Lidhje

Berisha: administrata të vazhdojë punën e qetë dhe të mos tronditet nga ndërrimi i zyrtarëve të lartë


Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Sali Berisha tha në një konferencë shtypi se administrata shtetërore duhet të vazhdojë punën e qetë dhe të mos tronditet nga ndërrimi i zyrtarëve të lartë në postet shtetërore për shkak të zgjedhjeve.

Ai tha se Partia Demokratike ka respekt të veçantë për veprimtarinë e administratës dhe se askujt nuk i intereson cënimi i punës së saj. Zoti Berisha bëri thirrje që njerëzit në këtë sezon turistik që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që u jep natyra e bukur e Shqipërisë brenda territorit të vendit të pashqetësuar nga atmosfera e zgjedhjeve.

Në fakt, një atmosferë pothuajse e kundërt i ka përfshirë selitë e dy partive kryesore në Tiranë. Mbrëmë, tek Partia Demokratike vazhduan në çdo 15-30 minuta të jepeshin rezultatet e reja dhe festa e demokratëve nuk pushonte. Ndërsa tek selia e Partisë Socialiste mbizotëronte heshtja e shoqëruar me ankesat e kandidatëve që po humbnin.

Ministri i jashtëm Kastriot Islami, ministri i rendit Igli Toska dhe ministri i ekonomisë Anastas Angjeli kanë bërë të ditur se do të ankohen për parregullsi në votime në zonat e tyre dhe në procesin e numërimit të votave. Ankesave u është bashkuar edhe kandidati tjetër socialist në Tiranë, Arben Ahmetaj.

Në zonat e Tiranës me sa duket vetëm tre kandidatë socialistë kanë arritur të fitojnë me rezultat të ngushta ndonëse edhe aty dokumentacioni ende nuk është mbyllur, ndërsa në një zonë tjetër të kryeqytetit vazhdon numërimi për ish drejtorin e doganave Shpëtim Idrizi përballë opozitarit Edi Paloka.

Sipas drejtuesve të Partisë Demokratike, kandidatët opozitarë kanë fituar drejtpërdrejt në të paktën 62 zona, dhe janë në avantazh edhe në numërimin e 10 zonave të tjera. Mbrëmë u njoftua edhe për fitoren e Leonard Demit të opozitës në zonën 45, Luan Skuqit në zonën 50 dhe Fatos Bejës në zonën 71.

Përfaqësuesit e PD-së i kanë hedhur poshtë si të pabaza madje të palogjikshme akuzat e socialistëve për dhunë, presione dhe manipulime, pasi, siç shprehen opozitarët, janë vetë kandidatët socialistë ata që me vetë postet e tyre shtetërore kishin në dorë të gjitha mjetet dhe makinerinë shtetërore për të kryer dhunën dhe manipulimet e jo opozita. Nëse një pjesë e zonave do të futet në spiralin e ankimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nëpër gjykata, një zvarritje prej së paku dy javësh do të shkaktohej për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Sipas ligjit, nëse ankesat janë për rinumërim, KQZ-ja duhet të shprehet brenda dy ditësh për këto ankesa. Por nëse ankesat janë për pavlefshmëri dhe përsëritje të votimeve, trajtimi i tyre do të kërkonte së paku edhe dhjetë ditë të tjera.

XS
SM
MD
LG