shkodër. Shkodrën mund ta quajmë me të vërtet një qytet i harruar nga të dy partitë e mëdha politike dhe për mendimin tim Shkodra ka nevojë për një lëvizje të re. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar është një parti që bashkon gjithë popullin shqiptar për të krijuar një shtet dhe një legjislaturë evropiane me modelin e shteteve perëndimore. Pikërisht ky është edhe qëllimi i ardhjes time për të lidhur diasporën, që është e edukuar në Perëndim, me vendim tim, sidomos me qytetin e Shkodrës, që për mendimin tim është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për gjithë rajonin.

Zëri i Amerikës: Zoti Bushati, një prej problemeve të hershme të Shkodrës eshte mungesa e furnizimit me energji. Partia Demokratike kontrollon edhe Bashkinë në Shkodër. Në se PD-ja i fiton zgjedhjet, si mund ta zgjidhë ajo problemin e përmirësimit të furnizimit me energji?

Astrit Bushati: Në radhë të parë në Shkodër nuk do të ketë asnjë diskriminim pas tre korrikut dhe pas ardhjes në pushtet të forcave demokratike. Shkodra do të furnizohet njësoj me energji elektrike si gjithë Shqipëria, pasi gjatë këtyre tetë viteve energjia elektrike ka munguar vazhdimisht dhe është një nga shkaqet kryesore të rënies ekonomike, të prishjes së bizneseve dhe të largimit të bizneseve, të uljes së punësimit, të uljes së treguesve ekonomikë të rrethit dhe qarkut të Shkodrës. Ne i premtojmë, dhe ky është një premtim real, sepse edhe ditët e fundit gjatë fushatës elektorale PS është duke e mbajtur energjinë elektrike për këtë muaj, por si vazhdimisht ajo pas dy javëve ia ka hequr energjinë elektrike rrethit të Shkodrës. Ne do të jemi ata që do t’i sjellim Shkodrës dhe KESH-it një administrim krejt tjetër të energjisë elektrike duke i furnizuar qytetarët vazhdimisht për aq sa është e mundur pa diskriminim në krahasim me pjesën tjetër të Shqipërisë, por sigurisht do të bëjmë një menaxhim tepër të mirë të KESH-it dhe të Shkodrës për të evituar të gjitha problemet që kanë ndodhur vitet e fundit me administrimin e KESH-it, me vjedhjet, me korrupsionin e theksuar në këtë ndërmarrje kaq të rëndësishme në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Zoti Doda, si kryetar i Partisë Socialiste për Shkodrën çfarë mendoni se ka ndikuar në mbështetjen e dobët që ekziston për PS në qytetin tuaj dhe si mund ta fitojnë socialistët besimin e qytetarëve?

Ndue Doda: Tashmë PS nga viti në vit po i shton radhët si nga pikpamja e numrit ashtu edhe nga përfaqësimi intelektual i qytetit të Shkodrës. Po të shikojmë nga viti në vit edhe fitorja e PS në kuptimin e forcës politike po gëzon më shumë respekt. Në këto zgjedhjet e fundit ne po shohim se kandidatët tanë të PS po marrin mbështetje të fuqishme në të gjitha zonat zgjedhore. Kjo tregon edhe për besimin që PS ka fituar tashmë në Shkodër. Po të shikosh problemet që PS ka vazhduar të zgjidhë dhe po zgjidh për Shkodrën ato janë të shumta. Po të krahasosh vetëm investimet që janë dhënë në kohën e qeverisë sonë, janë shtatë herë më shumë se në kohën e PD kur gjithë drejtuesitg kryesorë të shtetit shqiptar kanë qenë nga Shkodra dhe nga veriu. Prandaj përpjekja e PD për të minimizuar investimet dhe punët e mira që qevrisja socialiste ka bërë për Shkodrën nuk qendron sepse janë dështake sepse tashmë qytetarët po i japin gjithnjë e më shujmë mbështetje subjektit tonë politik. Edhe po të shikosh KESH-in për të cilin flasin shumë opozita dhe pjesa tjetër, sidomos PD, qeveria shqiptare ka dhënë miliona lekë pikërisht për vendosjen e matësve, për linjat e reja të energjisë elektrike, për nënstacione, kabina të reja dhe brenda vitit 2007 si gjithë Shqipëria edhe Shkodra do të ketë 24 orë energji elektrike. Por faji për këtë situatë përsëri i takon PD, e cila nga viti 91 deri më 97, bile deri në vitin 2003, ka vazhduar përsëri aksionere duke e mbajtur të bllokuar investimin për energjinë elektrike të Shkodrës.

Zëri i Amerikës: Zoti Boriçi, Lëvizja për Zhvillimin Kombëtar, ka thënë se synimi është largimi i të majtëve nga pushteti. Por duke konkuruar për vota me aleancën e djathtë të grupuar rreth partisë demokratike, a nuk po e dëmton LZHK-ja synimin e vet?

Arjan Boriçi: Jo. Unë mendoj që LZHK-ja është një kritikë e fortë dhe e shëndetëshme për PD sepse ne kemi një platformë të mirëfilltë të djathtë. Ne udhëheqësime nga një lider, një figurë e pastër, siç është Mbreti Leka i Parë, kemi platformën tonë politike, e cila bazohet mbi pronën private, mbi ligjin, drejtësinë dhe shtetin. Ne kërkojmë që të bëjmë një shtet të fortë, dinjitoz për të gjithë shqiptarët. Përkundrazi, ne e kemi thënë që pas votimeve, ne do të bëjmë aleancë me partitë e djathta. Kështu që unë mendoj se kjo nuk është një lëvizje që e dëmton të djathtën por është shumë e shëndetëshme për politikën dhe për demokracinë në Shqipëri. Unë mendoj se cilado parti që do të fitojë këto zgjedhje duhet që forca politike të mos jetë monopol i një partie por vullneti i partive të respektohet në mënyrë të atillë që të formohet një parlament sa më i denjë dhe i drejtë me njerëz të ndershëm që të përfaqësojnë elektoratin shqiptar.

XS
SM
MD
LG