Lidhje

Dhoma e Perfaqësuesve miraton rezolutën për Shqipërinë


Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi mbrëmë një rezolutë ku i bëhet thirrje Shqipërisë të marrë masa që votimet parlamentare të 3 korrikut të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare për zgjedhjet e drejta dhe të lira. Rezoluta ishte propozuar nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve Chris Smith dhe Eliot Engel dhe ishte miratuar javën e kaluar nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë i kësaj dhome.

Edhe Senati amerikan ka dalë me një rezolutë të ngjashme. Në rezolutë thuhet se Shqipëria ka rastin të demonstrojë gatishmërinë për të ndërmarrë hapat që e çojnë drejt integrimit europian dhe euroatlantik duke zhvilluar votime që përputhen me standardet e OSBE-së për zgjedhje të lira e të drejta.

Në rezolutë thuhet gjithashtu se qytetarëve të Shqipërisë, ashtu si të gjithë njerëzve të tjerë, duhet t’u jepet mundësia të kenë përfaqësuesit e tyre në parlament dhe në qeveri përmes zgjedhjeve të lira e të drejta si dhe t’u kërkojnë llogari këtyre përfaqësuesve.

Rezoluta mbështet angazhimin e shprehur nga partitë politike të Shqipërisë për të respektuar kodin e sjelljes gjatë fushatës dhe u bën thirrje këtyre partive si të gjithë zyrtarëve zgjedhorë t’u përmbahen ligjeve që lidhen me zgjedhjet, t’i kryejnë aktivitetet e tyre në mënyrë të paanëshme dhe transparente dhe të lejojnë vëzhguesit e huaj e të vendit të kenë mundësi të monitorojnë lirisht të gjitha aspektet e procesit elektoral, siç janë takimet publike të fushatave, kandidatët, mediat, votimet, numërimi i votave pas zgjedhjeve dhe ankesat që lidhen me to.

Në rezolutë mbështetet ndihma e Shteteve të Bashkuara ndaj popullit të Shqipërisë për të ngritur një sistem demokratik plotësisht të lirë dhe të hapur, një ekonomi të begatë të tregut të lirë si dhe që Shqipëria të ketë vendin e saj në institucionet europiane dhe euroatlantike, përfshirë Naton.

Gjithashtu, rezoluta i kërkon Presidentit Bush t’i komunikojë qeverisë së Shqipërisë, të gjitha partive politike dhe kandidatëve si dhe popullit shqiptar rëndësinë e madhe që qeveria amerikane u jep këtyre zgjedhjeve parlamentare si faktor qendror në përcaktimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG