Lidhje

Fjalimi i presidentit Bush mbi strategjinë në Irak


Presidenti Bush tha dje se kryengritësit në Irak po përpiqen të dobësojnë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara, por nuk do t’ia arrijnë qëllimit të tyre. Në një fjalim me rastin e përvjetorit të parë të transferimit të sovranitetit në Irak, Presidenti Bush tha se puna në Irak është e vështirë dhe e rrezikshme, por sakrificat janë të domosdoshme.

Presidenti Bush i bëri thirrje popullit amerikan për durim në atë që e quajti, një punë e vështirë dhe e rrezikshme në Irak. “Misioni ynë në Irak është i qartë. Ne jemi në kërkim të terroristëve. Ne po ndihmojmë Irakun të ndërtojë një vend të lirë, që të jetë aleat në luftën kundër terrorizmit. Ne po përhapim lirinë në Lindjen e Mesme.”

Presidenti Bush përsëri i hodhi poshtë zërat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. “Krijimi i një afati artificial do të dërgonte mesazhin e gabuar tek irakianët, të cilët kanë nevojë ta dinë se ne nuk do të largohemi para se të përfundojmë punën. Do t’u dërgonte mesazhin e gabuar trupave, të cilat duan ta dinë se ne jemi seriozë për përfundimin e misionit, për realizmin e të cilit ato po rrezikojnë jetën. Dhe do t’u dërgonte mesazhin e gabuar armiqve, të cilët në një rast të tillë e gjitha që do të bënin ishte të prisnin sa të largohemi ne. Ne do të qëndrojmë në Irak për sa kohë të duhet dhe asnjë ditë më shumë.”

Presidenti Bush i bëri komentet në një fjalim drejtuar mbarë vendit me televizion, që u mbajt në një prej bazave më të mëdha ushtarake, në Fort Bragg të Karolinës së Veriut. Rreth 10 mijë trupa në Irak janë nga kjo bazë.

Presidenti u tha ushtarëve dhe familjarëve të mbledhur në bazë se përgjegjësia e tij kryesore si president është të mbrojë popullin amerikan. Iraku, tha presidenti, është fushë beteja kryesore në luftën globale kundër terrorimit. “Mësimi i kësaj përvoje është i qartë: terroristët mund të vrasin njerëz të pafajshëm, por ata nuk mund të ndalojnë lirinë. Mënyra e vetme që të fitojnë armiqtë tanë është në se ne harrojmë 11 shtatorin, në se ne e lemë Irakun në duar të njerëzve si Zarkawi dhe në se ia lëmë Lindjen e Mesme njerëzve si Bin Ladeni. Për hir të sigurisë komëtare, sa të jem unë president, kjo nuk do të ndodhë.”

Fjalimi u mbajt me rastin e një vjetorit të transferimit të sovranitetit në Irak; në një kohë ku dhuna atje vazhdon ndërsa mbështetja në Amerikë për presidentin ka rënë. Sipas anketave të fundit, shumica e amerikanëve nuk janë të kënaqur me mënyrën e trajtimit të luftës në Irak. Por shumica po ashtu thonë se trupat duhet të qëndrojnë në Irak, derisa ky vend të stabilizohet. Shumica e demokratëve të opozitës dhe disa republikanë po ashtu kanë ngritur dyshime mbi politikën e adminsitratës për luftën në Irak.

XS
SM
MD
LG