Lidhje

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Ollbrajt në Prishtinë


Ish-Skretarja amerikane e shtetit, Madlen Ollbrajt, tha sot në Prishtinë se është shumë e rëndësishme që procesi demokratik në vend të vazhdojë dhe që populli të marrë pjesë në të. Ajo theksoi gjithashtu se të drejtat e pakicave duhet të respektohen, Kosova duhet të ketë mundësinë për të zënë vendin e duhur. Po në Kosovë të hënën u kremtua, dita e deklaratës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara me një koncert në Prishtinë, ndërkohë që zyrtarët më të lartë vendas kanë rishprehur mirënjohjen për atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për Kosovën.

Ish-Skretarja amerikane e Stetit Madlen Ollbrajt mbrriti sot për një vizitë tre-ditore në Prishtinë, gjatë së cilës do të takohet me zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe vendorë. Zonja Ollbrajt u prit në aeroportin e Prishtinës nga presidenti Rugova, kryeministri Kosumi dhe kryetari I Partisë Demokratike Hashim Thaci.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, e cila drejton tani Institutin Demokratik Kombëtar, u tha gazetarëve në aeroport se do të kalojë kohë me miqtë e saj për të biseduar lidhur me gjendjen në Kosovë për tu siguruar se ky process shumë I rëndësishëm shkon përpara.

Zonja Ollbrajt tha se ka punuar që ëndrra e popullit të Kosovës të bëhet e vërtetë. Është shumë e rëndësishme që procesi demokratik të vazhdojë dhe që populli të marrë pjesë, që të drejtat e pakicave të respektohen, dhe kemi një mundësi që Kosova të marrë vendin e duhur, u shpreh ajo. "Jemi në gjysëm të gjithë kësaj, procesi I statusit të Kosovës dhe do të shohim. Për këtë do të flas me miqtë e mi," tha zonja Ollbrajt.

Gjithashtu të hënën në Kosovë u kremtua 4 korriku, dita e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Komandanti i sektorit të lindjes, gjenerali amerikan Uilliam Uejd, theksoi në kampin Bondstill në Kosovë se shpreson se parimet mbi të cilat mbështeten Shtetet e Bashkuara, do të shërbejnë si shembull, jo vetëm për popujt e Ballkanit, por për të gjithë popujt e botës.

Gjenerali Uejd, i cili foli në një ceremony ku ishin të pranishëm edhe presidenti Rugova, komandanti i TMK së, gjenerali Agim Çeku dhe përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë dhe vendorë, theksoi se parimet e Deklaratës së Pavarësisë janë aktuale edhe sot për shumë pjesë të botës. "Le të bjerë kambana e lirisë në çdonjërin pavarësisht racën, ngjyrën ose përkatësinë etnike. Secili le ta shijojë jetën, lirinë dhe lumturinë", tha ai.

Presidenti Rugova ka uruar presidentin amerikan Bush në këtë ditë, duke falenderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen për Kosovën. Presidenti Rugova theksoi se SHBA-të janë simbol i rëndësishëm për Kosovën dhe për shtetet e tjera të botës.

Në një zhvillim tjetër, të hënën rreth orës tre të mëngjesit në Zubin Potok në Kosovën veriore persona të paidentifikuar hodhën një mjet shpërthyes në degën e Partisë Demokratike serbe, e cila drejtohet nga ministry për kthim dhe komunitete në qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkovic, i njohur për politikën e tij, e cila mbështet qëndrimin që serbët e Kosovës duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, pa u varur nga vendimet e Beogradit. Shpërthimi nuk ka shkaktuar viktima në njerëz.

Ky shpërthim pason tri shpërthime të fundajvës, në tri nga institucionet kryesore të Kosovës, në selinë e UNMIK-ut, qeverisë dhe parlamentit dhe para selisë së OSBE-së, të cilat po kështu nuk kanë shkaktuar viktima në njerëz. Edhe për këto shpërthime nuk ka ende të ndaluar, megjithëse hetimet vazhdojnë. Shpërthimet janë dënuar ashpër nga autoritetet më të larta ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë.

XS
SM
MD
LG