Lidhje

OSBE/ODIHR: Zgjedhjet në Shqipëri i plotësuan pjesërisht standartet ndërkombëtare


Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE, thotë se zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri i plotësuan vetëm pjesërisht standartet ndërkombëtare. Shefi i Misionit të OSBE-së tha sot se ka patur probleme organizative gjatë zgjedhjeve, por shtoi se ka patur fare pak akuza për parregullsi. Zyrtarët në Shqipëri thonë se një person u qëllua për vdekje dje, gjatë një zënke në një qendër votimi në Tiranë. Rezultatet e para zyrtare priten të shpallen të hënën në mbrëmje. Si Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, ashtu edhe kryeministri Fatos Nano deklaruan fitoren e partive të tyre para se fillonte numërimi i votave.

Sot në mbrëmje përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Havier Solana u bëri thirrje forcave politike në Shqipëri të mos nxitohen në deklarimet e rezultateve pa përfunduar numërimi dhe të njohin rezultatin e zgjedhjeve.

Mesazhi i zotit Solana pasoi raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtar sipas të cilëve zgjedhjet e ditës së dielë ishin vetëm pjesërisht në përputhje me standartet ndërkombëtare. Misioni i OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Europës deklaroi se menaxhimi i zgjedhjeve në ditën e votimit tregoi vetëm progres të kufizuar me zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri.

Një ditë pas votës së shqiptarëve për të zgjedhur forcën politike që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Sigurinë dhe politikën e jashtme Havier Solana shpërndau një deklaratë në të cilën zgjedhjet vlerësoheshin për numrin e lartë të votuesve që morrën pjesë dhe zhvillimin përgjithësisht në mënyrë paqësore në pjesën më të madhe të vendit.

Në deklaratën e tij zoti Solana është shprehur se ka vërejtur se raportet e para u referohen disa mangësive. “Këto mangësi duhen hetuar dhe trajtuar me qëllim që të mos ndodhin në të ardhmen”, ka theksuar ai. Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian u bëri thirrje forcave politike se “duhet të vazhdojnë të frenojnë veten nga përfundime të parakohshme mbi rezultatin dhe të presin rezulatet përfundimtare të numërmit dhe të veprojnë në përputhje me kodin e sjelljes duke pranuar rezultetet e arritura si një shprehje demokratike e zgjedhje të elektoratit shqiptar.”

Ai ka vazhduar thirrjen e tij që të gjitha forcat demokratike të punojnë së bashku me qëllim që të sigurojnë që të mund të formohet në mënyrë të shpejtë të butë e demokratike një qeveri e bazuar një axhendë reformash europiane të qarta dhe të forta”.

Deklarimi i zotit Solana pasoi raportin paraprak të vëzhguesve ndërkombëtarë. Qëndrimi që dy partitë kryesore dhe udhëheqësitë e saj patën ndaj ecurisë së procesit, linte të besoje se raporti i kësaj here i vëzhguesve do të ishte me nota shumë më pozitive, pasi e tillë u pikturua edhe situata e djeshme nga politika shqiptare.

Pavarësisht problemeve që secila palë ngriti në asnjë rast nuk pati pretendime serioze që të mund të vionin në pikëpyetje procesin. Megjithatë nuk ndodhi kështu. Edhe kësaj here zgjedhjet në Shqipëri morën një vlerësim gjysmak. Kryetari i misionit të Vëzhguesve Jorgen Grunet u shpreh se zgjedhjet parlamentare ishin vetëm pjesërisht në përputhje me standartet ndërkombëtare. "Vendimi ynë i përbashkët në lidhje me zgjedhjet dhe procesit deri rreth mesditës sot është se angazhimet ndërkombëtare dhe standartet për zgjedhje demokratike u përmbushën deri në një farë shkalle. Disa prej këtyre standarteve thuajse u plotësuan, disa thuajse nuk u plotësuan, ndërsa disa të tjerë ishin në mes," tha zoti Grunet.

Po sipas vlerësimit të vëzhguesve manaxhimi i zgjedhjeve ditën e votimit tregoi vetëm një progress të kufizuar në karahasim me zgjedhjet e mëparshme. Në raport vërehet se në shumë raste u vunë re proceduar jo korrekte vecanërisht në përdorimin e bojës për të parandaluar votimin e shumëfishtë e të fshehtë apo dhe në kontrollin e identitetit të zgjedhësve.

Raporti saktëson se disa zgjedhës nuk mundën të votojnë për shkak se nuk gjetën emrat në listë. Po ashtu në raport janë përsëritur vërejtjet për skemat taktike të përdoruara nga partitë shqiptare, të cilat vlerësohen se deformojnë raportin e shpërndarjes së mandateve në sistemin proporcional. Sipas eurodeputetes Doris Pack sistemi actual lë shteg për abuzime.

XS
SM
MD
LG