Lidhje

Eduard Selami: Në demokraci nuk ka të humbur e të fituar, fitojnë të gjitha palët


Eduard Selami, ish kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, thotë se sot në Shqipëri ekziston një klimë më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Partia Demokratike, thotë ai, po zhvillon një fushatë mjaft të mënçur elektorale, është e përqendruar në problemet që kanë shqiptarët, përpiqet që të fokusohet në të ardhmen, përpiqet të japë alternativa më të mira zhvillimi.

Zëri i Amerikës: Zoti Selami, si do ta vlerësonit atmosferën politike në Shqipëri në prak të zgjedhjeve të 3 korrikut dhe vetë fushatën parazgjedhore?

Eduard Selami: Unë mendoj se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Kuptohet se në çdo proces demokratik zgjedhjet janë momenti i rëndësishëm i tranzicionit të pushtetit. Por për vetë situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, për vetë periudhën e saj të gjatë të tranzicionit këto janë në qendër të fokusit ndërkombëtar dhe shqiptar, sepse këto janë zgjedhje të cilat do ta ndajnë Shqipërinë nga tranzicioni dhe unë jam optimist se Shqipëria do të shkojë drejt kësaj rruge.

Kuptohet që sa më tepër afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë ashpërsohet klima politike. Ky është një fenomen normal, nuk është një fenomen tipik shqiptar. Por mendimi im personal është që ka vend për një optimizëm të përmbajtur. Kuvendet e dy partive më të mëdha filluan në një mënyrë më të civilizuar, u adresuan më shumë ndaj problemeve që kanë shqiptarët se sa në sulmet reciproke. Kuptohet që do të ngrihet toni sa më tepër afrohet dita e zgjedhjeve.

Por unë jam optimist, dhe ky optimizmi im i përmbajtur bazohet në faktin se klasa politike shqiptare ka mësuar nga gabimet e së kaluarës. Nga ana tjetër shoqëria shqiptare duket më e pjekur në tërësi. Institucionet janë ngritur, pavarësisht se janë të brishta, shtypi shqiptar po luan një rol më pozitiv, është më profesionist, është më faktik dhe është më i balancuar.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara dhe demokraci të tjera perëndimore, kanë kërkuar nga Shqipëria, kryesisht nga qeveria shqiptare të marrë masa që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të drejta. Në Kongresin amerikan këto janë shprehur nëpërmjet rezultateve në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Ku e ka burimin ky preokupim?

Eduard Selami: Unë mendoj se ky shqetësim është i drejtë. Optimizmi im i përmbajtur nuk duhet ngatërruar me mungesën e problemeve. Unë mendoj, shpresoj dhe kam bindjen se shqiptarët dhe klasa politike në Shqipëri do t’i kapërcejnë këto probleme. Por ky shqetësim i bazuar është për faktin se shumë pak nga zgjedhjet që janë bërë kanë qënë të lira dhe të ndershme. Pra është një eksperiencë e hidhur. Por nga ana tjetër duhet parë edhe vlerësimi që i bëhet Shqipërisë. Ajo nuk është një vend që i është hequr filli, po të përdorim një shprehje më popullore, por është një vend që ka potencial, klasa politike ecën në drejtimin e duhur. Shqiptarët, të gjitha institucionet demokratike në Shqipëri, shoqëria civile, shtypi, i kanë mundësitë t’i organizojnë këto zgjedhje që të jenë të lira dhe të ndershme. Dhe në këtë rast unë mendoj që shqetësimi i drejtë i tyre do t’i bëjë zgjedhjet të lira dhe t’i japë fitoren atij që e meriton.

Zëri i Amerikës: Përveç pjesëmarrjes tuaj direkte në politikë, ju keni qënë vëzhgues i zgjedhjeve në disa vende të Evropës Lindore? Çfarë paralelizmi shikoni mes Shqipërisë dhe atyre vendeve ku ju keni vëzhguar zgjedhjet?

Eduard Selami: Kur ke mundësi për ta parë fushatën dhe procesin elektoral edhe nga një pozicion tjetër, siç është ai i vëzhguesit, por unë vazhdoj të jem vëzhgues edhe tani që jetoj këtu në Amerikë, të jep një perspektivë më të qartë për procesin elektoral në përgjithësi. Ka paralelizma, unë nuk mendoj se Shqipëria është një rast unikal dhe i pashpresë në këtë drejtim.

