Lidhje

Debati ynë elektoral:  flasin përfaqësues të dy partive politike kryesore të Vlorës


Zëri i Amerikës: Zoti Habilaj, gjatë katër viteve të shkuar, krahas përparimeve që janë bërë në Vlorë, ende ka probleme të mprehta si varfëria, mungesa e investimeve të huaja dhe mungesa e një vizioni të qartë për zhvillimin urbanistik të qytetit. Çfarë përgjegjësie mban qeverisja juaj si socialistë dhe çfarë i ofroni ju elektoratit?

Bashkim Habilaj: Partia Socialiste në qytetin e Vlorës ka dy mandate në pushtetin vendor dhe dy mandate në pushtetin qendror në qeverisje. Në momentin që mori pushtetin, qoftë në nivel vendor edhe në atë qendror diskutohej për projektet e emergjencës dhe për projekte jetike të qytetit, ndërsa sot diskutohet mbi probleme që lidhen me përballjen me turizmin që ka një rritje shumë të madhe vitet e fundit. Partia Socialiste gjatë kësaj periudhe është munduar të zgjidhë problemin e furnizimit me ujë, energji dhe urbanizimin e qytetit që është një domosdoshmëri për krijimin e një infrastrukture të tillë që t’i shërbejë jo vetëm qytetit por edhe turistëve të cilët në këtë qytet janë të mirëpritur dhe kanë qenë të shumtë gjatë kësaj periudhe. Ne vizionin për zhvillimin e Vlorës e kemi të programuar dhe të përcaktuar dhe mbi bazën e këtij vizioni ne kryejmë shumë projekte të cilat po zbatohen sot në qytet – një qytet totalisht në ndërtim qoftë në drejtim të rrugëve kryesore edhe atyre lidhëse me qytetet e tjera dhe me bregdetin ku janë hedhur 23 milion dollarë gjatë kësaj periudhe.

Zëri i Amerikës: Zoti Sharra, kandidatët e Partisë Demokratike kanë premtuar shtimin e vendeve të punës dhe zbutjen e varfërisë. Ku i bazoni këto premtime?

Agron Sharra: Unë do t’i përgjigjem më drejtpërdrejt pyetjes suaj. Ideja e Partisë Demokratike për çeljen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e situatës ekonomike ka të bëjë me faktin që ne si forcë politike kemi vendosur që nën siglën Koha për Ndryshim – Me Duar të Pastra – të luftojmë monopolet, të lutojmë korrupsionin, të vemë në funksion zbatimin e ligjit i cili për fatin e keq në Shqipëri merr formën e enës në të cilën hidhet dhe në funksion të kësaj zhdukja e monopoleve krijon mundësi për vende pune sepse atë nivel ekonomik që është në duart e një përqindjeje të vogël të tregtarëve të mëdhenj e shpërndan në një pjesë më të madhe të popullsisë. Korrupsioni është galopant dhe sipas statistikave zyrtare ndërkombëtare, 1,4 miliard dollarë në Shqipëri lëvizin nga institucioni më i vogël tek zyrtarët më të lartë. Gjithnjë në funksion të zbatimit të ligjit i cili do t’u japë prioritet të gjitha problemeve kryesore që ka sot Shqipëria, krijon hapësirën e nevojshme demokratike dhe ligjore për t’i zbatuar këto.

Zëri i Amerikës: Zoti Habilaj, këto 2-3 vitet e fundit, ka patur rritje të numrit të turistëve, kryesisht shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Megjithatë, ju e se infrastruktura që i pret këta turistë mbetet e dobët. Çarë planesh keni për përmirësimin e kësaj infrastrukture?

Bashkim Habilaj: Është e drejtë që infrastruktura nuk është e plotë, nuk është rritur paralelisht me rritjen e flukst të turistëve. Ato të dyja kanë ecur, mundësitë e shtetit në këtë periudhë kanë qenë të tilla që nuk i kanë plotësuar totalisht ato por projektet që kemi sot në zbatim dhe projektet në perspektivë mendoj se do të ecin më shpejt se sa fluksi i rritjes së turizmit në zonën bregdetare të Vlorës dhe të periferive të saj. Problemi kryesor në infrastrukturë ka qenë rruga bregdetare që sot po përfundon nga Palasa deri në Vlorë – superstrada 20 milion dollarëshe, riparimi i plazheve krysorë të qytetit dhe atyre periferike, furnizimi 24 orësh me ujë dhe energji i këtij territori, mbështetja e turizmit hotelier dhe atij familjar dhe në perspektivë ne do të mbështesim programet për zhvillimin e turizmit elitar tradicional, pra jo të kopjuar.

