Lidhje

Fahri Balliu me monografinë polemizuese mbi Nexhmije Hoxhën


Shtëpia Botuese “55” sapo ka nxjerrë nga shtypi një monografi polemizuese mbi Nexhmije Hoxhën, një nga përpjekjet më të plota të bëra deri tani në shkrimet historike të kësaj fushe, për të hedhur dritë mbi vitet e diktaturës komuniste.

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka shoqëruar me parathënien "Gra tiranësh" librin voluminoz të autorit Fahri Balliu. "Mendoj se libri plotëson gjyqin e munguar të diktaturës, i cili nuk është bërë asnjëherë dhe për këtë shkak diktatura është prezente në këtë të ashtuquajtur tranzicion, që në fakt është lëngata e diktaturës dhe ajo ndodhet në indet e politikës shqiptare" i thotë autori i librit Fahri Balliu.

Në rreth 300 faqe janë hedhur një mori faktesh dhe dëshmish të padëgjuara më parë mbi jetën e Shqipërisë nën diktaturën komuniste dhe mbi lidhjet e veçanta të diktatorit Enver Hoxha me bashkëshorten e tij. "Në përgjithësi në Shqipëri është arrestuar kujtesa për shkak të medias së majtë, e cila është më e fuqishme sesa media që është e interesuar të ndriçojë të vërtetën historike. Dhe ky është një libër që përpiqet të çlirojë nga arresti kujtesën e shqiptarëve".

Ndërsa redaktori i librit, prof.dr. Aurel Plasari, thotë se në këtë libër kushtuar të vesë së diktatorit shihen qartë mekanizmat e dhunshëm që e shtynë popullin shqiptar në humnerat më të thella të diktaturës. "Shkrimet dhe dhuna verbale e shkrimore prodhuar nga kjo zonjë tashmë prej 10 vjeçari, së bashku me “redaksinë e saj” ose me bashkëpunëtorë legalë dhe ilegalë të arkivave të shtetit, asaj pjese të arkivave të ndaluar për informacionin publik, janë bërë prej kohësh pa asnjë dyshim një shqetësim për qytetarinë shqiptare, për kujtesën historike dhe politike të shqiptarëve" - tha zoti Plasari.

Ky libër është edhe një përpjekje tjetër për të ndryshuar sadopak qëndrimin fals të historiografisë zyrtare komuniste ndaj ngjarjeve tragjike që e përfshinë Shqipërinë në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të me instalimin e diktaturës komuniste gjatë dhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. "Ekziston një historin e trishtë dhe e dhimbshme e Shqipërisë me gati 50 vjet krime të ushtruara mbi qindra mijëra familje shqiptare, mbi vetë Shqipërinë, mbi vetë kombin shqiptar të lënë mënjanë, të hedhur në greminë, të braktisur në fundin e Europës. Por ndërkohë lexuesi ka parë prej shkrimeve të kësaj gruaje dhe ka provuar mbi vete vetëm dhunën verbale dhe shkrimore, alibinë e krimit, mbështetjen e krimit, apologjinë e masakrës që është ushtruar mbi shqiptarët" - thotë zoti Plasari.

Shkrimtari Ismail Kadare duke krahasuar bashkëshortet e diktatorëve Mao Ce Dun në Kinë, rumunit Çaushesku dhe Enver Hoxhës, thekson në parathënien e librit se "në këtë hierarki të zezë, ndonëse e dënuar me një burgim të paktë, Nexhmije Hoxha zë vendin më të errët". Libri po përkthehet me shpejtësi edhe në aglisht e frëngjisht për të bërë të mundur një informim sa më të gjerë të publikut të interesuar shqiptar dhe ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG