Lidhje

SHBA: Anëtarja e Gjykatës së Lartë O’Conner njofton se do të dalë në pension


Anëtarja e Gjykatës së Lartë Sandra Day O’Conner, njoftoi sot se do të dalë në pension, duke i dhënë kështu Presidentit Bush shansin e parë për të emëruar një anëtar të gjykatës më të lartë të vendit. Gjykatësja O’Connor e bëri njoftomin sot dhe përmes një letre i tha presidentit se do të largohet menjëherë sa të konfirmohet pasuesi i saj. Presidenti Bush tha më pas se ai do të zgjedhë një kandidat tjetër sa më shpejt, që të ketë kohë për debat dhe votim në Senat, para se Gjykata e Lartë të fillojë sesionin e ri në tetor. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti do të zgjedhë dikë që “interpreton ligjet” dhe nuk përpiqet të bëjë ligje nga karrigja e gjykatësit. Zëdhënësi tha se nuk pritet ndonjë njoftim për emrin e kandidatit para se Presidenti të kthehet nga takimi i grupit të 8-shes në Skoci më 8 korrik. Largimi i Gjykatëses O’Connor pritet të ndezë një betejë politike midis Republikanëve dhe Demokratëve për pasuesin e saj. Senatorë të njohur demokratë i bënë sot thirrje presidentit të emërojë një kandidat që do të plotësonte standartet e larta të vendosura nga zonja O’Connor. Zonja O’Connor ka shërbyer si anëtare e Gjykatës së Lartë për 24 vjet.

Cila është Sandra Day O’Conner

Gjykatësja Sandra Day O’Connor, anëtari i parë grua i Gjykatës së Lartë amerikane, njihet si një juriste me pikëpamje të moderuara konservatore, vota e së cilës shpesh herë është bërë përcaktuese në rastet e vështira, kur votat e tjera kanë qënë të barabarta. Ajo doli si një forcë e qendrës e gjykatës dhe në vitin 1992, botoi argumentin kryesor ligjor që ripohoi të drejtën ligjore për abort në Shtetet e Bashkuara. Kryetari i shumicës republikane në Senat Bill Frist tha sot se Gjykatësja O’Connor, asnjëherë nuk u lëkund nga pikëpamjet e saj për të cilat kishte bindje të thellë. Zoti Frist tha se ajo ishte tepër krenare për origjinën e saj nga jugu dhe nuk i harroi kurrë vlerat e punës dhë të vetë-besimit që i mori që e vogël. Sandra Day O’Connor lindi në qytetin El Passo të Teksasit në vitin 1930. Vitet e fëmijërisë ajo i kaloi në një fermë në Arizona. Thuhet se ndikimin më të madh në jetën e saj e pati gjyshja. Ajo studio në universitetin Standford ku u diplomua në drejtësi, me rezultate të shkëlqyera në vitin 1952. Por megjithë suksesin e saj akademik, në atë kohë ishte e vështirë për gratë të gjenin punë si avokate dhe kështu ajo hapi zyrën e saj të avokatisë. Në vitin 1969 ajo u emërua në senatin e shtetit të Arizonës dhe pas 10 vjetësh, në vitin 1979, në Gjykatën e Apeleve të Arizonës. Presidenti Regan e emëroi atë anëtare të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara në vitin 1981. Gjykatësja O’Connor është martuar me John Jay O’Connor dhe ka tre fëmijë. Një punonjës i Gjykatës së Lartë tha se zonja O’Connor dëshiron të harxhojë më shumë kohë me bashkëshortin e saj, i cili është në fazat e hershme të sëmundjes së Alcajamerit.

Kandidatët për zëvendësimin e gjykatëses O’Conner

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ndonjë koment se cilin kandidatë Presidenti Bush mund të emërojë për të plotësuar vendin bosh të Gjykatës së Lartë, por njoftimet e shtypit kanë filluar të nxjerrin emrat e disa të tillëve. Ndër to përfshihen ato të Prokurorit të Përgjithshëm Alberto Gonzales, i cili do të bëhej, në se konfirmohej, anëtari i parë i Gjykatës së Lartë me origjinë latinase. Por shumë konservatorë e kundërshtojnë zotin Gonzales, duke e cilësuar atë si shumë të moderuar për çështje të tilla si aborti dhe politikat për të ndihmuar afrikano-amerikanët. Si kandidatë të mundshëm janë përmendur një sërë emrash të gjykatësve konservatorë nga sistemi i Gjykatave të Apelit. Mes emrat më të cituar janë ato të gjykatësve Samuel Alito, Emilio Garza, Michael Luttig, Michael McConnel dhe Harve Wilkinson. Presidenti Bush ka një ekip këshilltarësh që po punojnë për të zgjedhur një kandidat, i cili para se të fillojë nga detyra dudhet të sigurojë miratimin e Senatit.

XS
SM
MD
LG