Lidhje

KQZ e shqetësuar për Komisionet e Qendrave të Votimit


Në Shqipëri Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u shpreh sot i shqetësuar lidhur me vonesat në ngritjen e komisioneve të Qendrave të Votimit. Gati 25 përqind e tyre në të gjithë vendin nuk janë formuar për shkak se partitë që kanë anëtarë nuk kanë caktuar ende emrat. Sipas Komisionit Qendror një situatë e tillë rrezikon të krijojë kaos ditën e votimit pasi anëtarët e komisioneve duhet të kalojnë patjetër në procesin e trajnimit.

Nuk kanë të mbaruara problemet artificiale që po shoqërojnë këtë process zgjedhor. Pas vonesave të pajustifikueshme në ngritjen e Komisioneve Zonale, pas problemeve me dorëzimn e listave dhe të qendrave të votimit nga pushteti vendor, sërish partitë shqiptare po pengojnë edhe ngritjen e komisioneve të Qendrave të votimit. Alarmi u dha sot nga komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Zëdhënësi i këtij Komisioni Erton Sinani deklaroi se të paktën 1000 komisione qendrash votimit, ose gati 25 përqind e numrit të përgjithshëm, nuk janë ngritur ende pasi partitë nuk kanë caktuar njerëzit me të cilët do të përfaqësohen. Problemi qëndron në faktin se anëtarët e komisioneve duhet të kalojnë patjetër në një proces trajnimi, pa të cilin ata rrezikojnë të mos njihen me një sërë procedurash.

Sipas zëdhënësit Sinani pa marrë njohuritë e duhura mbi procesin ekziston rreziku që ditën e votimit procesi të mund të bllokohet edhe për procedura mjaft të thjeshta për tu kapërcyer.

Po sot Komiteti shqiptar i Helsinkit ka ngritur shqetësim lidhur me listat e vtuesve. Sipas këtij komiteti një numër jo i vogël zgjedhësish nuk e kanë emrin në lista. Komiteti shqiptar i Helsinkit ka bërë thirrje të gjithë zgjedhësve që nuk figurojnë në istat përfundimtare t’i drejtohen gjykatës e cila është organi i vetëm kompetent për të vendosur lidhur me një cështje të tillë. Por shumë qytetarë kanë nisur të ankohen se janë detyruar të kryejnë një sërë veoprimesh dhe të shkojnë në gjykatë për disa ditë me radhë për të marrë vendimin që u jep të drejtën atyre të votojnë.

Pak ditë më parë, presidenti Alfred Moisiu, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i bëri thirrje gjykatave që ta përmbushin këtë detyrim ligjor me transparencë, përgjegjësi dhe profesionalizëm. Gjykata ka deklaruar presidenti duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme tekniko-administrative për të lehtësuar procesin dhe për të ndihmuar me shpejtësi dhe korrektesë shqyrtimin dhe vendimmarrjen mbi kërkesat e paraqitura. Presidenti Moisiu ka kërkuar që të mos tolerohen vonesa dhe neglizhenca në përmbushjen e kësaj detyre ligjore.

XS
SM
MD
LG