Lidhje

Chris Smith i Komisionit të Helsinkit vlerëson mbështetjen e Kongresit për zgjedhje të drejta në Shqipëri


Bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, ligjvënësi republikan Chris Smith, bëri mbrëmë thirrje për zhvillimin e zgjedhjeve të drejta dhe të lira në Shqipëri.

Ai gjithashtu vlerësoi kolegët e tij në Dhomën e Përfaqësuesve për miratimin ditët e fundit të Rezolutës 155, ku i bëhej thirrje qeverisë së Shqipërisë që të sigurojë që zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut të zhvillohen sipas standarteve ndërkombëtare për zgjedhje të drejta dhe të lira. “Si një prej 55 vendeve pjesëmarrëse në Organizatën për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, Shqipëria ka detyrimin të pranojë standartet më të larta të të drejtave të njeriut dhe të mbajë zgjedhje të cilat të jenë të ndershme, transparente dhe të paanshme”, -tha ligjvënësi Smith.

Komisioni për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, që njihet edhe si Komisioni i Helsinkit, është një agjenci qeveritare amerikane që vëzhgon përparimin në zbatimin e dispozitave të marrëveshjeve të Helsinkit të vitit 1975.

Komisioni përbëhet nga 9 anëtarë nga senati i Shteteve të Bashkuara, 9 anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga një anëtar përkatësisht nga Departamenti i Shtetit, ai i Mbrotjes dhe i Tregëtisë. “Me ndihmën e OSBE-së dhe ndihmën e organizatave të tjera ndërkombëtare, qeveria shqiptare ka përmirësuar gradualisht sistemin e saj elektoral dhe atë ligjor; synimi tani është kjo prirje të vazhdojë edhe me këto zgjedhje”, -tha Smith.

Rezoluta 155 e Dhomës së Përfaqësuesve, e miratuar më 27 qershor, bënte thirrje që qeveria shqiptare të bëjë të sigurojë që zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut të zhvillohen në përputhje me standartet ndërkombëtare për zgjedhje të drejta dhe të lira. Kjo masë e arritur me bashkëpunimin dy-partiak u realizua me mbështetjen e bashkëkryetarit të Kosmisionit të Helsinkit, Chris Smith.

Më 20 korrik të vitit 2004 Komisioni i Helsinkit zhvilloi seancën “Përparimi i Demokracisë në Shqipëri”, ku ju kushtua vëmendje reformave të veçanta, të nevojshme për të siguruar suksesin e zgjedhjeve të së dielës në Shqipëri. “Unë,- tha ligjvënësi Smith,- jam krenar që Komisioni Helsinki dhe Dhoma e Pëfaqësuesve kanë qenë të aftë, sado pak, ta mbështesin popullin shqiptar t’i japë drejtimin e duhur demokracisë në vend. Komisioni Helsinki, -tha ligjvënësi Smith, - do të dërgojë anëtarë të tij për të vëzhguar nga afër zgjedhjet në Shqipëri dhe siç thuhet në Rezolutën 155 të Dhomës së Përfaqësuesve, liria e çdo vendi është e rëndësishme.

XS
SM
MD
LG