Zëri i Amerikës: Zoti Sharra, kandidatët e Partisë Demokratike premtojnë se do të dyfishojnë numrin e turistëve. Lind natyrshëm pyetja se ku e bazoni ju këtë premtim, po të kemi parasysh vështirësitë në infrastrukturë dhe natyrisht edhe problemet me gjendjen e rendit nuk mungojnë.

Agron Sharra: Natyra i ka dhuruar qytetit tonë florë dhe faunë të pasur, mjedise të mrekullueshëm si detin, Karaburunin dhe Sazanin, Lagunën e Nartës dhe të Orikumit, të cilat janë një pasuri e pazëvendësueshme. Vetë turizmi familjar i cili në vitet e pas sundimit komunist ka qenë prioritet për rrethin e Vlorës do të ketë angazhimin total që Vlora t’i japë përparësi. Por si mund t’i jepet kjo përparësi? Nëqoftëse do të ketë ujë 24 orë, nëqoftëse do të ketë drita 24 orë, padyshim që turizmi do të marrë prioritet. Mungesa e tyre nga sistemi i drejtimit socialist ka bërë që ky numër të reduktohet dhe normalisht të ardhurat e turizmit për rrethin e Vlorës kapin 28 përqind. Ne mendojmë se duke i kompozuar këta dy elementë të rëndësishëm të turizmit, pa u futur te turizmi malor dhe sportiv, te turizmi historik dhe ai bregdetar me një vijë bregdetare prej rreth 35 kilometrash, pra duke krijuar këto mundësi më minimale dhe të infrastrukturës së domosdoshme, që Partia Demokratike e shikon si pjesë të shtrimit të autostradës Lushnje-Vlorë, padyshim që do të ketë një prioritet më të madh.

Zëri i Amerikës: Zoti Habilaj, në Vlorë ka tani një realitet të ri, trafiqet kanë rënë por sidomos në zonat rurale ka një shtim në kultivimin e bimëve narkotike. Mos është nënvlerësuar ky problem nga pushtetarët. Çfarë planesh keni për ta luftuar? Bashkim Habilaj: Historia e trafiqeve në Vlorë pothuajse ka përfunduar. Në vitet 97-98 kjo ishte një industri shumë e vështirë për t’u përballuar dhe shteti mori masa ligjore drastike që Vlora si tranzit që ka qenë, sot duke prerë burimet e këtij trafikimi mendoj se rastet sporadike më shumë u kanë krijuar probleme atyre qytetarëve në zonat rurale që janë marrë me këtë lloj trafiku se sa u ka sjell pasurim sepse nuk ekziston më tregu. Qyteti i Vlorës është qytet që nuk ka më absolutisht trafiqe në bregdetin e tij por tradita e mbetur në ato vite ende ekziston në disa njerëz.

Zëri i Amerikës: Zoti Sharra: Sa të rëndësishme e shikoni luftën kundër këtij fenomeni në Vlorë dhe çfarë i premtoni elektoratit?

Agron Sharra: Pa dyshim që Partia Demokratike e shikon si të rëndësishme luftën kundër këtij trafiku sepse ai favorizon terrorizmin ndërkombëtar. Trafiku i bimëve narkotike në Shqipëri le shumë për të dëshiruar në drejtimin e pushtetit të sotëm. Lufta e policisë sot është e paspecializuar. Unë mund t’ju jap një rast të fundit kur vetëm në Peshkëpi u bë një tentativë për të spostuar këto bimë narkotike, u bë një penalizim i disa personave të cilët pas 24 orëve, duke qenë njerëz të pushtetit u liruan nga policia. Në këto momente, nëqoftëse lufta bëhet e paspecializuar, nuk mund t’i shërbehet luftës globale kundër këtij fenomeni.

XS
SM
MD
LG