Lidhje

Presidenti Bush thotë se terroristët përpiqen të frikësojnë Amerikën


Presidenti Bush po vazhdon fushatën për ta përqendruar më tepër vemendjen e publikut amerikan te planet e tij për arritjen e suksesit në Irak, në një kohë që mbështetja e publikut për luftën në Irak vazhdon të bjerë. Demokratët thonë se presidenti ka gabuar në politikën e tij për Irakun duke e bërë Amerikën më pak të sigurt.

Presidenti Bush i shfrytëzoi komentet e tij të përjavshme në radio për të shpjeguar temën e fjalimit që do të mbajë të martën mbrëma drejtuar vendit, me rastin e përvjetorit të parë të transferimit të sovranitetit në Irak.

"Për të pëkujtuar këtë datë historike, unë do të shkoj në Fort Bragg të Karolinës së Veriut, për të folur para trupave dhe popullit amerikan rreth misionit tonë në Irak, pra përse ky mission është i rendësishëm për sigurinë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara. Do të flas gjithashtu mbi strategjinë tonë të fitores në dy fronte. Fronti ushtarak i strategjisë sonë është të mposhtim terroristët dhe të vazhdojmë të ndihmojmë irakianët që të marrin mbi vete përgjegjësi më të mëdha për mbrojtjen e lirisë së tyre. Imazhet që ne shohim në televizion janë një kujtesë e hidhur e faktit se armiqtë e lirisë në Irak janë vrasës të pamëshirshëm të cilëve nuk u bën përshtypje jeta njerëzore."

Zyrtarë të administratës Bush po shqetësohen gjithnjë e më shumë rreth ndikimit të këtyre imazheve televizive mbi opinionin publik amerikan. Një anketë e rrjetit televiziv CBS News dhe e gazettes New York Times tregon se vetëm 37 përqind e amerikanëve e miratojnë mënyrën se si e ka trajtuar Presidenti Bush luftën në Irak, nga 45 përqind që ishte në muajin shkurt.

Presidenti Bush thotë se ky është një moment kritik për të vënë në provë vendin, ndërkohë që terroristët përpqien të frikësojnë amerikanët dhe irakianët me shpresën se do t’i detyrojnë trupat tona të largohen para se misioni i tyre të jetë realizuar.

"Objektivi i terroristëve është të thyejnë vullnetin e Amerikës dhe të popullit irakian përpara se demokracia të ketë zënë rrënjë."

Një pjesë e mirë e fushatës së presidentit për të rikthyer vëmendjen e amerikanëve tek planet rreth së ardhmes së Irakut, është përqendruar tek lidhja që ai ka bërë vazhdimisht midis sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe ndërhyrjes për rrëzimin e Saddam Husseinit. Presidenti Bush thotë se Amerika hyri në luftë sepse ajo u sulmua dhe ajo ende është në luftë pasi ende ka njerëz që përpiqen të dëmtojnë amerikanët.

Në përgjigjen e palës demokrate ndaj fjalimit, ish-këshilltari i sigurimit kombëtar Zbigniew Brzezinski tha se lufta në Irak e ka bërë Amerikën më pak të sigurt, duke e kthyer Irakun në kampin më efektiv të botës për stërvitjen e terroristëve.

"Kjo luftë është drejtuar me një inkompetencë taktike dhe strategjike. Dy vjet pas ndërhyrjes, Amerika e gjen veten më të izoluar se kurrë më parë, duke u bërë objekt i një mosbesimi të paparë ndërkombëtar, tha zoti Brzezinski."

Zoti Brzezinski, i cili ka shërbyer në administratën e ish presidentit Karter, tha se amerikanët meritojnë një shpjegim të sinqertë se si përfunduan trupat amerikane në Irak si dhe një përkufizim realist se cili do të quhej sukses në një luftë që, sipas tij, rrezikon gjithnjë e më shumë të kthehet në një batak.

"Patriotizmi dhe dashuria për vendin nuk kërkojnë sacrifice të pafund nga ana e trupave tona në një luftë të justifikuar nga slloganet. Për të garantuar një Amerikë të sigurt, ne kemi përgjegjësinë për shtruar pyetjen se si arritëm në këtë pike dhe se ku do të shkojmë më tej."

Zoti Brzezinski tha se Presidenti Bush duhet të shpjegojë qartë dhe me besueshmëri se çfarë duhet arritur përpara se trupat amerikane të largohen nga Iraku.

Gjatë një konference shtypi me kryeministrin irakian Ibrahim al-Jaafari të premten, Presidenti Bush përjashtoi vënien e një afati për tërheqjen, duke thenë se kjo do të ishte një lëshim tepër i madh që do t’i bëhej një armiku, i cili në këtë rast thjesht do të priste deri sa të largoheshin trupat për t’u aktivizuar përsëri

.

XS
SM
MD
LG