Lidhje

Reagime ndaj fjalimit te presidentit Bush


Reagimi i Kongresit ndaj fjalimit të mbrëmshëm të Presidentit Bush për Irakun ka qënë i ndarë sipas vijave partiake.

Republikanët në Kongres po e vlerësojnë Presidentin Bush për vendosmërinë e tij. Ndihmësi i udhëheqëst të shumicës në Senat, Mitch McConnel tha se është i kënaqur që Presidenti Bush po i përmbahet kursit në Irak. “Puna jonë në Irak përbën një sfidë të madhe, por është njëkohësist edhe një mision fisnik gjatë të cilit po bëhet përparim çdo ditë, një mesazh ky, që për mendimin tim, Presidenti Bush e bëri shumë të qartë mbrëmë”.

Por demokratët thonë se Presidenti nuk e bëri të qartë se çfarë planesh ka për ta përfunduar me sukses ndërhyrjen në Irak. Ata thonë se administrata ishte e papërgatitur për kryengritjen dhe nuk ka dërguar mjaft trupa për të stabilizuar vendin dhe për të mbrojtur kufijtë me Sirinë, nga ku luftëtarët e huaj hynë në Irak për t’u bashkuar me kryengritësit.

Senatori Jack Reed, demokrat nga Rhode Island, i cili është edhe anëtar i Komisionit të Senatit për forcat e armatosura, iu kundërvu shpjegimit të presidentit për pushtimin e Irakut: “Ai sugjeroi se ka përgatitur një kurth të sofistikuar për të rrethuar mijëra terroristë në Irak, kështu që t’i shkatërrojë ata atje dhe jo këtu në rrugët e Shteteve të Bashkuara. Në fakt, ky kurth i sofistikuar mund të ketë qënë një pritë në të cilën ne kemi ndeshur, të papërgatitur, pa parashikuar kryengritje dhe tani e kami gjetur veten përballë kësaj beteje, që po mbështetet nga disa terroristë të huaj, që po hyjnë në vend”.

Demokratët janë gjithashtu të irrituar se zoti Bush e lidhi përsëri luftën në Irak me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, për të cilat komisioni hetimor për ato sulme mban përgjegjës rrjetin terrorist të Osama bin Ladenit.

Demokrati më me influencë në Komisionin e Senatit për Zbulimin, Jay Rockefeller i Virginias Perëndimore bëri këtë koment: “Ajo nuk kishte aspak të bënte me Osama Bin Ladenin, nuk kishte aspak të bënte me al-Qaidën, nuk kishte aspak të bënte me 11 shtatorin, që ai e përmendi tri apo katër herë dhe e la të kuptohej tri apo katër herë të tjera. Nuk ka patuar asnjë lidhje mes këtyre ngjarjeve, Saddam Husseinit, dhe armëve të shkatërrimit në masë, që natyrisht nuk u gjendën atje”.

Zoti Rockefeller tha se Presidenti ka të drejtë kur shprehet se al-Qaida e shikon tani Irakun si një fushëbeteje për të luftuar Amerikën, sepse ai ua dha atyre këtë objektiv.

Ndërkaq, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClelan tha se demokratët po i keqinterpretojnë komentet e zotit Bush lidhur me 11 shtatorin. Ai tha se Presidenti i përmendi sulmet jo për të ndryshuar justifikimin e tij për luftën por për të shpjeguar arsyen përse është e rëndësishme të kalohet në ofensivë për të konfrontuar kërcënimet.

Kryetari i Komisonit të Senatit për Politikën, senatori Jon Kyl nga Arizona, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë rrugë tjetër, veçse të ndihmojnë irakianët të shtypin kryengritjen dhe të vendosin një demokraci në Irak sepse rreziqet janë të mëdha. “Le të mendojmë se çfarë do të ndodhte në qoftë se terroristët do të merrnin nën kontroll Irakun. Le të mendojmë sikur Saddam Husseini të rikthehet në fuqi. Iraku do të bëhej bazë aktive e terrorizmit në Lindjen e Mesme. Përparimi i bërë në vendet fqinje si Pakistani, përpjekjet e bëra drejt demokracisë në vende si Libani, Egjipti, Arabia Saudite, të gjitha do të humbisnin”. Zoti Kyl është dakord me zotin Bush se caktimi i një afati për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku do ta forconte armikun.

Edhe disa demokratë janë kundër caktimit të një afati të tillë, por mbështetisn lidhjen e përparimit të bërë në Irak për formimin e një ushtrie të fortë dhe një demokracie të qendrueshme me tërheqjen graduale të trupave amerikane nga ai vend.

XS
SM
MD
LG