Lidhje

Presidenti Bush dhe kryeministri irakian nuk japin afat për tërheqjen e trupave nga Iraku


Presidenti Bush dhe kryeministri irakian Ibrahim al-Jaafari thanë se nuk do të ketë ndonjë afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. Dy udhëheqësit diskutuan mbi strategjinë politike dhe ushtarake në një kohë kur anketat e opinionit në Shtetet e Bashkuara tregojnë se mbështetja për luftën në Irak po shënon rënie.

Presidenti Bush hodhi poshtë thirrjet e bëra nga demokratë të Kongresit si dhe nga disa republikanë për të caktuar një afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku, duke thenë se kjo do t’u jepte guxim kryengritësve.

"Përse duhet që t’i themi armikut – ky është afati, prandaj na prit sa të ikim? Nuk ka kuptim të kemi një afat. Dihet se kur shpall afat, i bëhet një lëshim tepër i madh armikut. Dhe ky është një armik që do të mposhtet pa tjetër," tha Presidenti Bush.

Presidenti Bush tha se mënyra më e mire për të nderuar mëse 1 mijë e 700 amerikanët e vrarë në Irak është të çohet deri në fund misioni i filluar.

Kryeministri al-Jaafari u takua me ushtarë të plagosur amerikanë gjatë vizitës së tij në Uashington. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit me Presidentin Bush, udhëheqësi irakian falenderoi amerikanët për sakrificën e tyre dhe tha se tani nuk është koha që trupat të tërhiqen.

"Ata kanë pësuar humbje krah për krah njëri-tjetrit në luftën kundër një armiku të përbashkët: terrorizmit. Ata luftuan për sigurinë e Irakut por edhe për Amerikën. Kjo nuk është koha për t’u tërhequr," tha kryeministri irakian.

Vizita e zotit al-Jaafari është pjesë e një fushate të Shtëpisë së Bardhë për të shtuar vemendjen e amerikanëve te gjendja në Irak, në një kohë kur mbështetja për luftën po bie. Një anketë e rrjetit CBS News dhe e gazetës New York Times tregon se vetëm 37 përqind e amerikanëve e miratojnë mënyrën se si presidenti po e trajton luftën në Irak, nga 45 përqind që ishte në muajin shkurt.

I pyetur për rënien në anketat e opinionit, Presidenti Bush tha se ky është një moment kritik për të venë në provë vendin, tani që terroristët përpiqen të ndikojnë mbi opinionin publik në Irak dhe në Shtetet e Bashkuara.

"E gjithë përpjekja e tyre është që të frikësojnë popujt e të dy vendeve. Pikërisht këtë po përpiqen të bëjnë ata. Ata mendojnë se nëse arrijnë të trondisin vullnetin tone dhe të ndikojnë mbi opinionin publik, atëhere politikanët do të heqin dorë nga misioni i tyre. Unë nuk do të heq dorë nga misioni. Ne do të bëjmë atë që duhet."

Presidenti Bush tha se rruga përpara në Irak nuk do të jetë e lehtë, por ai nuk mund të pranojë asgjë tjetër përveç fitores.

"Objektivi i armikut është të na dëbojë nga Iraku përpara se irakianët të kenë krijuar një qeveri të sigurt dhe demokratike. Ata nuk do të kenë sukses," tha presidenti.

Presidenti Bush i vazhdon përpjekjet për të grumbulluar mbështetje në popull për luftën në Irak me një fjalim që do të mbajë të martën mbrëma në televizion – pikërisht në përvjetorin e parë të transferimit të sovranitetit irakian.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan tha se ka rëndësi të veçantë që Presidenti të flasë mbi strategjinë e tij për Irakun në një kohë kur amerikanët po shohin në televizion imazhe shqetësuese të vazhdimit të dhunës.

XS
SM
MD
LG