Lidhje

Takimi i Grupit të Tetëshes për ndihmën ndaj Afrikës


Presidenti Bush u nis për një udhëtim në Evropë, ku do të zhvillojë një vizitë të shkurtër në Danimarkë, që është një vend aleat i luftës në Irak. Presidenti do të marrë pjesë edhe në Takimin e Grupit të 8-ëshes në Skoci.

Policia daneze ka vendosur përforcime përreth Kopenhagenit, ku janë planifikuar të zhvillohen dhjetra mitingje për të protestuar kundër vizitës së Presidentit Bush.

Presidenti ka në plan të takohet me kryeministrin danez Anders Fogh Rasmussen, para se të niset për të marrë pjesë në Takimin e Grupit të 8-ëshes, në Gleneagles të Skocisë. Takimi i shtatë vendeve më të industrializuara të botës dhe Rusisë pritet të përqëndrohet tek problemi i mjedisit dhe lufta kundër varfërisë në Afrikë.

Kryeministri britanik Tony Blair pritet të ushtrojë trysni ndaj udhëheqësve të Grupit të 8-ëshes që të nënshkruajnë planin i cili do të shtonte ndjeshëm ndihmën për Afrikën. Presidenti Bush javën e kaluar bëri të njohur një fond të ri për Afrikën; por ai shtoi se mendon që vendet e pasura duhet të ndihmojnë për t’i dhënë nxitje zhvillimit në Afrikë dhe jo thjesht t’i dhurojnë para.

Kryeministri britanik Tony Blair po përpiqet që në takimin e Grupit të 8-ëshes të miratohet një paketë masive, e cila synon lehtësimin e varfërisë në Afrikë. Këtu përfshihet lehtësimi i borxheve dhe dyfishimi i ndihmave për kontinentin afrikan nëpërmjet një mekanizmi fondesh, që do t’i ndihmonte afrikanët të merrnin tani për tani ndihma financiare të bazuara në premtimet për ndihma në të ardhmen.

Presidenti Bush e ka nënshkruar propozimin për lehtësimin e borxheve. Por ai po shkon në takimin e Skocisë, i vendosur për të vazhduar me strategjinë e tij të ndihmave. Presidenti e ka bërë të qartë se ka një lidhje mes ndihmave të zhvillimit dhe reformave. Ai thotë se donatorët dhe qeveritë që marrin ndihma duhet të bashkëpunojnë për të siguruar një të ardhme më të mirë për vendet e varfëra. "Burimet e reja nuk janë të mjaftueshme. Na nevojitet një mënyrë e re të menduari nga të gjitha vendet. Sfida jonë më e madhe është kapërcimi i simbolizmit bosh dhe politikave të diskredituara dhe t’ua përshtasim synimet tona të mira rezultateteve të mira”.

Në javët para takimit, zoti Bush bëri të njohura nisma të reja për të luftuar malarien, për përmirësimin e mundësive për arsimim dhe për t’i dërguar ndihma emergjente vendeve që kanë më tepër nevojë. Por ai e bëri të qartë se një përgjigje për problemet kryesore të zhvillimit të Afrikës nuk gjendet domosdo në hyrjen e një numri të madh dhe të menjëhershëm të ndihmave.

Profesor Adam Lerrick, i Universitetit Carnegie Mellon në Pittsburg të Pensilvanisë, është ekspert për aspektin ekonomik të ndihmave të huaja. Ai thotë se pa reforma, nuk mund të ketë përparim afat të gjatë. "Këshilla më e mirë që do t’i jepja udhëheqësve të Grupit të 8-shes, është që të jenë të vendosur për të ndihmuar vendet e varfëra të Afrikës dhe vende të tjera. Ka edhe pjesë të tjera të botës që janë po aq të varfëra, por duhet planifikuar se ç’duhet bërë në të ardhmen në mënyrë të efektshme. Sepse në se jepen fondet dhe nuk shihet ndonjë rezultat, atëhere njerëzit do të humbin interesin. Dhe kjo do të ishte një tragjedi".

Tani për tani, publiku po ushtron trysni të madhe ndaj vendeve të Grupit të 8-ëshes që ato të marrin masa të fuqishme. Sipas vlerësimeve, më tepër se një milionë njerëz në katër kontinente morën pjesë në 10 koncertet e ditës së shtunë që u mbajtën në vendet e Grupit të 8-ëshes dhe në Afrikën e Jugut, për të rritur ndërgjegjësimin e botës për varfërinë.

Një koncert të ngjashëm do të ketë të mërkurën në Skoci, ndërsa udhëheqësit e Grupit të 8-ëshes fillojnë të shkojnë në qendrën e golfit në Gleneagles. Ylli i muzikës rock dhe drejtuesi i kompleksit U-2 Bono, ka qenë një nga përkrahësit kryesorë të muzikës me synimin për të ndërgjegjësuar opinionit për të varfërit në botë. Në një intervistë që ai dha për rrjetin televiziv NBC, “Meet the Press”, ai tha se është i bindur se Presidenti Bush do ta ndihmojë Afrikën dhe i bëri atij thirrje ta miratojë planin e zotit Blair.

Administrata e Presidentit Bush thotë se po i kushtohet shumë vëmendje sasisë së ndihmës dhe jo aq sa duhet mënyrës për ta shpenzuar atë. Andrew Natsios, Kryetari i Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndëkrombëtar tha në një intervistë për CNN-in se kur vendeve u dërgohen shumë ndihma në një kohë tepër të shkurtër, në kushtet kur insitutcionet e tyre janë të dobëta dhe me kapacitet të kufizuar, rezultati është korrupsioni dhe dështimi. "Tani ne duhet ta përqëndrojmë vëmendjen jo tek sasia e e ndihmave, por si do ta shpërndajmë atë. Në fakt të dyja këto duhen bërë paralelisht".

Zoti Natsios tha se Presidenti Bush ka marrë vendimin për t’i shtuar së tepërmi ndihmat për Afrikën, që në muajt e parë të mandatit të tij të parë presidencial, shumë para koncerteve, apo Takimit të Grupit të 8-ëshes në Skoci.

Përpjekjet për të luftuar SIDË-n janë një nismë e rëndësishme që tashmë ka filluar, krahas me programin që siguron ndihma ekonomike për vendet që zbatojnë reforma politike dhe ekonomike.

XS
SM
MD
LG