Të gjitha vendet që kanë kaluar në këtë proces të zgjedhjeve kanë hasur këto vështirësi që has edhe Shqipëria. Natyrisht, disa më shumë dhe disa më pak. Për vetë mungesën e traditës demokratike, për vetë mungesën e kushteve të lirisë që Shqipëra ka patur gjatë viteve të diktaturës, kuptohet që ky proces është edhe më i vështirë. Por unë mendoj se në këto zgjedhje shqiptarët dhe klasa politike shqiptare do të arrijnë të kryejnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, do të arrijnë që fitimtarët të mbajnë premtimet që i kanë dhënë popullit.

Ata për të cilët populli vendos për t’i kaluar në opozitë do t’u shtëngojnë duart, do t’u telefonojnë ditën e nesërme për t’u urur suksese atyre që fitojnë dhe të dy palët sëbashku do të vazhdojnë të forcojnë demokracinë. Sepse në demokraci, për mendimin tim personal, nuk ka të humbur e të fituar, fitojnë të gjitha palët. E rëndësishme është që ai grupim që ka alternativën më të mirë, që shumica vendos për t’i dhënë votën, ajo votë të respektohet, ata të mbajnë premtimet dhe të përparojnë në forcimin e institucioneve.

Zëri i Amerikës: Gjatë kësaj fushate duket sikur portretet e individëve të caktuar, dhe këtu e kam fjalën kryesisht për figurat kryesore politike, Kryeministrin Fatos Nano, dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, hera herës eklipsojnë çështjet? Por edhe kur çështjet diskutohen, ato shfrytëzohen si platforma për sulme ndaj individëve. Sa e dëmshme apo e dobishme është për palët rivale në Shqipëri një strategji e tillë?

Eduard Selami: Përpjekjen për të ulur kundërshtarin si rruga më e lehtë për të ngritur veten në politikë unë nuk e shikoj si një fenomen thjesht shqiptar. Ky është një problem i politikës. Ky është më i avancuar dhe duket më hapur në politikën shqiptare se dhe vetë politika shqiptare është në hapat e para. Por ky është një fenomen që ekziston edhe në vendet me demokraci jashtëzakonisht të zhvilluara siç është vendi ku ne flasim. Por në Shqipëri, kuptohet se kjo merr ngjyrime shumë më të theksuara. Për fat të keq një energji shumë e madhe harxhohet në këto sulme personale. Ana tjetër negative është se spostohet vemendja nga çështjet kryesore, nga preokupimet kryesore që ka Shqipëria.

Një vend me demokraci të konsoliduar mund t’ia lejojë vetes luksin e marrjes me jetën personale apo gjëra sipërfaqësore, të cilat edhe këtu janë boshe. Kurse në Shqipëri, kur ka probleme kaq jetike, që kanë të bëjnë me kërkesat minimale, me oportunitetet minimale, që njerzit duan prej demokracisë, kjo e bën kontrastin edhe më të theksuar, dhe e bën akoma më absurd këtë lloj sulmi dhe këtë lloj mbingarkese personale.

Po në këtë pikë, unë mendoj, që ne të gjithë kemi mundësi ta bëjmë këtë fenomen gjithnjë e më të vogël, duke filluar që nga vetë autorët e këtij lloj konflikti absurd dhe të stërzgjatur, ashtu edhe nga partitë politike të cilave ata u përkasin, klasa politike në tërësi, shtypi shqiptar, shoqëria civile dhe shqiptarët në tërësi. Në këtë pikë që të gjithë kanë mundësi për të bërë diçka për ta ulur këtë lloj konflikti artificial, i cili fatkeqësisht jo shumë larg por në 97-tën arriti në pika shumë të rrezikëshme dhe shumë të dëmshme për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Socialistët po përqendrohen shumë në personin e Doktor Berishës dhe në ngjarjet e 1997. A e rrezikon dhe sa e rrezikon kjo Partinë Demokratike në këto zgjedhje?

Eduard Selami: Unë nuk di se kë dëmton më shumë. Kuptohet se 97-ta është një moment shumë i vështirë për të gjithë shqiptarët dhe përgjegjësia kryesore bie mbi ata që ishin në pushtet. Por të ngrihesh sot dhe ta përqendrosh fushatën në 97-tën, nuk mendoj se kjo i shërben vendit dhe i shërben progresit. Kjo është një taktikë që e kanë zgjedhur ata. Është e drejtë e tyre në demokraci për të zgjedhur platformën që ata mendojnë që do t’u sigurojë më tepër sukses.

