Lidhje

Londra, mikëpritësja e Lojrave Olimpike 2012


Përpjekjet për zgjedhjen e qytetit organizator për Lojrat Olimpike të vitit 2012 përfunduan sot me njoftimin e presidentit të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, Zhak Rog se ky Komitet ka zgjedhur Londrën. Konkurentët e tjerë përfshinin Parisin, Nju Jorkun, Madridin dhe Moskën, por fitorja i buzëqeshi Londrës, e cila organizon për herë të parë Lojrat Olimpike që nga viti 1948.

Londra e përqëndroi fushatën e saj në përpjekjet për të frymëzuar rininë, në infrastrukturën e saj të pasur sportive si dhe Parkun e ri Olimpik që ka propozuar të ndërtojë në një lagje në pjesën lindore të qytetit që ka filluar të marrë jetë dhe zhvillim vitet e fundit.

Londra thotë se Parku Olimpik do të jetë zhvillimi më i madh urban në Evropë në 200 vitet e fundit. Kryeministri Toni Bler shkoi vetë në Singapor për të mbështetur përpjekjet e Londrës për t’u zgjedhur si qytet organizator, por u detyrua të largohej para votimit për të marrë pjesë dje në takimin e Grupit të Tetëshes në Skoci. Ai përcolli një mesazh të regjistruar në anglisht dhe frëngjisht."Ju premtoj se do të jemi partnerët më të mirë", iu zotua kryeministri Komitetit Ndërkombëtar Olimpik. "Jemi të gatshëm të përmbushim të gjitha garancitë për sigurinë, financat dhe të gjitha aspeketet e tjera".

Londra reklamoi me të madhe komunitetin shumë-etnik të këtij qyteti, ndërtesat historike dhe objektet sportive, përfshirë Klubin e tenisit Wimbledon, ndërkohë që Kryetari i Bashkisë Ken Livingston premtoi siguri dhe rregull.

Videoja reklamuese kishte pamje të fëmijëve në mbarë botën që frymëzohen nga Lojrat Olimpike dhe që kthehen në konkurentë olimpikë në Londër në vitin 2012. Zgjidhni Londrën dhe do t’i dërgoni rinisë mesazhin se Lojrat Olimpike janë për ju, tha drejtuesi i ekipit të Londrës Sebastian Coe.

Në një konferencë për shtyp, zoti Coe u tha gazetarëve se ekipi i tij ka bërë ç’është e mundur për të siguruar votën për Lojrat e 2012. "Nuk do të kishte ndonjë ndryshim nëse vota zhvillohej një ditë më parë apo një ditë më pas, pasi mendojmë se ne kemi bërë dhe kemi thënë çdo gjë që kishim për të bërë dhe thënë".

Londra ndeshej në këtë konkurim me Parisin, Madridin, Nju Jorkun dhe Moskën. Megjithëse Moska ishte konkurentja më e dobët, banorët e saj pritën në ethe vendimin e Komitetit Ndërkombëtar Olimpik me shpresën se qyteti i tyre do të zgjidhej për organizimin e lojrave.

Spanja kishte dërguar në Singapor vetë Mbretëreshën në përpjekje për të tërhequr vota për Madridin. Nju Jorku kishte dërguar përveç politikanëve si senatoren Hillari Klinton dhe kryetarin e bashkisë Maikëll Blumberg, edhe boksierin e famshëm Muhamed Ali. Konkurenti i preferuar në këtë votim, Parisi, shpresonte që fama e qytetit, objektet e shumta sportive, mbarëvajtja e veprimtarive të tilla sportive si Turi i Francës, apo Kampionati Botëror i Futbollit në vitin 1998 do t’ia siguronin fitoren, por fati i buzëqeshi Londrës. Kjo zgjedhje, thonë përfaqësuesit e ekipit anglez, është mbi të gjitha një fat i madh për banorët e pjesës lindore të qytetit ku pritet të marrë hov zhvillimi dhe të derdhen investimet.

XS
SM
MD
LG