Lidhje

Të rejat e fundit nga Hollivudi


Çfarë ndodh kur njerëzit e famshëm dhe të suksesshëm ndeshen me zhgënjimin e publikut? Ka nga ata që përdorin famën e tyre të mëparshme për të filluar një jetë të re dhe shpesh herë po aq të susksesshme sa edhe më parë. Por ka të tjerë që përgjigjen me përulje dhe përpiqen të mësojnë nga kjo përvojë siç është rasti i ish-aktorit Arnold Shvarceneger.

Shvarcenegeri provon shijen e hidhur të mungesës së popullaritetit

58-vjeçari Arnold Shvarceneger po kupton për herë të parë se cfarë do të thotë se mos jesh popullor. Por suksesi në filma apo martesa e tij me gazetaren e njohur Maria Shraiver, mbesë e familjes Kenedi, nuk duket se po e ndihmon imazhin e tij në Kaliforni këto ditë. Shvarcenegeri mund ta ketë pasur të lehtë të luftonte me qënie jashtë-tokësore, por duket se nuk i vjen aq për mbarë të përleshet me mësuesit dhe infermierët për të vënë në jetë reformat që ai si gurvernator i Kalifornisë ka propozuar në sistemin e arsimit dhe shëndetit. Një anketë e re tregon se ai gëzon vetëm 37 për qind të mbështetjes së elektoratit të tij. Në përgjigje të rënies së popullaritetit të tij, Shvarceneger tha këtë javë se është i gatshëm të përpiqet për një kompromis mbi buxhetin shtetëror, me demokratët. Guvernatori konservator ka pasur përplasje të shumta me demokratët që kontrollojnë Kongresin e këtij shteti, por duket se rënia e popullaritetet e ka ndihmuar Shvarcenegerin të analizojë më me gjakftohtësi realitetin.

Sarah Ferguson përdor famën e kaluar mbretërore për të reklamuar në Amerikë

Sarah Ferguson, një tjetër person publik që kaloi nga e famshme në famëkeqe, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Fergi, siç njihet shkurtimisht, mori famë kur u martua me Princin Eduard të Anglisë dhe u bë Dukesha e Jorkut, por u bë epiqendra e një skandali mbretëror nga një marrëdhënie jashtë-martesore me një ndër këshilltarët e saj. Por duket se ish-dukesha e ka marrë veten fare mirë që kur humbi titullin mbretëror. Këtë javë ajo ishte në Nju Jork për të prezantuar një sanduiç të ri me emrin e saj i cili shërbehet në kafenenë e famshme Stage Deli. Fergi ka vite që përdor famën që trashëgoi nga familja mbretërore e Anglisë, për të nxjerrë fitime të konsiderueshme. Ajo prej kohësh reklamon një regjim diete të kompanisë Weight Watchers, së cilës i atribuon fitoren e saj mbi mbipeshën disa vjet më parë.

“Sinqerisht e dashur, as që dua t’ia di fare” e filmit “E ikur me erën”, fraza më e preferuar e filmave

Çdokush nga ne ka një këngë -- apo një film të preferuar. Por kohët e fundit, Instituti Amerikan i Filmit u dha mundësi amerikanëve të paraqesin preferencat e tyre për frazat më të famshme të filmave. Rezultatet e anketës, të botuara me titullin 100 vjet – 100 Fraza Filmash, rendisin në vend të parë fjalët e fundit të Ret Batlerit në Filmin - E Ikur me Erën në momentin kur ndahet nga e shoqja, Scarlet O’Hara, së cilës i thotë “Sinqerisht, e dashur, as që dua t’ia di fare.” Në vend të dytë i famshi Marlon Brando, ndoshta në rolin e tij më të paharruar, si bosi i mafias Don Corleone në filmin, Kumbari. - "Do t’i bëj një ofertë që s’do të mund ta refuzojë", thotë Don Korleone, duke iu referuar një marrëveshjeje mafioze. Në vend të tretë përsëri Marlon Brando në filmin Pranë Ujit, ku aktori luan një boksier. Në listën e 10 frazave më të paharrueshme nga filmat përfshihet edhe vargu i Humphrey Bogardit në Filmin Casablanca, kur i drejtohet së dashurës së tij, Ilsës, luajtur nga Igrid Bergman me fjalët "E ngre Këtë Dolli për Ty.”

XS
SM
MD
LG