Për mendim tim, një nga arsyet është sepse tetë vjet në pushtet, pa i humbur vlerat Partisë Socialiste për të stabilizur Shqipërinë pas 97-tës, ka një konsumim të saj, një konsumim të natyrshëm. Kështu që përpjekja për ta spostuar vemendjen nga ky konsumim tek 97-ta, unë mendoj se është një taktikë e tyre për të mbajtur pushtetin. Gjithësesi është e drejtë e tyre. Mendoj se kjo jo vetëm nuk i shërben frymës, klimes politike, por dhe të ardhmes së Shqipërisë. Ky është mendimi im personal.

Zëri i Amerikës: Në platformën e saj zgjedhore, Partia Demokratike ka përfshirë premtime të tilla si përgjysmimi i taksave, rritja e rrogave të mësuesve, zhdukja brenda gjashtë muajsh e monopoleve ekonomike dhe hapja e dyerve të universiteteve për të gjithë? Sa realiste janë këto premtime?

Eduard Selami: Për mendimin tim Partia Demokratike po zhvillon një fushatë mjaft të mënçuar elektorale. Është e përqendruar në problemet që kanë shqiptarët, përpiqet që të fokusohet në të ardhmen, përpiqet të japë alternativa më të mira zhvillimi. E mbështetur kjo edhe me një prurje të njerëzve të rinj, me një hapje të Partisë Demokratike, jo vetëm me njerëz të rinj por edhe me njerëz që kanë kontribuar më parë, që ishin shkëputur nga Partia Demokratike, dhe që kthehen përsëri, unë mendoj se ky është hap pozitiv.

Premtimet konkrete janë shumë të rëndësishme. Se sa do të mbahen, këtë realiteti do ta tregojë, në qoftë se Partia Demokratike fiton në zgjedhjet e ardhëshme. Mendimi im është që këto premtime duhen mbajtur, duhet krijuar shtrati ligjor që të gjitha këto gjëra të bëhen. Kuptohet që firoja e atyre që premtohen dhe atyre çka bëhen është në politikë. Puna është që të zvogëlohet kjo gjë dhe premtimet të jenë sa më realiste me qëllim që të mos krijohet një iluzion i dëmshëm, i cili, kur partitë vinë në pushtet, kthehet menjëherë kundër tyre sepse njerëzit humbasin durimin, të bazuar në një iluzion apo në premtime, të cilat është vështirë për t’i mbajtur. Por unë mendoj se premtimet e Partisë Demokratike janë premtime plotësisht të mbajtëshme dhe janë në objektivin e duhur, atje ku u dhemb shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Ju ishit një nga figurat kryesore në fillimet e demokracisë në Shqipëri. Ju jeni larguar nga skena politike shqiptare rreth 10 vjet më parë, por mbeteni vëzhgues i saj. A mendoni të ktheheni përsëri në Shqipëri për të marrë pjesë në politikë apo në sfera të tjera të jetës së vendit?

Eduard Selami: Pa tjetër. Dua të shpeh këtu falenderimet e mia për kërkesat dhe ofertat që më janë bërë deri tani. Një mendim kryesor është këtu në këtë gjë. Unë pjesëmarrjen në politikën shqiptare nuk e shoh si karierë politike. Kështu që në këtë aspekt, për mua afrimet që bëhen për poste të caktuara nuk kanë atë peshë që ata mendojnë se unë shikoj në to. Për mua pjesëmarrja në politikën shqiptare, rikthimi në Shqipëri, do të varet nga ajo çka unë do të vlerësoj si kontribut për përparimin e demokracisë dhe Shqipërisë. Sot për sot unë nuk shikoj këtë hapërisë.

Megjithatë, gjërat lëvizin, gjërat ndryshojnë, një gjë dua të theksoj që unë as e kam harruar Shqipërinë dhe as besoj se do ta harroj. E ndjek, nuk jam atje por e ndjek këtu me kujdes dhe gjëja që mua do të më gëzojë më shumë në jetën time është të shikoj një Shqipëri që futet normalisht dhe shkon në drejtimin e duhur të progresit, se kjo është në të mirën e gjithë shqiptarëve të cilët kanë vuajtur shumë. Kjo nëse bëhet pa mua, unë s’kam asnjë qejfmbetje në atë pikë dhe bile do ta uroja. Nëse do të ketë nevojë për kontributin tim dhe unë do ta vlerësoja që ky kontribut do ta ndihmonte Shqipërinë në këtë progres unë nuk do ta kurseja kontributin tim.

XS
SM
MD
LG