Lidhje

Kryeministri italian u kërkon Shteteve të Bashkuara të respektojnë sovranitetin e vendit të tij


Kryeministri italian Silvio Berluskoni thirri ambasadorin amerikan në Romë dhe i kërkoi që Shtetet e Bashkuara të respektojnë plotësisht sovranitetin e vendit të tij.

Takimi midis zotit Berluskoni dhe ambasadorit Mel Semblor u përqëndrua në njoftimin për rrëmbimin nga CIA të një kleriku radikal në Milano në vitin 2003. Kleriku në fjalë, Hassan Mustafa Osama Nasr, gjithashtu i njohur si Abu Omar, u transferua më pas në Egjipt, ku ai tha se ishte torturuar.

Autoritetet italiane thanë se ambasadori e siguroi zotin Berluskoni për respektimin e plotë të Italisë nga Shtetet e Bashkuara.

Javën e kaluar, një gjykatës italian dha urdhër për arrestimin e 13 shtetasve amerikanë, me lidhje me CIA-n, që thuhet se kishin gisht në këtë incident. Ministri italian i Çështjeve Parlamentare tha dje në senat se Italia nuk ka pasur dijeni më parë rreth këtij operacioni.

Mjetet italiane të informimit bëjnë të ditur se kleriku kërkohet nën akuzat për veprimtari terroriste.

Zyrtarët amerikanë dhe ata egjiptianë nuk kanë pranuar të komentojnë lidhur me akuzat e bëra në Itali.

XS
SM
MD
LG