Lidhje

SHBA: Bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit shpreh keqardhjen për problemet në procesin zgjedhor


Në Shtetet e Bashkuara, Bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit Christopher Smith shprehu dje keqardhjen që procesi zgjedhor në Shqipëri pati probleme. Anëtari republikan i Kongresit tha se tani është në pritje të marrë vlerësimet e plota të vëzhguesve të OSBE-së edhe për fazën tjetër të procesit.

Megjithëse vlerësimi i OSBE-së për ecurinë e zgjedhjeve nuk është përfundimtar, zoti Smith e shpreh pakënaqësinë që votimi nuk shkoi siç kishte shpresuar komuniteti ndërkombëtar dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne shpresojmë që të mos pësojmë një zhgënjim të thellë, sepse pjesërisht jemi të zhgënjyer, pasi zgjedhjet mund të kishin qenë shumë më të mira”.

Zoti Smith thotë se gjithsesi si kryetar i Komisionit të Helsinkit do t’i duhet të studiojë me kujdes përfundimet e 410 vëzhguesve që janë në Shqipëri dhe t’i shqyrtojë për të arritur në përfundimin sesa të lira dhe të ndershme ishin në të vërtetë zgjedhjet.

“Por sipas vlerësimeve paraprake që kemi marrë, përparimi ishte i kufizuar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kështuqë Shqipëria ka ende shumë për të bërë”.

Republikani Smith ishte një nga hartuesit e rezolutës së Dhomës së Përfaqësuesve për zgjedhjet në Shqipëri, e cila u miratua javën e kaluar. Në rezolutë thuhej se nuk ka asnjë arsye që zgjedhjet e 3 korrikut të mos ishin krejtësisht të lira dhe të drejta dhe se mënyra sesi do të mbaheshin votimet do të ishte një faktor për të ardhmen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Zoti Smith tha se duhet të priten rekomandimet e OSBE-së, për të vendosur mbi një qëndrim të Komisionit amerikan të Helsinkit.

XS
SM
MD
LG