Lidhje

DioGuardi: përmes zgjedhjeve shqiptarët do të shprehin shkallën e respektit për demokracinë


I sapo mbërritur në Shqipëri së bashku me një grup veprimtarësh të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ish kongresmeni amerikan Jozeph DioGuardi morri pjesë mbrëmë në tubimin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, ku kandidon edhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Arjan Boriçi.

Duke folur në këtë tubim, ish kongresmeni DioGuardi tha se zgjedhjet e 3 korrikut kanë një rëndësi të veçantë, sepse përmes tyre shqiptarët do të shprehin shkallën e respektit që kanë për demokracinë. Ish kongresmeni amerikan DioGuardi tha se nuk ka ardhur në Shqipëri për të përkrahur ndonjë parti apo lider partiak. Ai tha se ka ardhur në Shqipëri për të perkrahur popullin shqiptar.

Siqodoftë, zoti DioGuardi bëri të ditur se së bashku me grupin e veprimtarëve të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të mbështesin kandidatë të veçantë, të njohur prej tyre; një kandidat të LZHK në Shkodër dhe nje tjetër të PD në Vlorë. Duke folur për zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut, Jozeph DioGuardi vlerësoi si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e qytetarëve në votim. Cdo njeri, tha ish kongresmeni amerikan DioGuardi, duhet të punojë shumë në ditën e votimit; të shkojë tek fqinjët e tij, tek miqtë dhe familjarët, të shkojë tek njerëzit që njeh, që kanë moshën për të votuar dhe që janë të regjistruar, dhe të sigurohet që këto njerëz do të votojnë. Shqiptarët, tha zoti DioGuardi, nuk kanë arsye që të mos votojnë.

Duke folur për situatën në Shqipëri, zoti DioGuardi tha se nuk është bërë sa duhet për përmirësimin e infrastrukturës dhe se ka probleme me korrupsionin. C’është më e keqja, shtoi ai, gjyqtarët në Shqipëri janë të zgjedhur politikisht dhe jo në mënyrë të pavarur dhe kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë sistemi në Shqipëri.

Ndërkohë, ish kongresmeni amerikan shprehu mendimin se do të ishte në të mirë të zhvillimit të Shqipërisë që në zgjedhjet e 3 korrikut asnjera prej partive politike të mos fitojë 50 përqind të votave. Zoti DioGuardi tha se gjëja më e mirë që mund të ndodhë në Shqipëri në ditën e zgjedhjeve është sikur të ngjante e njëjta gjë që ka ndhodhur më parë në Kosovë, që asnjëra prej partive të mos arrijë të marrë 50 përqind të votave. Kjo, sipas tij, do të bëjë të mundur që partitë e reja, të pavarura, të kenë mundësi të përfaqësohen në parlamentin e ri të Shqipërisë, në mënyrë që qeveria e ardhëshme të jetë një qeveri kualicioni, pasi, ku ka kualicion dhe konkurencë, ka edhe më shumë përparim.

Duke përfunduar, ish kongresmeni amerikan Jozeph DioGuardi, i cili gjendet në Shqipëri së bashku me delegacionin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, u shpreh se ka ardhur koha për një ditë të re për Shqipërinë dhe se shpreson se zgjedhjet e të djelës janë një rast i veçantë për këtë.

XS
SM
MD
LG