Lidhje

Mandatet e arrestit për 13 punonjës të CIA-s, vënë në provë marrëdhëniet Itali-SHBA


Marrëdhëniet midis Italisë dhe Shteteve të Bashkuara u vunë në provë pas lëshimit në Itali të mandateve të arrestit për 13 punonjës të CIA-s të dyshuar për rrëmbimin e një egjiptiani, i cili akuzohej se bashkëpunonte me terroristët. Por gazeta Washington Post njofton se disa zyrtarë italianë kishin dijeni për këtë operacion.

Puna e hetuesve italianë ka nxjerrë në dritë informacion të gjerë mbi atë që hetuesit e kanë quajtur operacioni i CIA-s me një rëndësi të veçantë, i kryer në Milano në vitin 2003. Personi i rrëmbyer ishte Osama Mustafa Hasan Naser, i njohur gjithashtu me emrin Abu Omar, një egjyptian që besohej se kishte lidhje me terroristët islamikë.

Hetuesit italianë thonë se kanë prova se Abu Omar u transportua me avion nga baza amerikane Aviano, në veri të Italisë, në një bazë tjetër amerikane në Gjermani dhe më pas me një avion special të CIA-s u çua në Kajro, ku u burgos dhe u torturua në mënyrë të vazhdueshme.

Prokurorët italianë kanë lëshuar mandate arresti për agjentët e CIA-s që kanë marrë pjesë në këtë mision dhe kërkojnë ekstradimin e tyre.

Qeveria italiane ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të operacionit të CIA-s, por zyrtarë të mëparshëm dhe ata aktualë të CIA-s i kanë thënë gazetës Washington Post se shefi i CIA-s në Romë njoftoi dhe kërkoi miratimin e homologut të tij italian.

Sipas raportit të Washington Post-it, agjentët e zbulimit të të dy vendeve kishin rënë dakord paraprakisht se në qoftë se operacioni bëhej publik, të dyja palët do ta mohonin pjesëmarrjen në mision. Kjo duket se është një marrëveshje standard që CIA bën me agjencitë e huaj të zbulimit të implikuar në operacione sekrete. Gazeta gjithashtu njofton se nga burimet e shërbimeve sekrete del se CIA ka ndërmarrë më shumë se 100 operacione të tilla që nga sulmet e 11 shtatorit.

CIA ka refuzuar të bëjë komente zyrtare mbi këtë ngjarje. Gazetari Paolo Biondani nga e përditshmja italiane “Corriere delle Sera”, që botoi njoftimin e parë mbi rrëmbimin në fjalë, thotë se hetuesit mundën të veçonin kontakte telefonike të bëra nga agjentë të CIA-s me qendrën e tyre në shtetin e Virxhinias në Shtetet e Bashkuara, me Konsullatën Amerikane në Milano, si dhe me bazën amerikane të Avianos në veri të Italisë.

“Disa nga telefonatat ishin me hotele të ndryshme, kështu që policia mundi të zbulonte hotelet ku agjentët kishin fjetur, adresa, numra telefoni në Shtetet e Bashkuara, si dhe kopje të pashaportave të tyre me fotografi.”

Prokurorët e kanë të qartë se shumë nga këto emra janë fiktivë, por jo të gjithë. Deri tani të paktën 3 prej tyre janë realë, ku përfshihet edhe emri i shefit të zyrës së CIA-s në Milano, tashmë në pension.

Për prokurorët italianë si Armando Spataro, të cilët ishin në gjurmët e Abu Omarit, rrëmbimi i tij binte ndesh me interesat e operacionit anti-terrorist që po drejtonin.

“Rrëmbimi i Abu Omarit nuk ishte vetëm një krim, por edhe një dëm serioz në luftën kundër terrorizmit, sepse pa rrëmbimin e tij ne do të mund të merrnim informata të reja dhe do të kishim identifikuar terroristë të tjerë.”

Avokati i Abu Omarit dhe gruas së tij, Carmelo Scambia thotë se nuk u dëgjua asnjë zë shqetësimi apo indinjate mbi rrëmbimin e tij. Avokati shton se agjentët e CIA-s janë ndier të paprekshëm në Itali dhe kjo shpjegohet edhe mosfshehjen e provave nga ana e tyre.

“Unë jam i bindur se ata besonin se vepronin në një terren të tyrin dhe se nuk ishte e nevojshme të ishin të kujdesshëm për të mbuluar gjurmët".

Zyrtarët italianë kanë mohuar se ishin vënë në dijeni për operacionin nga zyrtarët amerikanë dha kanë kërkuar përgjigje lidhur me këtë çështje, si dhe ekstradimin e agjentëve të CIA-s që thuhet se kanë marrë pjesë në operacion.

XS
SM
MD
LG